Home / Sport / Renova pret Teteksin, Shkëndija përballet me Ohrid 2004

Renova pret Teteksin, Shkëndija përballet me Ohrid 2004

Liga e Parë e futbollit vendor sjell ndeshjet e javës së 23-të, të cilat do të zhvillohen në dy ditë. Renova përsëri luan me Teteksin, Vardari pret Bregallnicën, ndërsa Rabotniçki s’duhet të ketë probleme me 11 Oktomvrin. Të dielën Shkëndija në Tetovë ndeshet me Ohrid 2004, Metalurgu pret Napredokun, ndërsa Sileksi takohet me Horizont Turnovën.

Pas në mesjavë me ndeshjet e javës së 22-të u mbyll rrethi i dytë i garave në Ligën e Parë të futbollit në Maqedoni, këtë fundjavë vazhdojnë nxitjet në futbollin elitar me ndeshjet e javës së 23-të. Nga gjithsej gjashtë përballje, tre do të zhvillohen të shtunën, ndërsa tre tjera të dielën. Vetëm tre ditë pasi Renova si ‘mysafire’ deklasoi me rezultatin 5:1 Teteksin, fati deshti që falë renditjes përfundimtare pas raundit të dytë, tani përsëri të kemi duel lokal, kur Renova do të përballet me Teteksin. Për xhepçishtasit vetëm fitorja vjen në shprehje, pasi skuadra duket se ka gjetur rritmin e duhur në lojën e saj. Pas fillimit të ngadalshëm të stinorit pranveror, me barazimin me 11 Oktomvrin, u desh debakli 5:1 nga Rabotniçki, për të zgjuar futbollistët e Renovës, të cilët në vazhdim sollën dy fitore bindëse, 4:0 me Napredokun dhe 5:1 me Teteksin. “Normal që jemi të kënaqur se si rrodhën gjërat pas dy dështimeve fillestare në pranverë. Ekipi sikur u zgjua, luajmë mirë, krijojmë raste, ndërsa shënojmë edhe shumë gola. Mendoj se jemi në rrugën e duhur dhe vetëm duhet të vazhdojmë në këtë stil. Vetëm tre ditë pasi mundëm bindshëm Teteksin, do të duhet përsëri të përballemi me këtë skuadër. Në raste të këtilla është vështirë, pasi nuk ka fshehtësi ndërmjet skuadrave. Edhe përkundër fitores të së mërkurës, unë ftoj bashkëlojtarët e mi të jemi të kujdesshëm, pasi gjërat shumë shpejtë mund të ndryshojnë. Vetëm me angazhim maksimal dhe qasje serioze gjatë 90-të minutave, mendoj se do të arrijë tjetër fitore përballë Teteksit, me të cilën do të vazhdojmë serinë e rezultateve pozitive”, deklaroi mesfushori shkupjan Muharem Bajrami, i cili në dy ndeshjet e fundit është figura qendrore në lojën e Renovës, ndërsa kundër Teteksit realizoi dy gola. Përveç sfidës Renova-Teteksi, të shtunën në program janë edhe duelet Vardari-Bregallnica dhe Rabotniçki-11 Oktomvri. Të dielën vijnë tre takime tjera të javës së 23-të. Shkëndija pas tre ndeshjeve pa gol të shënuar, tani pret Ohrid 2004 me ambicie për fitore. Metalurgu përballet me Napredokun, ndërsa Sileksi takohet me Horizont Turnovën. Të gjitha përballjet startojnë në orën 16:00.

Dyshet e javës së 23-të:
E shtunë:

Vardari-Bregallnica,
Renova-Teteksi,
Rabotniçki-11 Oktomvri,
E dielë:
Shkëndija-Ohrid 2004,
Metalurgu-Napredoku,
Sileksi-Horizont T.

Gjithashtu lexo

City: 300 mln euro për Messi-n – (VIDEO)

Klubi anglez, Mançester Sity është i gatshëm të bëjë çmendurinë e radhës në tregun e …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *