Home / Sport / Shqipëria me dy fytyra, gjyqtari “i pafytyrë”!

Shqipëria me dy fytyra, gjyqtari “i pafytyrë”!

Xhani De Biazi e ka filluar me një humbje eksperiencën në stolin e përfaqësueses shqiptare, pasi kuqezinjtë janë mundur 2-1 në Gjeorgji. Ka qenë një ndeshje me dy fytyra ku kombëtarja ka shkëlqyer në pjesën e parë, ndërsa ka treguar dobësi në pjesën e dytë, duke i lënë ndeshjen në dorë vendasve.

De Biazi ka konfirmuar skemën 4-1-4-1 me Bulkun para mbrojtjes dhe Çanin si sulmues të vetëm. Ndeshja fillon si mos më miri për kuqezinjtë që gjejnë golin e avantazhit pikërisht me anë të Çanit, i cili shfrytëzon një gabim të kundërshtarëve për të rrëmbyer topin dhe për të shënuar me një diagonale që në minutën e 3-të.

Për minuta më radhë, loja flet vetëm për kuqezinjtë që mbrojnë dhe sulmojnë në grup. Por këtu hynë në skenë personazhi i “paftuar”, gjyqtari moldav Genadi Sidenko. Ky i fundit nuk ngurron të japë një penallti të dyshimtë në favor të vendasve në minutën e 27-të kur një ndërhyrje e Veliut cilësohet e parregullt. Por Ujkani tregon aftësitë e tij duke pritur penalltinë e Dvalishvilit dhe tentativën e dytë të Martsvaladze.

Pjesa e parë mbyllet me një epërsi të dukshme në lojë për kombëtaren tonë por pjesa e dytë fillon si mos më keq. Agolli gabon dy herë radhazi dhe i fal topin kundërshtarëve, ndërsa Kobakidze “falënderon” duke e dërguar sferën pas krahëve të Ujkanit.

Që nga ky moment, në fushë është vetëm Gjeorgjia që nxjerr në pah të gjitha gabimet e kombëtares tonë, duke e vënë në presion të vazhdueshëm mbrojtjen kuqezi dhe duke tentuar disa herë të kalojë Ujkanin.

Në minutat e fundit të ndeshjes, kur përfaqësuesja jonë po shihte gjithnjë e më shumë drejt portës kundërshtare duke arritur të çlirohej nga presoni i vendasve, mendon përsëri gjyqtari i takimit t’i japë një ndihmë vendasve duke akordua një 11-metërsh absurd kundër një largimi topi të Zeqirit.

Ujkani vesh sërish petkun e “superheroit” duke pritur një tjetër penallti, por pas tre gjuajtjes në vazhdim të kundërshtarëve, topi i gjuajtur nga Amisulashvili përfundon në rrjetë, ndërsa gjyqtari injoron faktin që sfera preket me dorë dhe në pozicion jashtë loje nga një prej futbollistëve gjeorgjianë.

Sfida mbyllet mes protestave të kuqezinjve ndaj gjyqtarit i cili rrethohet nga forcat e policisë në stadiumin gjeorgjian, duke treguar se kjo ndeshje kishte humbur krejtësisht kuptimin e fjalës “miqësore”.

Gjithashtu lexo

Tifozët shqiptarë nga Tetova pushtojnë rrugët e Milanos, çfarë po ndodh para ndeshjes? (VIDEO)

Grupimi i tifozëve të Shkëndijes, “Ballistët” që shquhen edhe si një nga tifozeritë më të …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *