Home / Sport / UEFA kërcënon Sitin e Çelsin me përjashtim

UEFA kërcënon Sitin e Çelsin me përjashtim

Këto dy skuadra mund të jenë të detyruara të kenë një numër më të kufizuar futbollistësh në ndeshjet e Ligës së Kampioneve, apo të përjashtohen krejtësisht nga ky aktivitet nëse nuk arrijnë të kufizojnë humbjet në bilanc.

Drejtuesit e futbollit evropian kanë paralajmëruar Çelsin dhe Mançester Sitin se ndërhyrjet e fuqishme në merkato gjatë verës do të dëmtojnë rëndë të ardhmen e tyre ndërkombëtare. Këto dy skuadra mund të jenë të detyruara të kenë një numër më të kufizuar futbollistësh në ndeshjet e Ligës së Kampioneve, apo të përjashtohen krejtësisht nga ky aktivitet nëse nuk arrijnë të kufizojnë humbjet në bilanc.
Sipas rregullores së re të UEFA-s për “Fair Play Financiar”, klubet janë të detyruara të mos regjistrojnë më shumë se 36 milion paund humbje në një periudhë dyvjeçare. Por me fillimin e marrjes së masave që në sezonin 2013-2014, Siti dhe Çelsi e kanë të pamundur të kthejnë humbjet financiare në nivele të pranueshme. Siti ka raportuar një humbje prej 197 milion paund vitin e kaluar, ndërsa deficiti i Çelsit ishte 67.7 milion paund. Të dy skuadrat kanë konfirmuar se do të shtojnë këtë bilanc negativ gjatë verës ku do të shpenzojnë përsëri shuma të mëdha për merkaton.
Alasdeir Bell, drejtori i çështjeve ligjore në UEFA ka treguar se masa shumë të rrepta do të ndërmerren ndaj klubeve që kalojnë më shumë se 20% të limitit prej 36 milion paund të vendosur. Masa e parë është shkurtimi i ekipeve pjesëmarrëse në Ligën e Kampioneve, duke detyruar klubet që të heqin nga lista e 25 lojtarëve 5 futbollistët më të paguar. Ndërsa masa e dytë më drastike është përjashtimi nga ky turne i klubeve që vazhdojnë të thyejnë këtë rregull.
“Sanksionet duhet të jenë efektive dhe të besueshme, në mënyrë që njerëzit të përshtaten me rregullat”, tregoi Bell, i cili shtoi se çdo marrëveshje e dyshimtë do të hetohej me vëmendje. Këtë deklaratë ai e bëri pasi Mançester Siti u mundua të rregullonte bilancet falë një marrëveshje 10 vjeçare prej 400 milion paund me kompaninë ajrore “Etihad”. Por UEFA e cilëson të parregullt këtë akord pasi kjo kompani zotërohet nga familja mbretërore e Abu Dabi, ku bën pjesë edhe pronari i Sitit, sheiku Mansur.

Gjithashtu lexo

Tifozët shqiptarë nga Tetova pushtojnë rrugët e Milanos, çfarë po ndodh para ndeshjes? (VIDEO)

Grupimi i tifozëve të Shkëndijes, “Ballistët” që shquhen edhe si një nga tifozeritë më të …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *