Home / Sport / Adios Barca, Çelsi shkon në finale

Adios Barca, Çelsi shkon në finale

Çelsi është finalistja e parë e Ligës së Kampioneve, pasi ka eliminuar në gjysmëfinale skuadrën e Barcelonës, mbajtëse në fuqi e trofeut. Ekipi anglez i ka kthyer reston katalanasve që i eliminuan 3 vite më parë në këtë fazë të turneut, ndërsa i kanë mbijetuar edhe kartonit të kuq të pakuptimte të Xhon Territ që në pjesën e parë.

Ndeshja, ashtu siç pritej, ishte tërësisht në dorën e Barcelonës, ndërsa Di Mateo konfirmon plotësisht parashikimet duke përdorur skemën “parkim autobusi”, ku vetëm Drogba ka lejen të kalojë në gjysmëfushën tjetër. Si rrjedhojë, është Barça që provon në të gjitha mënyrat të gjejë rrugën e rrjetës dhe ia del manë në minutën e 35-të të ndeshjes, kur Buskets dërgon në portë një pasim të saktë të Kuenka. Vetëm 2 minuta më vonë, Xhon Terri bën një idiotësi pasi vështirëson punët e ekipit të tij, duke u ndëshkuar me karton të kuq pas një goditje të pashpjegueshme me gju larg lojës ndaj Aleksis Sançez. Barcelona përfiton nga pasiguria e londinezëve dhe shënon golin e dytë me Andres Iniestën që gjen rrugën e rrjetës pas një pasimi të shkëlqyer të Mesit.
Por kur pritej përfundimi i pjesës së parë, Ramires arrin të shënojë në kundërsulm në minutën e parë shtesë, falë një goditje spektakolare që kalon mbi portierin Valdes dhe ndalet në rrjetë. Falë fitores minimale 1-0 në sfidën e parë, ky gol është i artë për skuadrën e Di Mateos, që kthehet edhe më shumë në mbrojtje, duke rreshtuar tashmë 7 lojtarë brenda zonës së rreptësisë.
Barça ka mundësinë të shënojë përsëri , pasi në minutën e 49-të, Fabregas fiton 11-metërsh pas faullit të Drogba, i kthyer në një mbrojtës të mirëfilltë. Por rregulli i pashkruar i futbollit thotë që në këto rase vendimtare, lojtari më i mirë i humbet gjithmonë gjuajtjet nga pika e bardhë. Mesi e respekton këtë traditë, duke goditur traversën dhe duke mos i dhënë mundësinë ekipit të shënojë një gol që do ta çonte para në turne.
Barcelona provon në të gjitha mënyrat të shënojë, ndërsa Buskets e dërgon topin shumë mbi traversë nga një pozicion i favorshëm. Më pas, Mesi tregon se nuk është nata e tij, pasi godet shtyllën në minutën e 82-të.
Si për ironi të fatit, katalanasit nuk mund t’i gëzohen as të paktën një fitoreje në këtë sfidë, pasi në minutën e 92-të, Fernando Torres shënon golin e dytë për anglezët duke shfrytëzuar faktin që e gjithë skuadra e Barcelonës ishte në portën kundërshtare.
Me këtë rezultat, Çelsi vulos praninë e dytë në finalen e Ligës së Kampioneve, ku do të jetë pa tre lojtarë kryesore si Terri, Ramires e Meireles, të cilët janë të pezulluar për shkak kartonësh.

Gjithashtu lexo

Ylli i Shkëndijës: Nuk kemi çfarë të humbasim ndaj Milanit

Ardian Cuculi ka thënë se Shkëndija do të tentojë të bëjë lojën e saj dhe …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *