Home / Lajme / Maqedoni / Jo viza për kosovarët, por leje qëndrimi

Jo viza për kosovarët, por leje qëndrimi

22 prill-
Megjithëse mediat në Prishtinë kanë njoftuar për vendosje të mundshme të vizave nga ana e Maqedonisë për qytetarët e Kosovës, MPB sqaron se bëhet fjalë për vërtetim të leje qëndrimit, që shtetasit e Kosovës duhet ta marrin në Ambasadën e Maqedonisë në Prishtinë

Maqedonia vendos viza për qytetarët e Kosovës apo vetëm kërkohen dokumente shtesë për qëndrim të shtetasve të huaj në bazë të ligjeve aktuale në vend. Gati se një javë qytetarëve, studentëve dhe punëtorëve të ndryshëm nga shteti fqinj, të cilët udhëtojnë në vendin Maqedoni, u kërkohet që të rregullojnë lejen e qëndrimit. Dhe në fakt kështu ka ndodhur. Të enjten në mëngjes disa studentëve, nxënësve dhe punëtorëve nga Kosova në vendkalimin kufitar Jazhincë nuk u është lejuar hyrja në Maqedoni. Autoritetet vendore të Maqedonisë kanë mohuar se bëhet fjalë për vendosje të regjimit të vizave, por vetëm se kërkohet dokument nga udhëtarët se ku do të qëndrojnë dhe të tregojnë qëllimin e qëndrimit. TV Koha arriti që të kontaktojë një nxënës të Shkollës së Mesme të Mjekësisë, i cili në kushte anonimiteti përmes telefonit ka konfirmuar se nxënësit që kanë udhëtuar të enjten në mëngjes për në Tetovë, kanë pasur probleme në kufi, ku edhe disa janë kthyer, ndërsa ata që kanë udhëtuar në mesditë nuk kanë pasur problem por u është rekomanduar që të rregullojnë qëndrimin në Ambasadën e Maqedonisë në Prishtinë. “Sot në mëngjes nuk i kanë lejuar të hyjnë disa nxënës të Kosovës në Maqedoni. Edhe më herët na kanë thënë që të konsultohemi me Ambasadën e Maqedonisë në Kosovë. Neve sot që vijmë në mesditë na kanë lejuar, kurse nesër nuk dimë se a do të na lejojnë. Nga Kosova jemi diku rreth 30 nxënës që çdo ditë udhëtojmë, kurse afër 10 janë që rijnë tek të afërmit e tyre në Tetovë”, thotë nxënësi nga Kosova që mëson në Shkollën e Mjekësisë në Tetovë. Ndërsa, nga Shkolla e Mjekësisë kanë thënë se në fillim të çdo viti kërkohet nga MPB që të paraqiten nxënësit të cilët mësojnë nga jashtë dhe të njejtit të marrin leje qëndrimi. “Edhe këtë vit kemi shkresë të këtillë dhe disa nga nxënësit që nuk e kanë rregulluar këtë, kanë marrë urdhër që sa më shpejtë ta rregullojnë qëndrimin në Maqedoni”, tha sekretaresha e shkollës së Mjekësisë Gëzime Shabani.
Kthimin e shtetasve të Kosovës në vendkalimin kufitar Jazhincë e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Brendshme, Ivo Kotevski. Ai tha se nuk bëhet fjalë për vendosje të regjimit të vizave ndaj Kosovës, por ka theksuar se nga kalimtarët kërkohet që të rregullojnë qëndrimin në Maqedoni. “Po është e vërtetë se janë kthyer studentë. Bëhet fjalë për student të cilët mësojnë në Universitetet e Shtetëror Tetovës, të cilëve që moti u është kërkuar që të rregullojnë dokumente me të cilët do të tregojnë arsyen e hyrjes dhe qëndrimit në Maqedoni. Ka pasur problem edhe javën e kaluar, me studentë që mësojnë në universitetet e Tetovës, të cilët në kundërshtim me Ligjin për të huaj, në Maqedoni nuk e kanë pasur të rregulluar lejen e qëndrimit dhe të njejtit kthehen sërish në vendin e tyre. Atyre që moti u është thënë se do të duhet që shkojnë në Ambasadën e Maqedonisë në Kosovë, ta paraqesin qëndrimin në Maqedoni. Nuk bëhet fjalë për viza ndaj shtetasve të Kosovës”, deklaroi Ivo Kotevski. Ambasadori i Kosovës në Maqedoni Skender Durmishi, thotë se është në koordinim dhe kontakt të vazhdueshëm me autoritetet në lidhje me rregullat e reja të kalimit të kufirit dhe lejeqëndrimit në Maqedoni.

Gjithashtu lexo

Lumi në Poroj të Tetovës ende mbetet pezull, banorët bllokojnë rrugën Tetovë-Jazhincë

Banorët e fshatit Poroj, sot (18 gusht), prej ora 14:00 e kanë bllokuar rrugën rajonale …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *