Home / Sport / Shkëndija deklasoi 3:0 Lirin

Shkëndija deklasoi 3:0 Lirin

Në Ligën e Parë të volejbollit vendor, në program ishin ndeshjet e javës së 15-të, në të cilën skuadrat favorite pa problem morën rezultatet e pritura, gjegjësisht fitoret maksimale.

Derbi lokal u zhvillua në Tetovë, ku Shkëndija me rezultatin 3:0 mundi Lirinë e Zherovjanit, për herë të dytë në afat kohor prej tre ditëve, pasi paraprakisht këta dy skuadra në mesjavë u përballën në ndeshjen e parë të gjysmëfinales së Kupës së Maqedonisë, ku Shkëndija poashtu mori fitore me rezultatin 3:0. I vetëdijshëm për rolin e favoritit në këtë përballje dhe për forcën e skuadrës së tij, trajneri i Shkëndijës Durim Luma më shumë hapsirë për të luajtur u dha disa volejbollistëve më të rrinjë, të cilët gjithnjë e më shumë marrin hapsira në skuadër dhe fitojnë përvojën e duhur në ndeshjet e Ligës së Parë. Liria në anën tjetër edhe pse mundohej të rrezistojë sipas mundësive të saj, megjithatë dallimi në kualitet ishte evident, kështu që Shkëndija me shpejtësi avansoi 1:0, pasi mori setin e parë me rezultatin 25:10. Seti i dytë ishte pak a shumë kopje e të parit, me Shkëndijën që dominonte, megjithse në momente krijohej përshtypja se volejbollistët ‘kuqezinjë’ nuk luanin në maksimumin e forcave të tyre, duke u ruajtur ndoshta sfidat e ardhshme në kampionat dhe Kupë. Megjithatë edhe në kushte të këtilla, kampionët në fuqi pas rezultatit 25:15 në setin e dytë, çuan epërsinë në 2:0 dhe bënë me dije se kërkojnë të mbyllin me shpejtësi këtë duel. Kështu në setin e tretë gjërat në parket nuk ndryshuan, Shkëndija vazhdimisht dominonte dhe fitonte pikë, duke ngritur në kontuinitet rezultatin, kështu që e mbyllën ndeshjen me fitore maksimale 3:0, pasi setin e tretë e morën pranë rezultatit 25:13. Me këtë fitore Shkëndija bën me dije se ngadalë gjen formën e duhur dhe se përkundër dy dështimeve në kampionat, kjo skuadër nuk heq dorë nga titulli i kampionit në Kupë dhe kampionat. Ndërkohë Liria edhe pse është shumë pranë sigurimit të pjesëmarjes në garat e play-offit, megjithatë duhet të përmirësojë paraqitjen e saj, nëse dëshiron që mos t’i rrezikohet pozita e katërt në renditje. Në ndeshjet tjera s’kishte befasi, pasi Sinalko me rezultatin 3:0 fitoi në transfertën me Sushevën, ndërsa fitore maksimale mori edhe Strumica në vizitën te Mavisi. Kumanova u mund të teren të vet 0:3 nga Vardari, ndërsa ndeshje shumë interesante zhvilluan Rabotniçki dhe Borec Brako, ku pas shumë kthesave në rezultat, vendasit fituan me rezultatin 3:2. Pas 15-të javëve në renditjen tabelare udhëheq Sinalko me 40-të pikë, një më shumë se Strumica në vendin e dytë. Shkëndija është e treta me 35 pikë, por edhe me një ndeshje më pak të zhvilluar. Liria mbetet në vend të katërt me 26 pikë, një më shumë se Rabotniçki i vendit të pestë.

Rezultatet e javës së 15-të:
Shkëndija-Liria 3:0 (25:10, 25:15, 25:13),
Susheva-Sinalko 0:3 (20:25, 20:25, 9:25),
Mavisi-Strumica 0:3 (12:25, 10:25, 22:25),
Kumanova-Vardari 0:3 (17:25, 16:25, 22:25),
Rabotniçki-Borec Brako 3:2 (25:23, 18:25, 19:25, 25:20, 15:13)

Gjithashtu lexo

Tifozët shqiptarë nga Tetova pushtojnë rrugët e Milanos, çfarë po ndodh para ndeshjes? (VIDEO)

Grupimi i tifozëve të Shkëndijes, “Ballistët” që shquhen edhe si një nga tifozeritë më të …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *