Home / Sport / Reali në gjunjë, në finale shkon Bajern

Reali në gjunjë, në finale shkon Bajern

Bajern Mynih është finalisti tjetër i këtij edicioni të Ligës së Kampioneve, pasi ka arritur të kalojë në gjysmëfinale favoritët e Real Madrid.

Ekipi gjerman kishte fituar 2-1 ndeshjen në shtëpinë e vet, por në “Santiago Bernabeu” është mundur me të njëjtin rezultat. Gjithçka është vendosur nga penalltitë ku vendimtare kanë qenë goditjet e gabuara të Kristiano Ronaldo, Kaka e Serxho Ramos. Ndeshja ka filluar menjëherë nën ritmin e Real Madrid që vetëm pas 4 minutash ka gjetur golin e avantazhit me anë të Kristiano Ronaldos, i saktë nga pika e bardhë e 11-metërshit pas penalltisë së fituar nga Di Maria. Bajerni provon të reagojë dhe i afrohet shumë golit me Riberi e me Gomez, ku i pari dërgon topin mbi traversë me portë të boshatisur, ndërsa i dyti ndalet me saktësi nga Kazijas.

Po në momentin kur duket se bavarezët mund të shënojnë, vjen goli i dytë, me të njëjtin autor, Kristiano Ronaldon, i cili përfiton nga pasimi i saktë i radhës i Ozil për të dërguar topin në rrjetë. 2-0 dhe është vetëm minuta e 14-të e kësaj sfide.

Tani gjermanët nuk kanë çfarë të humbin më dhe hidhen tërësisht në sulm duke krijuar aksion pas aksioni. Në minutën e 25-të, Pepe gabon duke shtyrë Gomez në zonë dhe për gjyqtarin hungarez Kasai nuk ka dyshime, 11-metërsh në favor të ekipit gjerman. Roben gjuan me saktësi nga pika e bardhe dhe tashmë rezultati është 2-1, ashtu si në sfidën e parë.

Ritmi i ndeshjes nuk bie dhe të dy ekipet provojnë disa herë të shënojnë deri në vërshëllimën përfundimtare të pjesës së parë. Në pjesën e dytë, pritet që lojën ta bëjnë vendasit, por në fakt ndodh e kundërta, pasi është Bajern që kontrollon topin dhe provon të vërë në vështirësi mbrojtjen madrilene, ndërsa skuadra e Murinjos i kthehet armës së preferuar, kundërsulmit, për të tentuar golin e kualifikimit. Por asgjë nuk ndryshon dhe dy ekipet shohin veten të shkojnë drejt kohëve shtesë.

Si zakonisht, në faza të tilla triumfon frika dhe dy skuadrat mundohen që të jenë të kujdesshme, duke mos lënë shumë hapësira prapa. Ndonëse Reali ka një dominim të lehtë në lojë, nuk arrin të çajë mbrojtjen hermetike të skuadrës gjermane e cila nuk lejon më Kristiano Ronaldon të tregohet i rrezikshëm para portës së tyre. Ndaj finalistja e dytë e këtij edicioni të Ligës së Kampioneve vendoset nga penalltitë.

Reali i nis ato si mos më keq, me Kristiano Ronaldo e Kaka që gabojnë gjuajtjet e tyre, të neutralizuara nga Nojer, ndërsa Alaba e Gomez nuk gabojnë nga pika e bardhë. Por Bajerni vë gjithçka në diskutim me gabimet e Kros e Lahm, që ndalen nga Kazijas. Fatmirësisht për ta, është edhe Serxho Ramos që nuk ka qetësinë e duhur dhe dërgon topin shumë lart mbi traversë, ndërsa Bastian Shvajnshtajger transformon me saktësi gjuajtjen e tij duke çuar Bajernin në finalen që luhet në stadiumin e tij në Mynih dhe ku padyshim është favorit.

Gjithashtu lexo

Shikoni çfarë ka bërë Barcelona pas sulmit terrorist (FOTO)

Klubi i Barcelonës ka reaguar pas sulmit terrorist në Barcelonë. Katalunasit e kanë bërë një …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *