Home / Lajme / Maqedoni / Bejta i gatshëm për mejdan në Gostivar

Bejta i gatshëm për mejdan në Gostivar

“Nëse kërkesa e qytetarëve do të jetë masovike, atëherë unë nuk mund të jem kundër vullnetit të qytetarëve. Jam shumë i përgatitur në aspektin shpirtëror që ta çmoj demokracinë dhe nuk e mohoj dëshirën e qytetarëve nëse ato dëshirojnë që unë të rikthehem në krye të komunës dhe të sakrifikojë vetveten time”, deklaroi Bejta në Vrapçishtë

Nevzat Bejta, ministër aktual i Pushtetit Lokal, nuk përjashton mundësinë e kandidimit të serishëm për kryetar Komune në Gostivar. Ai ka thënë se nëse këtë e kërkojnë qytetarët e Gostivarit dhe strukturat e partisë, sërish do të dalë në “mejdan” gjatë zgjedhjeve lokale të vitit të ardhshëm. Bejta këto komente i ka bërë të mërkurën gjatë qëndrimit në Komunën e Vrapçishtit, pas një takimi me kryetarin e kësaj komune, Bajram Kadrija. “Këtë pyetje e parashtrojnë edhe qytetarët. Por për t’u rikandiduar për kryetar komune, është përgjegjësi e madhe për shkak se duhet të punosh dhe t’i plotësosh kërkesat e qytetarëve. Unë kam thënë se secili mund të bëhet qeveritar i çfarëdo qeverisje dhe ministër, por secili nuk mund të bëhet kryetar i komunës. Kur del dhe kandidohesh për kryetar komune, ti del dhe e prezanton programin që do ta realizosh, qytetarët i shohin dhe presin që të realizohen. Është përgjegjësi e madhe, ajo nuk varet nga unë, por nga kërkesat e qytetarëve, nga dëshira e qytetarëve, nga kërkesa e strukturave partiake dhe nga organi më i lartë i Bashkimit Demokratik për Integrim – Kryesia Qendrore”, ka thënë Bejta. Por, ka vazhduar më tej ai, barometri kryesor për të dhënë vlerësim për punën e kryetarëve janë qytetarët. “Nëse kërkesa e qytetarëve do të jetë masovike, atëherë unë nuk mund të jem kundër vullnetit të qytetarëve. Jam shumë i përgatitur në aspektin shpirtëror që ta çmoj demokracinë dhe nuk e mohoj dëshirën e qytetarëve nëse ato dëshirojnë që unë të rikthehem në krye të komunës dhe të sakrifikojë vetveten time”, deklaroi ministri i Vetëqeverisjes Lokale, Nevzat Bejta. Ndërkohë që gjatë qëndrimit në Komunën e Vrapçishtit, ministri Bejta ka bërë të ditur se ka kaluar në qeveri vendimi për pavarësimin e shkollës së mesme në këtë komunë nga shkollat e mesme të Gostivarit.
“Kryetari i Komunës ka bërë kërkesë te Ministria e Arsimit që shkolla e mesme e Komunës së Vrapçishtit të pavarësohet nga shkolla e mesme e qytetit të Gostivarit që të mos ketë keqpërdorim politik, sepse në arsim nuk ka politik. Propozimin që e ka bërë kryetari i komunës në ministrinë e Arsimit, ministri e nxori në qeveri dhe qeveria solli vendim që Vrapçishta ta ketë shkollën e mesme të pavarur dhe besoj se Komuna do të fillojë me shkollën e parë të mesme në suaza të kësaj komune. Besoj që me mjetet e komunës dhe me mjetet nga bllok-dotacionet, do t’u krijojmë kushte më të mira nxënësve të Komunës së Vrapçishtit”, tha Bejta. Sipas informacioneve jozyrtare, me themelimin e shkollës së mesme në Vrapçisht, do të ketë rreth diku 1500 nxënës që do të ndjekin mësimin në këtë komunë duk mos udhëtuar deri në Gostivar. Kryetari i Komunës së Vrapçishtit është ankuar se një pjesë e TVSH-së që destinohet për komunat, nuk i është ndarë kësaj komune. “Ne si komuna jemi të lidhura me këtë ministri. Ministria e Vetëqeverisjes Lokale është direkt linku jonë me qeverinë dhe me të gjitha ministritë tjera. Shprehëm disa nga nevojat, të cilat i kemi si komunë rurale. Si kërkesë që ia përcollëm ministrit, është vonesa e të hyrave të TVSH-së në komuna, poashtu mungesa e një kësti të TVSH-së nga viti 2011, që ne edhe zyrtarisht përmes BNJVL-së ja kemi bërë qeverisë”, tha Kadrija. U.H./KOHA

Gjithashtu lexo

Përfaqësimi në ARM, reagon Lëvizja Besa – (FOTO & VIDEO)

Lëvizja BESA reagon ndaj deklarimeve të zëvendës ministrit të Mbrojtjes, Bekim Maksuti i cili shprehu …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *