Home / Lajme / Maqedoni / Edhe femrat mund të jenë të suksesshme

Edhe femrat mund të jenë të suksesshme

4 prill-Pengesa kryesore që gratë të mos futen në sektorin e biznesit është pikërisht mosbesimi që ato kanë në veten e tyre dhe si duket kjo i shtyn që të shkojnë një hap mbrapa, prandaj unë mendoj se nuk është problemi te ligjet apo politikat për t’u futur në biznes, por te vetëbesimi që duhet ta kenë gratë për të bërë një gjë të tillë

Ka ardhur në Maqedoni nga SHBA-të për të sjellë përvojën e saj në një segment shumë të vështirë dhe pak të prekshëm deri më tani. Bëhet fjalë për drejtoreshën e Kompanisë amerikane “Vomenable”, Julie R.Weeks, e cila arriti që ta udhëheq këtë kompani me shumë sukses. “Vomenable” është një kompani shoqërore fitimprurëse, e cila punon me qëllim që të mundësojë përfshirjen e grave në ndërmarrësi në tërë botën, duke i përmirësuar sistemet – ligjet, politikat, programet dhe dijet e bazuara në hulumtime – të cilat mbështesin ndërmarrësinë kreative të grave. Gjatë qëndrimit të saj në Këndin Amerikan në Tetovë, ku ajo zhvilloi një ligjëratë dhe një bashkëbisedim me komunitetin e grave, zhvilluam një bisedë rreth përfaqësimit të femrës në sektorin e biznesit. Ndonëse në Maqedoni nuk ka statistika rreth pjesëmarrjes së femrës në biznes, zonja Julie ndan mendimin se për përfaqësimin e vogël në këtë drejtim nuk kanë faj sistemet ligjore, por rrethanat dhe paragjykimet që ekzistojnë në shoqëri se një femër mund të jetë e suksesshme në biznes. Ajo gjithashtu flet edhe për eksperiencat e saja gjatë ngritjes në karrierë, duke vlerësuar se hyrja në biznes për atë ka qenë shumë e lehtë. “Pengesa kryesore që gratë të mos futen në sektorin e biznesit është pikërisht mosbesimi që ato kanë në veten e tyre dhe si duket kjo i shtyn që të shkojnë një hap mbrapa, prandaj unë mendoj se nuk është problemi te ligjet apo politikat për t’u futur në biznes, por te vetëbesimi që duhet ta kenë gratë për të bërë një gjë të tillë”, thotë në fillim të bisedës së saj drejtoresha e Kompanisë amerikane “Vomenable”, Julie Weeks. Madje, ajo vetë nuk ka hasur në ndonjë pengesë e cila do të ishte trajtuar si pengesë zyrtare, edhe pse gjithmonë ka qenë e vetëdijshme se pengesat jozyrtare kanë ekzistuar, të cilët ajo i cilëson si sociale, shoqërore, që i ka krijuar vetë shoqëria ku ajo ka jetuar. Qëllimi i vizitës së saj këtu në Maqedoni është që të përcjellë mesazh se gratë duhet të tejkalojnë vetveten dhe të fillojnë të kyçen në biznes, por gjithnjë ajo rekomandon që iniciativa të jetë e tyre dhe të mos presin ftesa. “Unë do të fokusohem pikërisht në sfidat që gratë i hasin gjatë punës së tyre dhe do të sqaroj se si këto sfida janë të njëjta në gjithë botën, mirëpo qëllimi është që takohem edhe komunitetin e grave që t’u tregoj se sa të fuqishme janë gratë amerikane që janë të përfshira tashmë në biznes dhe do t’i stimuloj ato se përmes krijimit të këtyre biznes shoqatave, edhe ato mund të jenë po aq të fuqishme në sektorin e biznesit. Do të kisha dashur që t’i këshilloj gratë këtu në Maqedoni, që të mos presin gjithmonë ftesën që dikush t’i ftojë të fillojnë biznes, por të aktivizohen vetë dhe këtë ta bëjnë në bazë të aftësive të tyre. Unë kam shumë besim se posedojnë aftësi, por edhe ekzistojnë mundësi në vendin tuaj për të bërë biznes, prandaj do t’i kisha këshilluar që të ndjekin ëndrrat që kanë dhe të realizojnë qëllimet e tyre. Unë mendoj se nëse gratë më shumë bashkohen, ato mund të arrijnë më shumë në sektorin e biznesit, në aspektin e krijimit të shoqatave të tyre qofshin biznesi apo tjera dhe në këtë mënyrë të ngrenë vetëdijen se ato mund të bëjnë biznes”, thotë zonja Julie.
Në fund ajo shprehet se ka njohuri se gratë në Maqedoni në institucionin më të lartë ligjvënës dhe në këshillat komunale përfaqësohen 30 për qind që është një avancim i madh pasi që, sipas saj, në Kongresin Amerikan gratë përfaqësohen vetëm me 14 për qind. Por, ajo ndan mendimin se nuk është vetëm politika ajo që i bën njerëzit të fuqishëm, ngase në SHBA shumica e grave fuqinë e kanë arritur pikërisht duke patur suksesi në biznes.

Gjithashtu lexo

Përfaqësimi në ARM, reagon Lëvizja Besa – (FOTO & VIDEO)

Lëvizja BESA reagon ndaj deklarimeve të zëvendës ministrit të Mbrojtjes, Bekim Maksuti i cili shprehu …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *