Home / Lajme / Maqedoni / Ambasada e SHBA-së në Maqedoni reagon ndaj incidenteve të fundit

Ambasada e SHBA-së në Maqedoni reagon ndaj incidenteve të fundit

8 mars-Ambasada e SHBA-së u bën thirrje të gjitha palëve që të mbeten të qeta, të presin zbardhjen e fakteve dhe të lejojnë zbatimin e procesit ligjor.

Ambasada e SHBA-së në Shkup ka reaguar përmes një kumtese ndaj incidenteve të mbrëmshme, duke kërkuar nga Ministria e Punëve të Brendshme që të gjejë personat përgjegjës dhe të zbatojë procedurat e nevojshme hetuese.

“Jemi në dijeni për incidentet e dhunshme që kanë ndodhur mbrëmë, e që rezultuan me lëndimin e disa të rinjve. Atyre që pësuan lëndime dhe familjeve të tyre u shprehim keqardhje dhe u dëshirojmë shërim të shpejtë. Kuptojmë që autoritetet po hetojnë incidentin dhe po kërkojnë personat përgjegjës për këto akte të shëmtuara. Në mbështesim përpjekjet e ministres Jankulovska për të ndjekur procedurën hetuese dhe ligjore. I bashkangjitemi ministres në dënimin e këtyre akteve, si dhe komenteve të saj që përkatësia etnike e cilësdo viktimë është e parëndësishme për procesin ligjor”, thuhet në kumtesë.

Ambasada e SHBA-së u bën thirrje të gjitha palëve që të mbeten të qeta, të presin zbardhjen e fakteve dhe të lejojnë zbatimin e procesit ligjor.
Unioni i nxënësve të gjimnazit “Zef Lush Marku” të Shkupit, reagon ashpër lidhur me ngjarjen e cila ndodhi dje në lagjen Kisella Vodë të Shkupit, ku ndodhi rrahja brutale e nxënësve të gjimnazit dhe udhëtarëve të rastit.

“Kërkojmë nga organet kompetente që në afat sa më të shpejtë ta zbardhin rastin, kryesit të nxirren para organeve të drejtësisë dhe t’i marrin dënimet e merituara. Ky nuk është rasti i parë i sulmeve të këtilla dhe formave të tjera të dhunës ndaj nxënësve shqiptarë, për këtë arsye kërkojmë që sa më shpejtë të gjidhet rasti, në mënyrë që të mos përsëritet në të ardhmen”, thuhet në reagimin e nxënësve.

Rastin e ka dënuar gjithashtu edhe Këshilli i profesorëve të gjimnazit “Zef Lush Marku”, në takimin urgjent të mbajtur sot.

Ata e kanë diskutuar rrahjen brutale të nxënësve të gjimnazit nga ana e personave të maskuar, dje pasdite, në autobusin me numër 58.

Këshilli i profesorëve reagon ashpër kundër këtij akti brutal dhe kërkon nga MPB-ja që urgjentisht ta ndriçojë rastin dhe kryesit të nxirren para organeve të drejtësisë për të marrë dënimin e duhur.

Njëherit, Këshilli i profesorëve kërkon nga kryetari i Qytetit të Shkupit, Koce Trajanovski të konvokojë seancë urgjente të Këshillit të Qytetit dhe të ndërmerren masa për siguri më të madhe të nxënësve.

Sipas dëshmive të nxënësve të cilët kanë kaluar me lëndime trupore, sulmi ka qenë i organizuar, sulmuesit kanë qenë të maskuar dhe i kanë rrahur ata me shkopinj bejzbolli, shufra hekuri dhe armë të ftohta (thika). Sipas dëshmive të tyre, nxënësit që kanë pësuar janë Suat Iljazi, Xhemal Ademi, Elham Jahiu, Sheval Sulejmani, Amire Sulejmani dhe Evzal Rushiti.

Këshilli i profesorëve dhe këshilli i prindërve të nxënësve të gjimnazit “Zef Lush Marku” shprehin revoltë të madhe dhe i dënojnë ashpër sulmet e këtilla ndaj më të dashurve të tyre dhe theksojnë se në të ardhmen, ndaj rasteve të ngjashme nuk do të mbeten indiferentë

Gjithashtu lexo

Përfaqësimi në ARM, reagon Lëvizja Besa – (FOTO & VIDEO)

Lëvizja BESA reagon ndaj deklarimeve të zëvendës ministrit të Mbrojtjes, Bekim Maksuti i cili shprehu …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *