Home / Sport / Kupa FA, Liverpuli e Çelsi në gjysmëfinale

Kupa FA, Liverpuli e Çelsi në gjysmëfinale

Liverpuli siguroi një tjetër udhëtim drejt stadiumit “Uembli”, falë fitores 2-1 në shtëpi përballë Stouk në çerekfinalet e Kupës FA. Ndërkohë, në çerekfinalen tjetër, Fernando Torres i dha fund thatësisë para porte duke shënuar dy herë në suksesin 5-2 ndaj Leisester.

Liverpuli siguroi një tjetër udhëtim drejt stadiumit “Uembli”, falë fitores 2-1 në shtëpi përballë Stouk në çerekfinalet e Kupës FA. Pas 16 vitesh pa luajtur në stadiumin legjendar, tashmë Liverpuli do të ketë mundësinë të shijojë kënaqësinë e të luajturit aty për të dytën herë brenda dy muajsh, pas suksesit në finalen e Kupës Karling pak kohë më parë.

Luis Suarez ishte protagonist me golin e avantazhit për Liverpulin, e ndonëse rezultati u barazua menjëherë nga ish-sulmuesi i kësaj skuadre, Piter Krauç, goli i dytë sezonal për Stjuart Dauning mjaftoi që të kthente Liverpulin në “Uembli”. Në gjysmëfinale, “të kuqtë” do të ndeshen me fituesit e çiftit Sandërlend-Everton.

Ndërkohë, në çerekfinalen tjetër, Fernando Torres i dha fund thatësisë para porte duke shënuar dy herë në suksesin 5-2 ndaj Leisester. Dy golat e shpejtë të Kahill dhe Kalu ndihmuan Çelsin që të luante qetësisht në këtë sfidë dhe të vazhdonin “sundimin” e suksesshëm të Roberto Di Mateos në stolin e kësaj skuadre, pasi ai ende nuk ka humbur asnjë ndeshje.

Torres shënoi golin e tretë duke i dhënë fund 25 orëve e 41 minutave futboll pa gjetur rrugën e rrjetës. Ai shënoi me kokë edhe golin e katërt, ndërsa më pas dha pasimin për golin e pestë të shënuar nga Raul Meireles. Bekford dhe Marshall shënuan golat e ngushëllimit për miqtë që nuk ishin asnjëherë të aftë të konkurronin denjësisht për të vënë në rrezik kualifikimin e Çelsit.

Tashmë londinezët mund të luajnë një derbi në gjysmëfinale, ndërsa do të presin emrin e kundërshtarit nga përfundimi i sfidës së ndërprerë mes Totenhemit dhe Boltonit.

Gjithashtu lexo

Tifozët shqiptarë nga Tetova pushtojnë rrugët e Milanos, çfarë po ndodh para ndeshjes? (VIDEO)

Grupimi i tifozëve të Shkëndijes, “Ballistët” që shquhen edhe si një nga tifozeritë më të …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *