Home / Lajme / Maqedoni / Ahmeti: Maqedonia dhe Greqia kanë vullnet për zgjidhjen e emrit

Ahmeti: Maqedonia dhe Greqia kanë vullnet për zgjidhjen e emrit

17 maj-“Nuk mund t’i bëjmë të gjithë ta duan BDI-në, kush ka nevojë të hedhë me gurë ndaj neve le ta bëjë, nuk na gjen gjë neve, për këtë kemi luftuar, domethënë për një demokraci të vërtetë si kjo. Ne tentojmë të bindim shqiptarët për këtë se shteti i takon edhe maqedonasve dhe shqiptarëve. Është përgjegjësi e madhe të mbash një shtet multietnik” tha Ahmeti.

Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti në një emision debat të drejtpërdrejtë në programin shqip të televizionit shtetëror RTVM ka folur për situatën e fundit në Maqedoni, sidomos për arrestimin e shqiptarëve në lidhje me vrasjen e pesëfishtë nga njerëz të panjohur dhe të paidentifikuar në Liqenin e Hekuranës afër fshatit Smillkovc.

Ahmeti mes të tjerash siguroi se është në interes të vendit, para se gjithash të qytetarëve të Maqedonisë, që procesi gjyqësor kundër të akuzuarve për vrasjen e pesëfishtë në periferi të Shkupit, të jetë i drejtë dhe se për këtë gjë kanë kërkuar edhe ndihmën e ndërkombëtarëve për transparencë të të gjithë këtij procesi.

“Drejtësia duhet të bëjë punën e vetë dhe aktorët të zihen. Do të thotë ka pasur një bashkëpunim shumë të mirë mes organeve dhe me këtë rast është formuar Këshill i përbashkët prej dy etniteteve. Në të vërtetë ishte e vështirë dhe ende nuk dihet qëllimi sepse kemi shumë të panjohura deri më tani. Përderisa masat u revoltuan me disa kualifikime që u bënë nga autoritete qoftë drejtues policie qoftë nga provokimet mediatike apo përmes Facebookut dhe kjo u shndërrua në protestë. Qëllimi kryesor i yni ka qenë që protestat janë e drejtë e çdo qytetari, pavarësisht që me ligj është e sanksionuar, pasi duhet të kërkohet leje nga organet përgjegjëse me qëllim që ata të sigurojnë vijat e demonstrimit. Të dihet se kush është organizatori. Përcaktimi ynë kryesor ka qenë të mos ketë asnjë gërvishtje pavarësisht se si do të sillet pala tjetër. Brenda dy muajve janë zhvilluar disa protesta dhe nuk ka ndodhur asnjë gërvishtje te protestuesit”, ka thënë Ahmeti.

I pyetur se si e komenton deklaratën e ministres Jankullovska, që para se të vendosë gjykata ajo i shpalli vrasës të arrestuarit shqiptarë dhe radikalë islamistë, Ahmeti tha se deklarata që është bërë se u kapën vrasësit dhe u bë kualifikimi akoma pa u verifikuar në gjyq, nuk qëndron dhe ne kemi bërë takim me partnerët e koalicionit dhe nga takimi që është bërë rezultoi që ministrja Jankullovska është nxjerrë nga kontesti.

“Është në nderin dhe moralin e saj që ajo të shpjegojë se ku është nxjerrë nga kontesti. Ne kemi pasur shumë angazhime dhe jemi të vetëdijshëm se ka pabesueshmëri mes shqiptarëve dhe maqedonasve. Kjo situatë është tepër delikate dhe jemi angazhuar në drejtim të vëzhgimit të sprovuesit të deklaratës politike, se ajo fare nuk qëndron. Nuk guxojmë të rrezikojmë dhe të dëmtojmë njëri-tjetrin, duhet të dihet se deri në çfarë përmasa mund të prononcohemi publikisht, në çfarë përmasa kodi e lejon që një ministër i MPB-së të shprehet për një rast të caktuar. Akoma pa u vlerësuar nga gjyqi, të thuash që ky është krimineli dhe ky është radikali është fare e paqëndrueshme dhe do të japë përgjegjësi”, tha Ahmeti.

Lideri i BDI-së tha se ka kërkuar nga BE e SHBA që të angazhojnë institucionet ndërkombëtare që të monitorojnë dhe vëzhgojnë këtë rast.

“Ne jemi në komunikim të përhershëm me të gjitha institucionet e pavarura duke filluar nga Avokati i Popullit dhe nga ndërkombëtarët. E kam dëgjuar edhe unë nga Avokati i Popullit dhe atë e inkurajoj që të ndjekë atë hap pas hapi që të ndjekë gjithë procesin, të vizitojë të burgosurit, të argumentojë dhe dokumentojë në bazë të kompetencave që i ka brenda këtij procesi. Ne jemi nisur nga shkalla e mosbesueshmërisë, akoma nuk kemi arritur që të krijojmë besimin midis komuniteteve dhe institucioneve. Për atë arsye ne kemi kërkuar angazhim serioz të organeve të pavarura. Siç na ka ndihmuar ky komunitet deri më tani vazhdojmë të kërkojmë që të na ndihmojë në këtë proces. Kemi kërkuar nga SHBA, BE, OSBE që të krijojnë një komision të përbashkët me qëllim që ta rrisin besueshmërinë te opinioni. Të mos veprohet mbi njerëz të pafajshëm. Përgjigjen e kemi pozitive. BE dhe SHBA kanë angazhuar OSBE-në që të monitorojë gjithë procesin. Ne nuk marrim përsipër që të bëhemi avokatë të dikujt që mund të ketë dorë në këtë rast”, tha Ahmeti.

Ahmeti tha se ‘në rast se bëhen padrejtësi dhe devijime nga procesi gjyqësor, kjo do të ketë pasoja për koalicionin, por theksoi se nuk do të bëhet ‘mashë’ në duart e LSDM-së’, unë do të ndjek interesat e popullit tim, dhe jo të dikujt tjetër. Garantoj që të gjitha institucionet punojnë deri në zbardhjen e të së vërtetës, nuk dua të merren në qafë të pafajshmit, prandaj u bëj thirrje institucioneve ndërkombëtare ta ndjekin hetimin, kjo bëhet për shkak të transparencës, tha Ahmeti.

Lidhur me mosreagimin e Ministrit të Drejtësisë, pas lajmit të dhënë nga familjarët e të arrestuarve që gjenden në Manastir se ata janë keqtrajtuar dhe rrahur Ahmeti tha se janë në komunikim të përhershëm me institucionet, dhe inkurajoi Avokatin e Popullit që është nga partia e tij që të ndjekë situatën dhe të vizitojë të arrestuarit në Manastir.

Lideri i BDI-së Ali Ahmeti u shpreh se në Maqedoni nuk ka grupe radikale islamike, siç pretendojnë disa media të rajonit, por vetëm individë të caktuar siç mund të ketë në të gjithë vendet.

Sulmet ndaj komunës së Çairit dhe selisë së BDI-së ishin të ndikuara nga media dhe autorë të ndryshëm, por se partitë janë thesar i popullit dhe nuk duhet të sulmohen, tha Ahmeti, duke shtuar se ato nuk formohen çdo ditë, dhe duhet trajtuar.

Ai ka theksuar se s’ka arsye pse të jep dorëheqje ndërsa sipas tij në Maqedoni nuk ka nevojë për parti politike të reja.

“Nuk mund t’i bëjmë të gjithë ta duan BDI-në, kush ka nevojë të hedhë me gurë ndaj neve le ta bëjë, nuk na gjen gjë neve, për këtë kemi luftuar, domethënë për një demokraci të vërtetë si kjo. Ne tentojmë të bindim shqiptarët për këtë se shteti i takon edhe maqedonasve dhe shqiptarëve. Është përgjegjësi e madhe të mbash një shtet multietnik” tha Ahmeti.

Në pyetjen lidhur me çështjen e emrit me Greqinë Ahmeti tha se kompromis duhet të arrihet, se tjetër alternative nuk ka, që ky proces të lëvizë në dinamikën më të madhe.

“Jo se unë i kam thënë Gruevskit, por emri duhet të ndryshohet dhe kompromis duhet të arrihet, alternativë tjetër nuk ka që ky proces të lëvizë në dinamikë më të madhe. Në Greqi u komplikua situata shumë që nuk ka pasur kohë të merret për çështjen e emrit për shkak të falimentimit të vetë Greqisë dhe zgjedhjeve ku nuk u arrit të formohet qeveria dhe sërish zgjedhje më 17 qershor dhe këtu kemi patur një stagnim që nuk kemi mundur të ushtrojmë presionin e nevojshëm që të përshpejtohet zgjidhja e emrit. Por ka vullnet për t’u zgjidhur kjo çështje, shihet se ka modalitet dhe palët ka pasur disa momente ku kanë qenë afër zgjidhjes por përkeqësimi i situatës në përgjithësi në Ballkan ka çuar në largimin e qëndrimeve. Bëhen aktivitete edhe përkundër situatës, për të zgjidhur këtë çështje” tha Ahmeti.

Sipas tij të dy vendet kanë vullnet serioz për zgjidhjen e cështjes së emrit dhe pas konstituimit të qeverisë greke, do të vazhdohet intensivisht dialogu për kapërcimin e kësaj pengese për Maqedoninë

Gjithashtu lexo

Stejt Departamenti: Qeverisja e VMRO-së ka nxitur diskriminim fetar në Maqedoni

Grupet religjioze në Maqedoni vlerësojnë se ish-Qeveria e VMRO-DPMNE-së e ka favorizuar Kishën Ortodokse – …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *