Home / Sport / Altin Lala, lamtumirë mes emocioneve

Altin Lala, lamtumirë mes emocioneve

Altin Lala ka përshëndetur të shtunën për herë të fundit tifozët e skuadrës së Hanover, pasi i ka dhënë lamtumirën kësaj skuadre pas 14 viteve të suksesshme. Futbollisti ka nënshkruar një kontratë me Bajern Mynih, ku do të luajë me skuadrën e rezervave në sezonin e ardhshëm, për të ndihmuar lojtarët e akademisë të përshtaten me kërkesa e elitës së futbollit gjerman.

Në ndeshjen e fundit të këtij sezoni në Bundesligë, Lala ka qenë i ulur në stolin e rezervave, por në minutën e 84-t, trajneri Slomka e ka aktivizuar atë nën brohoritjet e 49 mijë tifozëve të pranishëm, të cilët kanë përshëndetur aktivizimin për herë të 296-të në kampionatin gjerman të mesfushorit i cili për shumë vite ka qenë kapiten i kësaj skuadre.

Në përfundimin e ndeshjes, mes brohoritjeve dhe fishekzjarrëve, të gjithë lojtarët e Hanover kanë festuar me ish-kapitenin e përfaqësueses shqiptare duke veshur një fanellë me fytyrën e tij, ndërsa ky i fundit, i emocionuar ka bërë xhiron e nderit rreth stadiumit.

Në fund, i përlotur, ai është gjunjëzuar në fushë dhe ka puthur fushën që ka shkelur për shumë vite me radhë dhe ku është kthyer në një idhull të tifozerisë.

Përveç vlerësimit të tifozëve, Lalën e ka pritur edhe një surprizë nga klubi i Hanover, që i ka dhuruar atij një makinë Volkswagen Bulli, të dekoruar me stemën e klubit.

Megjithatë, eksperienca e tij te Hanover duket se nuk është mbyllur, pasi në përfundimin e sezonit që do të aktivizohet me ekipin e dytë të Bajern Mynih, Lala pritet të kthehet te ky klub për të marrë një rol në akademi apo në bordin drejtues.

Gjithashtu lexo

Kastriot Tusha dhe “Ballistët” këndojnë “Xhamadani vija vija” midis Milanos (Video)

“Ballistët” janë duke bërë atmosferë fantastike në Milano dhe atyre u wshtw bashkuar edhe Kastriot …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *