Home / Sport / CR7 heq qafe Atletikon

CR7 heq qafe Atletikon

Kristiano Ronaldo ka udhëhequr Real Madrid drejt një suksesi shumë të rëndësishëm në derbin ndaj Atletikos, të fituar me rezultatin 4-1. Portugezi ka qenë protagonisti absolut i mbrëmjes me 3 golat e tij dhe pasimin e dhënë për Kajehon që ka shënuar golin e katërt.

Ndeshja ka qenë mjaft e luftuar në pjesën e parë dhe diferencën për Realin e ka bërë vetëm një goditje dënimi direkte e Kristiano Ronaldos në minutën e 25-të, ndaj të cilës portieri Kurtua as nuk provon të hidhet për ta devijuar.

Por në fillimin e pjesës së dytë, Atletiko arrin të gjejë golin e barazimit me anë të Falkaos, që shënon me kokë ndonëse i rrethuar nga fanellat e mbrojtjes së Realit. Por pikërisht ky gol bën që Reali të zgjohet dhe të mbyllë ndeshjen.

CR7 shënon një supergol në minutën e 68-të, falë edhe një dhurate të portierit kundërshtar që del më shumë se duhet nga porta dhe i lejon portugezit ta dërgojë topin mbi të. Futbollisti i Realit shënon edhe golin e tij të tretë personal në këtë sfidë në minutën e 83-të pas një 11-metërshi të fituar nga Higuain, ndërsa i jep pasmin Kajehon në minutën e 88-të, që ky i fundit të shënojë golin e fitores përfundimtare 4-1.

Si rrjedhojë, Reali ka hequr pa probleme një nga ndeshjet më të komplikuara që i mbeteshin në kalendar dhe ka çuar përsëri në katër pikë diferencën nga Barcelona. Ndërsa Atletiko vazhdon me paraqitjet zhgënjyese në derbi, ku nuk fiton prej 12 vitesh.
Rezultatet

Granada-Atletik Bilbao 2-2
Sporting Gijon-Levante 3-2
Valencia-Rajo Vajekano 4-1
Atletiko Madrid-Real Madrid 1-4

Renditja
Real Madrid 82, Barcelona 78, Valencia 52, Malaga 50, Levante 48, Osasuna 46, Atletiko Madrid 42, Sevilja 42, Espanjol 42, Getafe 42, Atletik Bilbao 42, Rajo Vajekano 40, Betis 39, Real Sociedad 38, Majorka 37, Granada 36, Vijareal 32, Saragoza 28, Sporting Gijon 28, Racing Santander 25.

Gjithashtu lexo

Ylli i Shkëndijës: Nuk kemi çfarë të humbasim ndaj Milanit

Ardian Cuculi ka thënë se Shkëndija do të tentojë të bëjë lojën e saj dhe …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *