Home / Lajme / Maqedoni / Akademi solemne për ditën e mësuesit

Akademi solemne për ditën e mësuesit

9 mars-“Me krenari përkujtojmë të gjithë ata që me përkushtim kanë punuar për përhapjen dhe kultivimin e arsimit shqip. Ne përulemi para veprës së tyre madhore dhe përpara vendosmërisë për të çuar përpara misionin e arsimimit si një vlerë themelore e progresit kombëtar”, tha kryetari Bexheti. Sipas tij, komuna e Tetovës, gjithnjë ka vlerësuar lartë këtë mision të pishtarëve të arsimit duke nderuar punën e tyre të çmuar.

Të mërkurën në mbrëmje komuna e Tetovës ka mbajtur një akademi solemne kushtuar 7 marsit-ditës së mësuesit, si një nga ngjarjet më të rëndësishme të arsimit shqip dhe të kulturës shqiptare. Në fjalën përshëndetëse, kryetari i komunës së Tetovës Sadi Bexheti tha se kjo datë shënon vendosjen e themeleve të shkollës shqipe si një vlerë e padiskutueshme kombëtare dhe civilizuese.
“Me krenari përkujtojmë të gjithë ata që me përkushtim kanë punuar për përhapjen dhe kultivimin e arsimit shqip. Ne përulemi para veprës së tyre madhore dhe përpara vendosmërisë për të çuar përpara misionin e arsimimit si një vlerë themelore e progresit kombëtar”, tha kryetari Bexheti. Sipas tij, komuna e Tetovës, gjithnjë ka vlerësuar lartë këtë mision të pishtarëve të arsimit duke nderuar punën e tyre të çmuar.
“Mbetemi të vendosur që edhe në të ardhmen të mbështesim përpjekjet për të avancuar procesin arsimor si një shtyllë kryesore e zhvillimit në të gjitha drejtimet”, tha ai.
Udhëheqësi i Sektorit për Veprimtari Publike, Iljaz Halimi, në referatin kushtuar ditës së mësuesit ka shpaluar gjithë përpjekjet përgjatë historisë për krijimin dhe kultivimin e shkollës shqipe. Ai ka vlerësuar lartë punën e përkushtuar të brezave të tërë për shkollën shqipe dhe njëherësh ka shpaluar pengesat e shumta për të degraduar arsimin shqip.

“Gjatë 125 viteve të arsimit shqip, breza të tërë mësuesish kush më shumë e kush më pak kanë kontribuar në ngritjen dhe zhvillimin e arsimit dhe gjuhës shqipe. Për shkollën dhe gjuhën shqipe kanë ranë shumë martir anembanë trojeve shqiptare. Ata i përkujtojmë me pietet për sakrificën e tyre. Falë angazhimit dhe përpjekjeve të vazhdueshme të popullit shqiptar për t’u shkolluar,veçanërisht atyre që e dhanë edhe ma të shtrenjtën-jetën sot në trojet shqiptare në shumë shkolla dhe universitete mësojnë dhe studiojnë me dhjetëra mijëra nxënës dhe studentë si dhe punojnë po ashtu me dhjetëra mijëra arsimtar”, tha Halimi.

Sipas tij, Komuna e Tetovës bën përpjekje të vazhdueshme që arsimi ta zë vendin e merituar në shoqëri. Mirëpo, sado që ekziston ky vullnet dhe përkushtim për arsimin shqip,megjithatë për shkak të politikës restriktive të pushtetit qendror, arsimi shqiptar sot ballafaqohet edhe me mjaftë probleme që kanë të bëjnë me përmbajtjen e teksteve shkollore,programeve mësimore,infrastrukturën shkollore etj”, tha ai.
Akademia solemne për shënimin e ditës së mësuesit është përcjell me një program të pasur artistik të përgatitur nga profesor Jeton Pustina dhe profesor Senad Abduli.

Gjithashtu lexo

Përfaqësimi në ARM, reagon Lëvizja Besa – (FOTO & VIDEO)

Lëvizja BESA reagon ndaj deklarimeve të zëvendës ministrit të Mbrojtjes, Bekim Maksuti i cili shprehu …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *