Home / Sport / Agim Cana: Loriku, 1000% te Lacio!

Agim Cana: Loriku, 1000% te Lacio!

Zërat e transferimit të Lorik Canës nga Lacio te Olimpik Marseja janë bërë gjithnjë e më të fortë, por është vetë babai i mesfushorit shqiptar, ish-futbollisti Agim Cana, që është njëkohësisht edhe menaxher i tij, ai që ka shpjeguar situatën dhe ka insistuar se lojtari nuk lëviz nga skuadra italiane.

“E them për herë të fundit, Loriku nuk ka thënë asnjëherë që do të kthehet te Marseja vitin e ardhshëm. Ai është shumë i lumtur ku është tani, te Lacio. Unë jetoj në Marsejë dhe për mua drejtuesit e Olimpik janë si një familje, por Loriku nuk dëshiron të ndryshojë skuadër. Vitin e ardhshëm, pas 2-3 vitesh, do të shohim si është situata me Lacion dhe vetëm atëherë mund të marrim një vendim të sigurt. Tani Loriku është me zemër, mendje dhe emër lacial, jo 100, po 1000%”, ka siguruar Agim Cana.
Ai ka shpjeguar nga ka lindur edhe ngatërresa mediatike për kthimin e Canës te ekipi francez, ku ishte kapiten i skuadrës dhe ku u bë i njohur në të gjithë Evropën. “Erdhi njëherë të shihte ndeshjen mes PSZH dhe Olimpik Marsejë dhe thjesht ka thënë se i pëlqenin të dy skuadrat. Por është normale që të jetë kështu, pasi ka bërë shkollën e futbollit te klubi parisien dhe pastaj u kthye në një legjendë te Marseja. Ai u pyet nëse “një ditë”, theksoj “një ditë”, do t’i pëlqente të kthehej dhe u përgjigj “po”. Por ai nuk ka thënë asnjëherë që vitin e ardhshëm do të kthehej në Francë. Nuk do të largohet nga Lacio pa marrë më përpara vendin e tij si titullar dhe si lojtar i rëndësishëm. Kur të bëhet i tillë, ashtu siç shpresoj, atëherë do të shohim, por vitin e ardhshëm me shumë siguri do të qëndrojë në Romë. Loriku është lacial, ka një kontratë për katër vite të tjera dhe do ta respektojë”, vijoi ai.
Më pas, ish-futbollisti legjendar kosovar ka treguar edhe arsyet e dështimit të djalit të tij në vitin e te Lacio në Serinë A.
“Loriku nuk ka patur asnjëherë probleme me trajnerin, edhe pse Reja shpesh nuk ka qenë i drejtë me të. Mund ta kishte aktivizuar më shumë këtë sezon, por e ka cilësuar faktikisht të njëjtë me Ledesmën, një lojtar që ka shumë vite te Lacio. Shpresojmë që situata të ndryshojë vitin tjetër dhe nëse Reja do të qëndrojë te Lacio, nuk do të jetë problem për Lorikun. Ai do thjesht të punojë dhe të fitojë vendin duke punuar. Ai është një futbollist që ka nevojë të luajë të gjitha ndeshjet që të ndjejë peshën e përgjegjësisë. Por tani pret rastin e tij, nuk është në 100%, tani është në 70-80%. Por po kërkon mundësinë e tij që të gjejë maksimumin e formës fizike dhe mendore”.
“Me Lacion nuk kemi folur asnjëherë gjatë kësaj kohe dhe ndonëse Igli Tare është një shqiptar si ne, nuk e kam telefonuar kurrë për ta pyetur pse Loriku nuk luante. Jemi profesionistë, ndaj nuk kemi folur asnjëherë as me Taren, as me Lotiton e as me trajnerin. Të dielën do të jem në Itali të shoh ndeshjen, mendoj se Loriku meriton të luajë kundër Interit, por sipas taktikave të Rejas është e mundur që ai të mos jetë në fushë”, ka treguar Agim Cana në intervistën e tij të gjatë për mediat italiane.

Gjithashtu lexo

Osmani: Bëmë gabime në mbrojtje, do të ndryshojmë në lojën e ardhshme

Trajneri i Shkëndijës së Tetovës, Qatip Osmani nuk e ka përjetuar mirë humbjen nga Milani. …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *