Home / Sport / Zyrtare: Policia shtyn kampionatin maqedonas

Zyrtare: Policia shtyn kampionatin maqedonas

Kampionati maqedonas i futbollit është shtyrë për një datë të pacaktuar. Vendimi është marrë pas tensioneve të javëve të fundit në Maqedoni mes shqiptarëve dhe sllavëve, si dhe frikës së Ministrisë së Brendshme maqedonase për incidente në stadiumet e zonës së Tetovës.

Ka qenë pikërisht Ministria e Brendshme ajo që ka vënë veton, siç është konfirmuar edhe nga Federata Maqedonase. “Pas konsultimeve me Ministrinë e Brendshme vendosëm të pezullonim pa afat Kategorinë e Parë dhe të Dytë derisa të ulet tensioni në zonën e Tetovës”, tha sekretari i FFM, Igor Klimper. “Sipas rregullores, një raund ndeshjesh duhet të përfundojë para se të fillojë tjetri e si rrjedhojë na u desh të shtynim të gjithë kampionatin”, tha ai.

Ndeshja që ka shkaktuar kaosin është pikërisht ajo mes Shkëndija Tetovë dhe Vardar Shkup. Sipas Ministrisë së Brendshme, tifozët shqiptarë të Shkëndisë paraqesin rrezik e në bashkëpunim me Federatën Maqedonase, u dha fillimisht urdhri që kjo ndeshje të luhej në një fushë asnjanëse, bashkë me ndeshjen Teteks-Napredok. Por stadiumet e zgjedhura nga skuadrat me predominancë shqiptare u cilësuan të pasigurta nga policia, e cila më pas udhëzoi edhe pezullimin e kampionatit në një situatë të tensionuar.

“Ministria e Brendshme i ka rekomanduar FFM-së të pezullojë kampionatin për shkak të rreziqeve dhe pasojave të rënda nga incidente të mundshme që mund të shpërthejnë”, ishte komunikata që iu shpërnda mediave nga institucioni policor në natën e të mërkurës.

Ndërkohë, tifozët e skuadrave shqiptare vazhdojnë të akuzojnë ashpër Federatën Maqedonase të Futbollit, e cila sipas tyre e ka krijuar të gjithë këtë atmosferë të turpshme për të mbështetur Vardarin, Ata akuzojnë FFM se po bën maksimumin që ky ekip të fitojë titullin kampion, duke penalizuar në të gjitha mënyrat Shkëndinë e Tetovës që është rivali më i fortë i ekipit kryeqytetas.

Gjithashtu lexo

Tifozët shqiptarë nga Tetova pushtojnë rrugët e Milanos, çfarë po ndodh para ndeshjes? (VIDEO)

Grupimi i tifozëve të Shkëndijes, “Ballistët” që shquhen edhe si një nga tifozeritë më të …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *