Home / Sport / LPFM, java e 26-të – Favoritët barazonë me autsajderët

LPFM, java e 26-të – Favoritët barazonë me autsajderët

Skuadrat favorite në kuadër të javës së 26-të në Ligën e Parë të futbollit në vend, nuk arritën të marrin fitore përballë ekipeve që luftojnë për mbijetesë. Vardari u ndal 0:0 me Teteksin, ndërsa Shkëndija dhe Metalurgu barazuan 1:1 me 11 Oktomvrin, gjegjësisht Horizont Turnovën. Renova humbi 3:1 nga Rabotnicki.

Fundjavën që lëmë pas në Ligën e Parë të futbollit në vend u zhvilluan ndeshjet e javës së 26-të, në të cilën si kuriozitet është fakti se tre skuadrat e para në renditje nuk arritën të marrin fitore në duelet me ekipe që luftojnë për mbijetesë. Kampionia në fuqi Shkëndija, pas tre fitoreve të njëpasnjëshme është ndalur me barazimin 1:1 në vizitën te skuadra e fundit në renditje, 11 Oktomvri. ‘Kuqezinjtë’ që në këtë ndeshje u paraqitën me fanella të bardha ishin skuadra më e mirë në këtë përballje, mirëpo mos-efikasiteti para portës kundërshtare bëri që në fund të shpëtohet një pikë. Vendasit avansuan në minutën e 35-të kur Geshovski shfrytëzoi një mundësi para portës së Shkëndijës. Tetovarët kishin disa tentime për të barazuar, mirëpo Taipi, Mustafi dhe Selmani nuk realizuan mundësitë e krijuara, ndërsa në anën tjetër Jovanovski shpëtoi Shkëndijën nga pranimi i golit të dytë. Pas pushimit, vazhdimi i ndeshjes foli vetëm për Shkëndijën e cila kishte dominim në fushë dhe krijonte vazhdimisht raste shënimi. Allomeroviq u bllokua në kohë, pas një aksioni të Cuculit, Rexhepi nga gjuajta e lirë goditi traversën, ndërsa pas assistit të Mustafit në stilin ‘alla Xavi’, Allomeroviq goditi mbi portë. Këta raste të humbura nuk ndalën hovin e Shkëndijës e cila në minutën e 88-të arrin të barazojë me anë të kapitenit Mustafi, pasi paraprakisht bukur kombinoi me Allomeroviqin. Shkëndija në vazhdim tentoi të bëjë përmbysje të plotë të rezultatit, mirëpo nuk kishte kohë të mjaftueshme për një gjë të tillë, kështu që u desh të pajtohet me një pikë nga ky duel. Skuadra e Renovës si duket nuk mund të nxjerë rezultat pozitiv përballë Rabotnickit, pasi të shtunën u mund me rezultatin 3:1. Pas humbjes bindëse 5:1 në start të stinorit pranveror, Renova vinte e vendosur për të sjellë paraqitje pozitive, mirëpo në fund përsëri dolën duar zbrazët. Vendasit avansuan me anë të Manevskit pas një gabimi të Zendelit, ndërsa Renova barazoi me anë të Andonovit. Kur u duk se Renova gjeti rrugën e duhur, vijnë dy gola tjerë në rrjetë të Zendelit, për rezultatin përfundimtar, Rabotnicki 3, Renova 1. Në ndeshjen e dytë të zhvilluar të shtunën, Teteksi dhe Vardari barazuan pa gola edhe pse të dyja ekipet kishin disa raste shënimi, ndërsa Vardari humbi një penalti. Pas Vardarit dhe Shkëndijës edhe Metalurgu nuk mundi të shkojë përtej barazimit 1:1 me Horizont Turnovën. Napredoku mori një fitore të rëndësishme 2:1 në transfertën me Ohrid 2004, ndërsa Sileksi në fushë të vet shënoi fitore 2:1 përballë Bregallnicës.

Rezultatet e javës së 26-të:
Rabotniçki – Renova 3-1
Teteksi – Vardari 0-0
Sileksi–Bregallnica 2-1
11Oktomvri–Shkëndija 1-1
Horizont T-Metalurgu 1-1
Ohri 2004 – Napredoku 1-2

Gjithashtu lexo

City: 300 mln euro për Messi-n – (VIDEO)

Klubi anglez, Mançester Sity është i gatshëm të bëjë çmendurinë e radhës në tregun e …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *