Home / Lajme / Rajon / Topi: Në Maqedoni së pari shkojë për shqiptarët atje

Topi: Në Maqedoni së pari shkojë për shqiptarët atje

27 prill-“Natyrisht, vizitat zyrtare shoqërohen gjithmonë me përforcim të masave të sigurisë, por do të thoja se edhe këtë herë ato ishin brenda limiteve të pranueshme, pa e tepruar. Kudo që shkova shkova, isha pa kompleks nga kjo lloj situate dhe takova shumë shqiptarë, i rrethuar me shumë dashuri e emocione nga ta”, theksoi presidenti shqiptar.

Presidenti shqiptar Bamir Topi ka folur mbi vizitën e tij të fundit në Maqedoni dhe tensionet e fundit që po mbretërojnë në këtë vend.

Ai në një intervistë për Top Channel ka theksuar se vizita e tij ishte e parashikuar dhe ishte e dyta zyrtare brenda mandatit të tij presidencial.

“Në konferencën për shtyp me Presidentin Ivanov, një gazetar, duke iu referuar vizitave të shpeshta, arriti në përfundimin se sipas tij, nuk ka patur arritje konkrete për gjendjen e shqiptareve. Pa dyshim, unë e kontensova në mënyrë të moderuar këtë gjykim dhe i thashë që unë kurrsesi s’jam hipokrit, i jap rëndësi marrëdhënieve bilateral përderisa takimi është dypalësh, por së pari shkoj për shqiptarët, për t’i takuar ata personalisht, por edhe faktorët e tyre politikë sepse janë marrëdhënie të kushtëzuara në shumë plane”, theksoi presidenti Topi.

Sipas tij, me faktorët institucional dhe politik në Shkup dhe Tetovë ka trajtuar tema me rëndësi jetike dhe ajo çka përkonte në moment të keq me vrasjen e pesë të rinjve maqedonas, ishte një moment për t’i dhënë ngushëllimet familjeve dhe për t’i shkëputur nga konteksti që filloi të diskutohej nga qarqe nacionaliste dhe faktorë politikë në Serbi.

“Takimi im dhe Ivanov shërbeu pikërisht për të goditur insinuatat që vijnë zakonisht në mënyrë të padrejtë ndaj shqiptarëve”, nënvizoi Topi.

Ai ka përshkruar se gjatë qëndrimit në Shkup ka parë një qytet të boshatisur, që sipas tij, sigurisht nga psikoza e ditëve të fundit të tensioneve.

“Natyrisht, vizitat zyrtare shoqërohen gjithmonë me përforcim të masave të sigurisë, por do të thoja se edhe këtë herë ato ishin brenda limiteve të pranueshme, pa e tepruar. Kudo që shkova shkova, isha pa kompleks nga kjo lloj situate dhe takova shumë shqiptarë, i rrethuar me shumë dashuri e emocione nga ta”, theksoi presidenti shqiptar.

Ai shtoi se së bashku me Presidentin Ivanov kanë nënvizuar mesazhin se askush nuk duhet të ndërhyjë në çështjet që do të destabilizonin Maqedoninë.

“Ju e dini se gjithmonë vendet ballkanike, sidomos mbas zbërthimit të ish-Jugosllavisë, patjetër që kanë patur në terren edhe faktorë ultranacionalistë, por edhe depërtim të shërbimeve sekrete. Por, nga pikëpamja e marrëdhënieve ndërshtetërore, marrëdhëniet me Maqedoninë konsiderohen mjaft të mira, siç u demonstruan në takime dhe nga klima e marrëdhënieve në të gjitha planet, rrafsh ekonomik dhe në projektet e integrimit në botën Euroatlantike. Unë demonstrova se Shqipëria mbështet stablitetin e Maqedonisë, futjen në NATO dhe në rrugën e përbashkët në BE. Situata në Mitrovicën e Veriut, atje ku situata është e rënduar, ka një sfond më të qartë që vjen nga politika e Serbisë, e cila kur vjen puna për të fituar pikë, dhe tani është moment i zgjedhjeve presidenciale, tentojnë të përdorin kartën e nacionalizmit që ka kontenstuar politikën e moderuar të disa politikanëve”, theksoi presidenti shqiptar Bamir Topi.

Gjithashtu lexo

Daçiq: Demarkacioni Kosovë–Serbi, zgjidhje e përhershme

Ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq ka thënë se ideja e tij për demarkacionin …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *