Home / Lajme / Maqedoni / Varfëri dhe mjerim

Varfëri dhe mjerim

10 prill-“Nuk kemi as miell, as vaj, as sheqer. Ato pak që i patëm janë harxhuar, kurse deri sa të gjen punë burri do të mundohemi t`ia bëjmë disi”, thotë Ramizja. E harruar në skamje dhe përtej shoqërisë, familja Rexhepi e mbytur në përditshmërinë e tillë kërkon që të rregullojë të paktën shtëpinë që dimrin tjetër të mos e presin në këtë gjendje.

Jo shumë larg qytetit të Tetovës që karakterizohet me ndërtesa të mëdha dhe ku jeta zhvillohet ndryshe gjendet edhe fshati Llacë, ndërsa në këtë fshat, në kushte mizore, jeton familja Rexhepi. Shtëpia e tyre më shumë i ngjan një gërmadhe, ndërsa muret dhe vrimat janë “dekor” i përhershëm. Në këtë familje gjashtë anëtarshe civilizimi është vetëm një shprehje, kurse varfëria dhe gjendja katastrofale e shtëpisë kanë bërë që jeta për ta të jetë vërtet një ferr. Katër fëmijët e vegjël të kësaj familje i gjejmë në oborr duke u zbavitur me lodrat e tyre që ua kanë dhuruar të tjerët, kurse të mëdhenjtë e shtëpisë luftojnë me mbijetesën. Me të hyrë në këtë shtëpi harrojmë se gjendemi vetëm disa kilometra larg Tetovës, ku ngrihen ndërtesat shumëkatëshe.
Babai i katër fëmijëve, Xhemaledini, bredh rrugëve për të gjetur punë, por rrallë herë i ecë fati. Ai shprehet se askush nuk e viziton që t’i del në krah, të paktën të meremetojë shtëpinë dhe të strehojë si duhet fëmijët.“Mundohem që të punoj diçka, por shumë pak. Është krizë gjithandej, kurse shtëpia kërkon, fëmijët kanë nevojat e veta, shtëpia është duke u rrënuar. Këtu e kemi kaluar dimrin e ftohtë, por nuk besoj se edhe një dimër do të qëndrojë kjo shtëpi në këtë gjendje”, thotë ai. Kërkesat dhe nevojat e familjes Rexhepi të fshatit malor Llacë janë të mëdha, kurse janë të rrallë ata që ndihmojnë dhe shtrijnë dorën. “Shumë vështirë është, tepër, s’kemi punë, të tjera kushte, s’kemi kurrgjë. Mua më intereson puna, por në punë nuk më pranojnë. Shteti nuk më ndihmon”, u shprehet Xhemaledini. Barrën më të rëndë e ka Ramizja, bashkëshortja e Xhemaledinit, e cila duhet të përkujdeset për shtëpinë dhe fëmijët, derisa burri i saj kërkon punë gjithandej. Krahas ushqimit, kushteve të vështira në shtëpi, ajo rrëfen se fëmijët nuk kanë se çka të veshin për në shkollë. “Kemi katër fëmijë, dy prej tyre shkojnë në shkollë. Burri rrallë herë gjen punë, kërkon çdo ditë, por shumë pak gjen. Ata që shkojnë në shkollë duan veshje, libra, fletore dhe ato nuk mund t’i sigurojmë. Më keq është në dimër. Ndezim një shporet për fëmijët, kurse vrimat e mureve i mbulojmë me çka mundemi”, tregon Ramize Rexhepi. Kjo familje jeton në një gjendje tepër të mjerueshme, kurse dimri i sivjetmë e ka rënduar edhe më shumë gjendjen e tyre ekonomike. Rezervat ushqimore pothuajse kanë mbaruar, ndërsa kjo familje u bën apel për ndihmë strukturave vendore dhe shtetit pasi vetë nuk ka mundësi të sigurojë bukën e gojës për pjesëtarët e familjes dhe të rimëkëmb shtëpinë. “Nuk kemi as miell, as vaj, as sheqer. Ato pak që i patëm janë harxhuar, kurse deri sa të gjen punë burri do të mundohemi t`ia bëjmë disi”, thotë Ramizja. E harruar në skamje dhe përtej shoqërisë, familja Rexhepi e mbytur në përditshmërinë e tillë kërkon që të rregullojë të paktën shtëpinë që dimrin tjetër të mos e presin në këtë gjendje. Pa punë dhe të ardhura, kjo familje pret ditën tjetër me shpresë se diçka do të ndryshojë. Ndryshe fshati Llacë gjendet rreth 10 kilometra larg qytetit të Tetovës, me rreth 100 shtëpi dhe shtrihet në afërsi të Kalasë së Tetovës.

Gjithashtu lexo

Stejt Departamenti: Qeverisja e VMRO-së ka nxitur diskriminim fetar në Maqedoni

Grupet religjioze në Maqedoni vlerësojnë se ish-Qeveria e VMRO-DPMNE-së e ka favorizuar Kishën Ortodokse – …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *