Home / Lajme / Rajon / Autoritetet e Kosovës kërkojnë pa kusht të lirohen policët koosvarë

Autoritetet e Kosovës kërkojnë pa kusht të lirohen policët koosvarë

1 prill-Zyra e presidentes Jahjaga kërkon nga Republika e Serbisë që të respektojë marrëveshjet e arritura me Republikën e Kosovës në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja dhe t’i zbatojë ato pa vonesë. Ajo i bën thirrje autoriteteve ndërkombëtare që të kërkojnë nga Republika e Serbisë, që të respektojë integritetin territorial dhe sovranitetin e Republikës së Kosovës dhe të respektojë ligjet e normat ndërkombëtare për kufijtë ndërshtetëror dhe ndërkombëtarë

Qeveria e Republikës së Kosovës dënon ashpër arrestimin e dy policëve të Kosovës nga ana e organeve ta Serbisë, që ndodhi ditën e djeshme në zonën kufitare në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Qeveria e Republikës së Kosovës vlerëson se ky është një akt qyqar i Qeverisë së Serbisë, është në kundërshtim me vlerat evropiane të fqinjësisë së mirë, kundër bashkëpunimit rajonal dhe cenon rëndë marrëveshjet e arritura në mes të Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ky akt cenon rëndë raportet në mes të dy shteteve të pavarura, Kosovës dhe Serbisë.

Qeveria kosovare ju bënë ftesë të gjitha institucioneve ndërkombëtare, para së gjithash Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës që të ndërmarrin hapat e domosdoshëm, për të ndikuar te Beogradi zyrtar, për t’i ndalur këto veprime arbitrare dhe të kundërligjshme.

Qeveria e Republikës së Kosovës kërkon nga qeveria e Serbisë që menjëherë dhe pa kushte, të bëjë lirimin e policëve kosovarë.

Është deklaruar edhe Zyra e Presidentes së Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga pas arrestimit të dy pjesëtarëve të Policisë së Kosovës.

Në një deklaratë me shkrim thuhet se Zyra e Presidentes së Republikës së Kosovës dënon arrestimin e dy pjesëtarëve të Policisë së Kosovës nga Policia e Republikës së Serbisë, në vendkalimin kufitar ndërmjet dy vendeve në Merdare, dhe e cilëson akt të papranueshëm dhe sulm mbi institucionin profesional policor.

Arrestimi i pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, në detyrë, është sulm mbi integritetin institucional e territorial të Republikës së Kosovës. Arrestimet e shpeshtuara të qytetarëve të Republikës së Kosovës, nga autoritetet e Republikës së Serbisë, nuk kontribuojnë në vendosjen e marrëdhënieve të mira ndërmjet dy vendeve.

Shkelja e të drejtave të njeriut të qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe posaçërisht cenimi i integritetit të institucioneve profesionale të Republikës së Kosovës, është akt i dënueshëm dhe i patolerueshëm.

Zyra e Presidentes së Republikës së Kosovës kërkon nga autoritetet e Republikës së Serbisë që të heqin dorë nga këto provokime dhe veprime arbitrare ndaj qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe institucioneve të saj dhe të lirojnë të gjithë ata që janë arrestuar pa arsye.

Zyra e presidentes Jahjaga kërkon nga Republika e Serbisë që të respektojë marrëveshjet e arritura me Republikën e Kosovës në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja dhe t’i zbatojë ato pa vonesë. Ajo i bën thirrje autoriteteve ndërkombëtare që të kërkojnë nga Republika e Serbisë, që të respektojë integritetin territorial dhe sovranitetin e Republikës së Kosovës dhe të respektojë ligjet e normat ndërkombëtare për kufijtë ndërshtetëror dhe ndërkombëtarë.

Kryekuvendari i Kosovës, Jakup Krasniqi, me rastin e arrestimit të dy pjesëtarëve të Policisë së Kosovës ka deklaruar se arrestimi i dy pjesëtarëve të Policisë së Kosovës nga ana e Policisë së Republikës së Serbisë është një akt i paskrupullt dhe provokues. Me këtë veprim krejtësisht të papranueshëm Policia e Serbisë atakon në mënyrë të pashembullt integritetin e Kosovës dhe acaron edhe më marrëdhëniet ndërmjet dy shteteve. Këto dhe arrestimet e tjera të qytetarëve të Kosovës kurrsesi nuk i kontribuojnë ruajtjes së stabilitetit në mes dy shteteve dhe rajonit. Është koha që veprime të këtilla të pamatura e të dëmshme të ndërpriten, dhe njëherësh dy policët të lirohen menjëherë, theksohet në deklaratën e kryekuvendarit Krasniqi me rastin e arrestimit të dy pjesëtarëve të Policisë së Kosovës.

Organizatat e dalura nga Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dënojnë ashpër arrestimin e dy policëve të Kosovës nga ana e Serbisë, ndërsa kërkojnë nga spektri politik shqiptar, të jetë i matur dhe të angazhohet bashkërisht në tejkalimin e situates, e jo të bëj lojëra fjalësh, për të krijuar situata që do t’i shkojnë për shtati vetëm Serbisë dhe politikës së saj dinake e armiqësore.
“Ne nuk jemi të befasuar nga këto gjëra që i bën Serbia sepse ajo ka qenë, është dhe siç po shihet, do të mbetet edhe për një kohë të gjatë, shtet kriminal. Serbia ende iu ka borxh shqiptarëve tokat që i mban nën okuptim. Përcaktimi i organizatave të dalura nga Lufta e UÇK-së do të jetë gjithnjë i orientuar drejt bashkimit të shqiptarëve në një shtet.
Kërkojmë nga përgjegjësitë e sigurisë, KFOR-i dhe Qeveria, që të rrisin kapacitetet e veprimit në pikat kufitare, me qëllim që ato të jenë sa më funksionale dhe të mos lejohen në asnjë mënyrë veprime të tilla poshtëruese.
Kërkojmë nga spektri politik shqiptar, të jetë i matur dhe të angazhohet bashkërisht në tejkalimin e situates, e jo të bëj lojëra fjalësh, për të krijuar situata që do t’i shkojnë për shtati vetëm Serbisë dhe politikës së saj dinake e armiqësore.
Duke qenë në gadishmëri gjithëherë për mbrojtjen e interesave kombëtare, ne shpresojmë se policët do të lirohen dhe urojmë që incidente të tilla të mos përsëriten”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga Organizatat e dalura nga Lufta e UÇK-së.
Përmes një deklarate aktin e rrëmbimit të policëve kosovarë e ka dënuar edhe Ministria e Jashtme e Shqipërisë. “Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Shqipërisë dënon me forcë aktin e ulët të rrëmbimit të dy policëve të Republikës së Kosovës”, thuhet në deklaratë. “Ne vlerësojmë se akte të tilla kriminale, të motivuara nga struktura e mentalitete të vjetra e arkaike, nuk i shërbejnë aspak frymës së re të bashkëpunimit e fqinjësisë së mirë në rajon mes vendeve që aspirojnë të anëtarësohen në Bashkimin Evropian”, thuhet në deklaratë.

Ministria e Jashtme Shqiptare kërkon nga autoritetet përgjegjëse në Beograd të kthejnë në vendin e tyre policët e Republikës së Kosovës dhe të heqin dorë nga përsëritja e akteve të tilla në të ardhmen. Aleanca Kuq e Zi, gjithashtu reagoi për ngjarjen e ndodhur në Merdarë, duke dënuar nëpërmjet një deklarate incidentin.

Sipas AK-së, “Beogradi është duke kërkuar konflikt dhe po provokon shqiptarët duke i ndaluar në kufi”. Aleanca Kuq e Zi i bëri thirrje shtetit shqiptar dhe atij kosovar që t’i përgjigjen këtyre provokimeve të ashpra me vendosmëri.

Gjithashtu lexo

Bashkimi emocional pas 3 vjetësh, i fëmijës së rrëmbyer nga ISIS, me familjen e tij (Video)

Një djalë 12-vjeçar jazidi është bashkuar me nënën e tij në Kanada tre vjet pasi …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *