Home / Lajme / Maqedoni / Ramizja përsëri në këmbë

Ramizja përsëri në këmbë

2 prill-Operacioni i parë është kryer kohë më parë ndërsa pritet që Ramizja pas përmirësimit të gjendjes ti nënshtrohet edhe operacionit të këmbës tjetër. Sipas familjarëve të saj, mjekët kanë dhënë garanca se vajza e tyre sërish dhe shumë shpejt do të mund të lëvizë vetë pa ndihmën e askujt.

Urim Hasipi
Tashmë kanë marrë fund lotët dhe është rikthyer buzëqeshja në fytyrën e 19 vjeçares Ramize Beqiri nga fshati Brodec i Tetovës, e cila para disa muajve lutej për ndihmë për të ecur pasi që paraliza i kishte pamundësuar që ajo të shkonte në shkollë dhe të ecte si gjithë moshtarët e saj. Jo vetëm Ramizja por edhe e tërë familja gjashtë anëtarëshe Beqiri, tash është e gëzuar për përmirësimin e gjendjes së bijës së tyre. Pas publikimit të lajmit në TelevizioninKoha se kjo vajzë nuk mund të ecë dhe kërkon ndihmë, qytetarë nga vendi dhe jashtë i kanë ofruar ndihmë që kjo vajzë të kryen operacionin e nevojshëm në spitalet vendore. Operacioni i parë është kryer kohë më parë ndërsa pritet që Ramizja pas përmirësimit të gjendjes ti nënshtrohet edhe operacionit të këmbës tjetër. Sipas familjarëve të saj, mjekët kanë dhënë garanca se vajza e tyre sërish dhe shumë shpejt do të mund të lëvizë vetë pa ndihmën e askujt. Në shtëpinë e vjetër të tyre në fshatin Brodec, familjes Beqiri i është rikthyer buzëqeshja kurse me padurim presin 18 prillin, datë kur kjo është caktuar operacioni i dytë për këmbën tjetër. “Tash ndjehem shumë mirë, më 18 prill e kam operacionin tjetër dhe ende nuk më besohet se sërish do të filloj të ecë. Bëj ushtrime gati çdo ditë dhe kam përmirësim. Na kanë ndihmuar shumë njerëz të cilëve u falënderohem shumë. Më mundësuan të rikthehem në jetë. Nuk do të mund të harroj ata njerëz asnjëherë”, thotë Ramizja, të cilës i janë kthyer shpresat për rikthim të jetës normale. Ndërsa babai i Ramizes Alihan Beqiri, poashtu shprehet i kënaqur që popullata i doli në ndihmë në momente të vështira. “Vajza ndjehet më mirë tash pas operacionit të parë. Ka përmirësime dhe mjekët na kanë dhënë shpresa. Dua që të gjithëve tju falënderohem sepse një situatë e këtillë nuk përballohet vet. Nuk dua që asnjë prind të përjetojë këtë”, thotë Alihan Beqiri, babai i Ramizes. Ndërsa Hanife Beqiri nëna e Ramizes të cilën para dy muajve e gjetëm më lot në sy, ajo e buzëqeshur me shpresë pret ditën kur vajza e saj do ngrihet në këmbë si para shtatë vitesh dhe të vazhdoj jetën normale aty ku e ka ndërprerë. Ndryshe, operacioni i parë për vajzën 19 vjeçare nga fshati Brodec Ramize Beqiri, ka kushtuar dy mijë e 500 euro, ndërsa po aq mjete të tjera do të duhen për operacionin e dytë. Ndryshe, ajo që nga mosha 4 vjeçare vuan nga paraliza në këmbë, kurse në vitin 2006 dhe 2007 u nënshtrohet dy operacioneve në klinikat e Shkupit, të cilat rezultojnë pa sukses, ndërsa mjekët nuk kanë garantuar se operacioni i tretë do të jetë i suksesshëm.Ramizja në moshën 19 vjeçare u desh të përballet me invaliditet në këmbët e saja, por situata tashmë është ndryshe, pasi që shpresat janë të mëdha se edhe operacioni i dytë do të jetë i suksesshëm.
Familja Beqiri, arriti që për një kohe të shkurtë të grumbullojë mjete në xhirollogarinë e tyre për shërimin e vajzës së tyre falë solidarizimit të popullatës. Operacioni është kryer në njërat nga klinikat private të Shkupit. Prindi i saj Alihan Beqiri, më herët kishte harxhuar mbi 10 mijë euro duke kërkuar shërimin e vajzës së paralizuar në shumë vende, sidomos në spitaletdhe banjat e vendit por që rezultuan pa sukses. Ndryshe, familja gjashtë anëtarëshe Beqiri jeton në një shtëpi të vjetër në fshatin Brodec të Komunës së Tetovës, me kushte minimale për jetesë kurse sëmundja e vajzës rëndoi edhe më shumë jetën në këtë shtëpi.

Gjithashtu lexo

Përfaqësimi në ARM, reagon Lëvizja Besa – (FOTO & VIDEO)

Lëvizja BESA reagon ndaj deklarimeve të zëvendës ministrit të Mbrojtjes, Bekim Maksuti i cili shprehu …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *