Home / Sport / Rufeja-M do sigurojë mbijetesën

Rufeja-M do sigurojë mbijetesën

“Të gjithë në skuadër jemi optimistë sa i përket mbijestesës në kategorinë e dytë dhe mendojmë se tani kemi kualitet për të arritur një gjë të tillë. Jemi përforcuar mirë, kemi realizuar përgatitje cilësore dhe personalisht mendoj se Rufeja është shumë më e fortë se në vjeshtë dhe se këtë do ta dëshmojmë në ndeshjet kampionale”, foli me optimizëm kapiteni i KF Rufeja-M, Buranedin Musai.

Kanë mbetur vetëm disa ditë deri në fillimin e sezonit pranveror në Ligën e Dytë të futbollit të Maqedonisë, ndërsa nga skuadra e Rufesë së fshatit Miletinë të Tetovës janë duke bërë përgatitjet përfundimtare. Nga tabori i skuadrës vlerësojnë se kanë lënë pas përgatitje cilësore, megjithse ishin dukshëm të ndikuara nga kushtet atmosferike, ndërsa duket se futbollistët e angazhuar si përforcime përfundimisht kanë ngritur cilësinë në ekip. Gjithë kjo sjell një optimizëm të theksuar, se Rufeja-M në pranverë do të sjellë paraqitje edhe më kualitative dhe do të largohet nga zona e rrezikut. “Të gjithë në skuadër jemi optimistë sa i përket mbijestesës në kategorinë e dytë dhe mendojmë se tani kemi kualitet për të arritur një gjë të tillë. Jemi përforcuar mirë, kemi realizuar përgatitje cilësore dhe personalisht mendoj se Rufeja është shumë më e fortë se në vjeshtë dhe se këtë do ta dëshmojmë në ndeshjet kampionale”, foli me optimizëm kapiteni i KF Rufeja-M, Buranedin Musai, i cili është njëri prej pikave kyce të kësaj skuadre. Musai është ‘fëmijë’ i KF Shkëndija, ka paraqitje për ‘kuqezinjtë’ edhe në Ligën e Parë dhe pikërisht kjo përvojë e tij dhe të disa futbollistëve tjerë që janë angazhuar në ekip, pritet të jetë vendimtare në luftën për mbijetesë. “Mendoj se është momenti që ne futbollistët të marrim përgjegjësi më të madhe në fushë. Normal më shumë pritet nga ne futbollistët me më shumë përvojë dhe unë jam i gatshëm që së bashku me shokët tjerë në skuadër të japm atomin e fundit të forcave tona, në shërbim të sukseseve të skuadrës. Kemi në ekip futbollistë që kanë paraqitje edhe në Ligën e Parë dhe pres që kjo përojë të jetë vendimtare për të bërë diferencën”, shtoi Musai. Rufeja-M në ndeshjen e parë në stinorin pranveror do të ketë përballë një skuadër të fortë, e cila vitin e kaluar ishte pjesë e Ligës së Parë. Skopje këtë vit pretendon të kthehet në elitën e futbollit vendor, mirëpo nga tabori i Rufesë kanë planet e veta. “Nuk na interesojnë planet dhe matematikat e Skopjes. Ne kemi problemet tona dhe në këtë drejtim tre pikët nga ky duel janë obsioni i vetëm për ne. Skopje është skuadër cilësore dhe jemi të vetëdijshëm se na pret detyrë e vështirë. Mirëpo e them në emër të të gjithë bashkëlojatërve se jemi të gatshëm të japim më shumë se maximumin tonë, për të nisur me fitore pjesën e dytë të kampionatit”, u shpreh Musai në lidhje me ndeshjen e të shtunës, kur Rufeja-M do të përballet me ekipin e vendit të tretë, Skopjen. Rufeja për momentin mban pozitën e parafundit (15-të) në renditje me 11-të pikë të tubuara, kur nga 15-të takime kanë shënuar 4 fitore, dy barazime dhe 9-të disfata. Lajm i mirë për këtë skuadër është se në pranverë do të kenë kushte më të mira në ndeshjet kampionale, pasi drejtuesit e klubit kanë arritur marrëveshje që KF Rufeja-M ndeshjet e saj t’i zhvillojë në fushën e futbollit në qendrën sportive në Tetovë. Pikërisht në këtë teren Rufeja të shtunën në orën 14:00 do ta presë ekipin e Skopjes, në tentimin për të arkëtuar tre pikët e para në gjysmëstinorin pranveror.

Gjithashtu lexo

Tifozët shqiptarë nga Tetova pushtojnë rrugët e Milanos, çfarë po ndodh para ndeshjes? (VIDEO)

Grupimi i tifozëve të Shkëndijes, “Ballistët” që shquhen edhe si një nga tifozeritë më të …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *