Home / Lajme / Maqedoni / Reagojnë QMBI dhe vetvendosje

Reagojnë QMBI dhe vetvendosje

8 mars-QMBI kërkon që në mënyrë të përshpejtuar të ndryshohet dhe ashpërsohet politika ndëshkuese ndaj të miturve madhorë dhe prindërve të tyre, si një hap i mundshëm drejt eliminimit të manifestimeve të tilla të dhunshme.

Qendra për Mirëkuptim dhe Bashkëpunim Institucional dënon ashpër dhunën e mbrëmshme mbi nxënësit shqiptarë prej personave të maskuar në autobusin numër 58 i cili transportonte nxënësit shqiptarë për fshatrat Çiflik dhe Sveta Petkë, dhe kërkon nga Ministria e Punëve të Brendshme ndërmarrjen e aksionit të shpejtë dhe të ashpër ndaj huliganëve që shkaktuan këtë incident të rëndë. Është koha e fundit që qeveria, ministritë përkatëse, hetuesia dhe gjyqësia të kalojnë prej fjalëve në vepra, nga kalkulimet boshe politike në veprime konkrete ndëshkuese, përderisa situata nuk ka dalë komplet nga kontrolli dhe qytetarët nuk kanë ndërmarrë hapin e vetorganizimit dhe hakmarrjes për këto veprime makabre me elemente fashiste.

Pas brohoritjeve nacionaliste nëpër terrenet sportive dhe përbuzjes së turpshme të vlerave kombëtare e fetare, sulmeve të vazhdueshme mbi nxënësit dhe njerëzit e pafajshëm nëpër shkolla e rrugë, pas krimit monstruoz dhe vrasjes së dy të rinjve shqiptarë në qytetin e Gostivarit, dhuna e mbrëmshme dhe gjendja kritike shëndetësore e fëmijëve duhet të shënojnë shkallën më të lartë të alarmit dhe urgjencës, si dhe të detyrojnë institucionet shtetërore për veprim energjik për gjetjen dhe dënimin e rreptë të personave që po manifestojnë huliganizëm e dhunë. Çdo vonesë dhe zvarritje e procesit hetues dhe gjykues, le hapësirë për eskalim të situatës, gjendje kjo e cila mund të tejkalojë edhe pritjet më të këqija të atyre që po luajnë me zjarr në fushën e marrëdhënieve ndëretnike dhe ndërfetare në vend.
Duke pasur parasysh serinë e ngjarjeve të kësaj natyre kohëve të fundit, QMBI kërkon dorëheqjen, gjegjësisht shkarkimin e menjëhershëm të ministres për punë të brendshme, Gordana Jankullovska.

Po ashtu, shpresojmë që përfundimisht të vetëdijesohen edhe përfaqësuesit politik shqiptarë në qeveri, në drejtim të gjykimit më të ashpër të terrorit që po zhvillohet mbi shqiptarët, ndërmarrjes së hapave konkretë dhe gjetjes së mekanizmave për të ndërprerë këtë dhunë sistematike.

QMBI kërkon që në mënyrë të përshpejtuar të ndryshohet dhe ashpërsohet politika ndëshkuese ndaj të miturve madhorë dhe prindërve të tyre, si një hap i mundshëm drejt eliminimit të manifestimeve të tilla të dhunshme.

Vetëvendosje e shqetësuar për incidentin e mbrëmshëm

Rrahja e 15 nxënësve shqiptarë në Shkup, ka nxitur reagimin edhe të Lëvizjes ‘Vetëvendosje’. Në një komunikatë për shtyp, kjo lëvizje thekson se incidentet e fundit në Maqedoni, përbën një ngjarje shqetësuese. “Dhuna e ushtruar ndaj shqiptarëve në Maqedoni është pasojë e drejtpërdrejtë e politikave të pushtetarëve maqedonas, të Gruevskit e të partnerëve të tij shqiptarë”, thuhet në reagimin e ‘Vetëvendosjes’. ‘Faktor kryesor në mosmbajtjen e përgjegjësisë prej pushtetit maqedonas janë edhe përfaqësuesit e forcave politike shqiptare, të cilët të përçarë në luftën e tyre për të kapur një copë prej pushtetit që ofrojnë maqedonasit, nuk hezitojnë të bëjnë aleanca e koalicione në dëm të popullit shqiptar në Maqedoni, në dëm të interesave kombëtare e qytetare’, kritikon kështu lëvizja e drejtuar nga Albin Kurti. Po ashtu Lëvizja ‘Vetëvendosje’ dënon heshtjen e Prishtinës dhe Tiranës zyrtare për këtë rast për mosangazhimin serioz në mbrojtje të të drejtave të shqiptarëve në Maqedoni.

Ministrja e Punëve të Brendshme, Gordana Jankullovska, sot, me rastin e serisë së incidenteve të cilat ndodhën gjatë 24 orëve të fundit në stacionet e autobusëve dhe në autobusët e NPK-së i dënoi ashpër dhe bëri thirrje për sjellje serioze, matje të të gjitha veprimeve sepse, potencon, u tregua se dhuna mund të përfundojë tragjikisht dhe për asnjë dhunë nuk mund të gjendet arsyetim. Është irelevante, theksoi Jankullovska, se cilës bashkësi etnike i takojnë ushtruesit e dhunës.

MPB, informon ajo në konferencën e sotme për shtyp, tashmë e ka rritur praninë në terren dhe po ndërmerren aktivitete parandaluese, por është shtuar edhe komunikimi me të gjithë faktorët shoqëror, në mënyrë që të dërgohet porosi e qartë se dhuna nuk guxon dhe nuk mund të tolerohet.

Sipas Jankullovskës, MPB nuk ka të dhëna se bëhet fjalë për incidente të koordinuara, ndërkaq në pajtim me informatat fillestare, ka edhe motive të ndryshme, prëkatësisht ato nuk janë të unifikuara.

“ka një tension të caktuar lidhur me të cilin të gjithë duhet të jemi të kujdesshëm dhe të kontribuojmë për qetësimine tij. TË gjithë ne duhet të punojmë në qetësimin e tensioneve, në mënyrë që të mos vijmë në situatë kur MPB-ja apo prokuroria, apo kushdo qoftë tjetër do të sillen në situatë të zbatojnë masa represive”, është vlerësimi i ministres së Punëve të Brendshme për gjendjen.

Ajo nuk e përjashton mundësinë, siç nënvizoi, se në Republikën e Maqedonisë ka njerëz të cilët dëshirojnë prishje të marrëdhënieve ndëretnike, por është e bindur se janë shumë më të numërt ata të cilët nuk e dëshirojnë këtë dhe do të kontribuojnë për qetësimin e tensioneve, zbulimin e incidenteve dhe demistifikimin e atyre të cilët dëshirojnë tensione ndëretnike dhe dënimin e tyre.

Përndryshe, incidente ndodhën në autobusët e NPK-së me numër 57, 58 dhe 65.

Pesë persona janë lënduar, prej të cilëvee një grua në moshë 55-vjeçare, në dhunën që kreu një grup të rinjsh në stacionin e autobusit me numër 24 në autobusin e NPK-së me numër 58. Policia së shpejti do t’i ketë kryesit dhe ata do të përgjigjen për vepërn e kryer.

“Lidhur me incidentin në autobusin me numër 58, sipas informatave fillestare, bëhet fjalë për persona nga përbërje e përzier etnike. Po punohet në rastin për zbullimin e kryesve”, informon Jankullovska.

Incident i ngjashëm ndodhi në stacionin e autobusëve përballë QT Çairçanja në autobusin me numër 57 në të cilin ka pasur rreth 20 udhëtarë, kur persona të panjohur kanë filluar të sillen dhunshëm, me ç’rast janë lënduar tre persona, njëri prej të cilëve është vozitësi i autobusit.

Sot në mëngjes, në autobusin me numër 65, dy persona janë lënduar. Policia, pas ekspertizës së kryer, do të dalë me informata plotësuese.

Gjithashtu lexo

Lumi në Poroj të Tetovës ende mbetet pezull, banorët bllokojnë rrugën Tetovë-Jazhincë

Banorët e fshatit Poroj, sot (18 gusht), prej ora 14:00 e kanë bllokuar rrugën rajonale …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *