Home / Sport / Renova ndalet pa gola me Teteksin

Renova ndalet pa gola me Teteksin

Të shtunën kanë vazhduar nxitjet në Ligën e Parë të futbollit në vend, me ndeshjet e javës së 23-të, me çka edhe ka filluar faza e tretë dhe përfundimtare e kampionatit elitar të futbollit në Maqedoni.

Skuadra e Renovës nuk ka mundur të shkojë përtej barazimit 0:0 me rivalin lokal Teteksin, në një ndeshje ku pritej efikasitet i mirë, posaçërisht, pas fitores së Renovës 5:1 në mesjavë përballë të njëjtit kundërshtar. Mirëpo kësaj rradhe gjërat nuk shkuan në atë drejtim, pasi skuadra e Teteksit ishte më e rezervuar në mbrojtje dhe përmes kundërsulmeve kërkonte të befasojë skuadrën e Renovës. Gjithsesi xhepçishtasit kishin disa mundësi për të shënuar, kryesisht përmes sulmuesit Marjan Andonov, i cili ndoshta ishte fajtori më i madh që Renova nuk arkëtoi tre pikë. Së pari në minutat e para të ndeshjes Andonov nuk shfrutëzoi gabimin e mbrojtjes kundërshtare dhe kishte tentim të pa-suksesshëm për të shënuar, ndërsa më vonë pas një aksioni të përkryer të Nuhiut dhe Eminit, sulmuesi i Renovës kaloi portierin e Teteksit dhe kur pritej të shënojë, apo të assistojë për Nuhiun e vetmuar në afërsi, ai goditi në një futbollist të Teteksit që ishte vendosur në vijën fatale. Në anën tjetër Teteksi për pak sa nuk ndëshkoi këta huqje, kur Ristevski u gjet në mundësi ideale për të shënuar, mirëpo goditja e tij nga afërsia shkoi skaj portës së Zendelit. Teteksi në pjesën e dytë mbeti pa Ristovskin që u ndëshkua me karton të kuq, ndërsa minutat e fundit edhe Renova luajti me 10-të futbollistë, jo për ndëshkim, mirëpo nga fakti se Simovski mbeti i lënduar dhe nuk mundi të vazhdojë lojën, deri sa paraprakisht trajneri Kostov kishte realizuar tre zëvendësime. Deri në fund të ndeshjes regjistrojmë disa tentime të pa suksesshme të vendasve për të gjetur golin e fitores, ndërsa në anën tjetër kanosjen e fundit të ndeshjes e kishte Naumovski, goditja e të cilit pa problem u kontrollua nga Zendeli. “Ishte një ndeshje e vështirë të cilën kishim menduar ta fitojmë. Normal ishim të vetëdijshëm se pas asaj fitore bindëse 5:1 në mesjavë, kësaj rradhe do ta kemi më të vështirë dhe në fund kjo u vërtetua me këtë barazim. Kishim disa mundësi për të shënuar, mirëpo kur nuk realizohen rastet para portës kundërshtare, nuk mund të kërkosh më shumë se barazimi 0:0. Si do që të jetë ne vazhdojmë rrugën tonë në këtë kampionat, kjo ndeshje i takon të së kaluarës dhe ne tani përqendrimin e kthejmë kah Kupa e Maqedonisë, kur në mesjavë na pret ndeshja e parë gjysmëfinale me Vardarin në Shkup”, deklaroi pas ndeshjes me Teteksin, kapiteni i Renovës, Fisnik Nuhiu. “Ishte ndeshje interesante dhe me raste nga të dyja anët. Renova provoi të fitojë, ndërsa ne luftuam gjatë gjithë kohës dhe mendoj se merituam këtë barazim”, u shpreh shkurtë mesfushori kumanovar i Teteksit, Burhan Aliu, i cili në këtë ndeshje mori kartonin e pestë të verdhë dhe sipas gjithë gjasave nuk do të luajë në ndeshjen e ardhshme me Shkëndijën. Në dy ndeshjet tjera të zhvilluara të shtunën, Vardari solli tjetër fitore në rrugën drejt titullit të kampionit, megjithse kësaj rradhe më vështirë se sa pritej mundi Bregallnicën me rezultatin 2:1, me një gol të shënuar nga Ivanovski në çastet e fundit të takimit. Rabotniçki edhe pse ishte favorit i madh, megjithatë u ndal në barazim 1:0 me ekipin e fundit në renditje, 11 Oktomvrin.

Rezultatet:
Renova-Teteksi 0:0,
Vardari-Bregallnica 2:1,
Rabotniçki-11 Oktomvri 1:1

Gjithashtu lexo

Tifozët shqiptarë nga Tetova pushtojnë rrugët e Milanos, çfarë po ndodh para ndeshjes? (VIDEO)

Grupimi i tifozëve të Shkëndijes, “Ballistët” që shquhen edhe si një nga tifozeritë më të …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *