Home / Sport / Arsenal ëndërron, por kalon Milani

Arsenal ëndërron, por kalon Milani

“Do të provojmë të respektojmë në maksimum 5% mundësi që kemi për të kaluar turin”. Këto fjalë të Arsen Venger duket se ishin ngulitur mirë në mendjet e futbollistëve të Arsenalit të cilët i janë afruar shumë mrekullisë duke mundur 3-0 Milanin dhe duke i shkuar afër përmbysjes historike. Por ka munguar goli i katërt, që mund të çonte takimin në kohë shtesë dhe si rrjedhojë, kuqezinjtë i janë gëzuar kësaj fitoreje që i kalon mes 8 më të mirëve në Evropë.

Merita ka qenë e një fillimi të vrullshëm të ekipit vendas që nuk i ka lënë shteg manovrës kuqezi, ndërsa Koshçielni ka gjetur golin e avantazhit që në minutën e 7-të me një gjuajtje me kokë, ndërsa ishte harruar krejtësisht i vetëm nga mbrojtja kuqezi.
Gabimet e prapavijës së Milanit janë të dukshme, aq sa edhe lojtari më i sigurt, Tiago Silva, ndëshkon skuadrën e tij duke i dhuruar Rosiçkit topin për golin e 2-0 në minutën e 25-të. Tashmë kuqezinjtë janë në panik dhe kjo shihet qartë në fytyrat e tyre kur Robin Van Persi gjen golin e rezultatit 3-0 me një penallti të fituar nga Oksleid-Çambërlein në minutën e 42-të.
Pas pushimit të ndeshjes, Milani hyn më i përqendruar në fushë por janë sërish vendasit që mundohen të shënojnë golin e katërt. Van Persi i shkon shumë pranë mrekullisë në minutën e 58-të, por mrekullinë e vërtetë e bën Abiati i cili ndalon gjuajtjen e sulmuesit të Arsenal me një ndërhyrje vendimtare.
Më pas, kuqezinjtë zgjohen dhe rrezikojnë disa herë me El Sharaui, Ibrahimoviç, e Noçerino, por asnjë prej tyre nuk arrin të dërgojë topin në rrjetë. Minutat e fundit flasin për Arsenalin që provon në të gjitha mënyrat të gjejë golin e katërt, por kuqezinjtë rezistojnë deri në vërshëllimën përfundimtare dhe largohen të mundur nga Londra, por të paktën me një kualifikim në xhep.
Ndërkohë, Arsenali merr duartrokitjet e të gjithë publikut në stadium, për një rezultat që nuk solli kualifikimin, por do të ndihmojë shumë moralisht këtë ekip për vazhdimin e sezonit.

Gjithashtu lexo

City: 300 mln euro për Messi-n – (VIDEO)

Klubi anglez, Mançester Sity është i gatshëm të bëjë çmendurinë e radhës në tregun e …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *