Home / Sport / Barca-Milan, 3-1 mes polemikave

Barca-Milan, 3-1 mes polemikave

Barcelona kalon në gjysmëfinalen e Ligës së Kampioneve për të pestin edicion radhazi duke mundur Milanin 3-1 dhe eliminuar kuqezinjtë. Por në këtë kualifikim do të kujtohet gjatë fakti se gjyqtari holandez Kuijpers ka dhënë dy penallti për katalanasit, ku e dyta ishte për një faull që ndodh në zonë sa herë që ka goditje këndi, por që zakonisht nuk ndëshkohet.

Fillimi i ndeshjes ka qenë i tëri për katalanasit që kanë sulmuar duke kërkuar sa më shpejt një gol. Mesi humb një rast të artë që në minutat e para, kur shfaqet i vetëm para Abiatit por nuk arrin të dërgojë topin në rrjetë në mënyrë të pabesueshme. Argjentinasi shlyen gabimin në minutën e 11-të kur transformon në gol një penallti të fituar falë një ndërhyrje të parregullt në zonë ndaj tij të Antoninit.
Barça qetësohet dhe ul ritmin, por duke mbajtur gjithmonë kontrollin e lojës. Por në rastin e parë të vërtetë, Milani arrin të gjejë golin e barazimit me të zakonshmin Noçerino, që përfiton nga një pasim i Ibrahimoviç për të mposhtur Valdez dhe për të vendosur qetësinë në “Kamp Nou”.
Kjo sfidë e ethshme prishet disi nga vendimi për një penallti të dytë të akorduar nga gjyqtari Kuijpers në minutën e 40-të, për një mbajtje të Nestës ndaj Buskets, një faull që shihet me dhjetëra herë në çdo ndeshje kur ka goditje nga këndi. Pavarësisht protestave të kuqezinjve, Mesi shkon te pika e bardhë dhe mposht përsëri Abiatin, duke çuar në 14 numrin e golave të shënuar në këtë edicion të Ligës së Kampioneve.
Ëndrrat e kuqezinjve për një përmbysje shuhen praktikisht në minutën e 53-të, kur topi përfundon ë këmbët e Iniestës i cili nuk e ka problem të shënojë golin e tretë për skuadrën e tij. Që nga ai moment, ritmi i ndeshjes ulet, me katalanasit që kursejnë energji pa harruar të thumbojnë herë pas here, ndërsa duket se Milan nuk ka forcën e duhur për të reaguar më në këtë ndeshje falë edhe gjendjes jo perfekte fizike të disa lojtarëve.
Përfundon 3-1, me Barcelonën që pret tashmë të mësojë se kush mes Çelsit dhe Benfikës do të jetë kundërshtari i saj në gjysmëfinalet e Ligës së Kampioneve.

Bajern bën detyrën me Marsejën

Bajern Mynih ka treguar se e ka seriozisht dhe se këtë vit është pretendent për të fituar Ligën e Kampioneve, ashtu siç është në garë edhe për Kampionatin dhe Kupën e Gjermanisë. Pas fitores 2-0 në ndeshjen e parë në Francë ndaj Olimpikut të Marsejës, bavarezët kanë përsëritur të njëjtin rezultat edhe në shtëpi, duke zhvilluar një lojë spektakolare dhe duke dominuar që nga minuta e parë në të fundit, ndonëse trajneri Heinkes kishte lënë pushim Gomez, Roben e Shvajnshtajger. Ekipit gjerman i mjafton një paraqitje spektakolare e Frenk Riberi dhe e Ivica Oliç, me të parin që ndërton aksione dhe të dytin që finalizon në mënyrë perfekte. Kroati shënon dy herë në portën e Mandanda, në minutat 13 dhe 37, për të treguar se nuk ka humbur nuhatjen para porte, ndonëse ka shumë kohë që ngroh stolin.
Pjesa tjetër e ndeshjes është një dialog i Riberi me Mandanda, ku portieri i ekipit francez tregohet heroik duke evituar gola të sigurt në katërkëndorin e tij.
Mbyllet 2-0 mes duartrokitjeve të publikut vendas që pret me padurim sfidën ndaj Real Madrid, me shpresën që të eliminojë spanjollët dhe të luajë për herë të parë një finale të Ligës së Kampioneve në shtëpi.

Gjithashtu lexo

Osmani: Bëmë gabime në mbrojtje, do të ndryshojmë në lojën e ardhshme

Trajneri i Shkëndijës së Tetovës, Qatip Osmani nuk e ka përjetuar mirë humbjen nga Milani. …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *