Home / Sport / Drita siguron Ligën e Parë

Drita siguron Ligën e Parë

‘Drita’ do të ‘ndriçojë’ në Ligën e Parë, pasi skuadra bogovinase më barazimin 0:0 me Osogovën, dy javë para fundit siguroi kualifikimin në elitën e futbollit në vend. Për Dritën ky është një sukses historik, pasi ekipi arrin kulmin e garave pas 18-të viteve egzistencë. Përveç Dritës, kualifikimin në Ligën e Parë të martën e ka siguruar edhe Pelisteri, që rrikthehet në elitë pas një viti në kategorinë e dytë.

Klubi i Futbollit Drita nga fshati Bogovinë i Tetovës ka shënuar sukses historik, duke siguruar kualifikim në Ligën e Parë të futbollit në Maqedoni. Skuadra e formuar në vitin 1994, pas 18-të viteve gara në kategori të ndryshme, këtë sezon regjistron suksesin më të madh në historinë e klubit, duke prekur elitën e futbollit në vend. Drita me meritë siguron Ligën e Parë, pasi ishte skuadra që ‘ndriçoi’ më së shumti gjatë gjithë vitit, dominoi Ligën e Dytë, fitoi 16-të ndeshje, 10-të herë barazoi, ndërsa u mund më së paku se çdo ekip tjetër, vetëm dy herë. Drita ka sulmin më të mirë në ligë dhe mbrojtjen më të mirë, kështu që inkuadrimi në Ligën e Parë është më se i merituar. Drita të martën në Koçani luajti 0:0 me Osogovën dhe kjo pikë ishte e mjaftueshme që dy javë para fundit të kampionatit edhe matematikisht të sigurojë inkuadrimin në Ligën e Parë. Ky sukses me shpejtësi bëri jehonë në Bogovinë dhe rrethinë, ndërsa arritja e ekipit në fshat u prit nga qindra qytetarë dhe tifozë të skuadrës. ‘Siç po shihet ne jemi në festë, pasi pika e fituar kundër Osogovës ka vlerën e arrit dhe na mundësoi që të shënojmë suksesin tonë historik . Mendoj se edhe në takimin e fundit dëshmuam se me meritë jemi liderë. Realisht jemi skuadra që kemi treguar më shumë në këtë pjesë të kampionatit dhe kjo festë është e merituar. Më vjen mirë që tifozëve tanë u mundësuam një kënaqësi të këtillë, ndërsa i falemenderojmë shumë për pritjen madhështore që i bënë ekipit. Premtojmë se do të vazhdojmë të punojmë për të përmirësuar në vazhdimësi skuadrën dhe për të rritur imazhin tonë si ekip me organizim shumë të mirë’, i përfshirë nga emocionet foli për mediat kryetari i skuadrës bogovinase, Abedin Aliti, fjalët e të cilit mezi se dëshoheshin nga zhurma e madhe e tupanëve e zurlave si dhe brohoritjeve të shumta, që kishin vetëm një emër, ‘Drita, Drita, Drita….’. Trajneri Beqiri i lumtur për këtë sukses, vlerësoi se Drita me punën e bërë meritoi këtë arritje. ‘Jam shumë i lumtur me suksesin e arritur. Krenohem për Dritën dhe Bogovinën. Uroj të gjithë këtë sukses dhe shproj të vazhdojmë me suksese. Jam i lumtur për futbollistët, për kryesinë dhe për veten time. Vërtet jam krenar që jam pjesë e historisë më të lavdishme të KF Drita dhe dhashtë Zoti që në të ardhmen tu gëzohemi rezultateve historike në Ligën e Parë’, deklaroi Jeton Beqiri, njeriu që drejtoi ekipin nga pankina drejt elitës së futbollit në Maqedoni. Festa e Dritës vazhdoi deri në orët e vona, kur sheshi i Bogovinës i ngjante në dasme të vërtetë, ndërsa dasmorët ishin padyshim futbollistët e skuadrës që shijonin në maksimum suksesin e arritur. Ndryshe të martën inkuadrimin në Ligën e Parë e siguroi edhe skuadra e Pelisterit, të cilët me fitoren 2:1 përballë Miravcit, pas një viti në Ligën e Dytë, siguruan rrikthimin në elitë. Në ndeshjet tjera Pobeda Juniori mundi 4:1 Makedonija Gj.P., Vëllazërimi u deklasua 1:7 nga Euromilku, Skopje fitoi 1:0 Gostivarin duke bërë që ky ekip të frikësohet për statusin në Ligën e Dytë. Edhe Korabi ka shumë brenga mbijetese, pas humbjes 1:0 nga Tikveshi, ndërsa Rufea-M barazoi 1:1 me Bellasicën.

Rezultatet e javës së 28-të
Pobeda Junior – Makedonija Gj.P 4-1
Lokomotiva – Ohri Lote (nuk u zhvillua)
Vëllazërimi – Euromilk 1-7
Pelsiteri – Miravci 2-1
Skopje – Gostivari 1-0
Osogova – Drita 0-0
Tikveshi – Korabi 1-0
Bellasica – Rrufea-M 1-1

Emrat që do mbeten në historinë e Dritës

Inkuadrimi i Dritës në Ligën e Parë sigurisht që është meritë e drejtuesve të klubit, ndërsa përgjithmonë në historikun e kësaj skuadre do të ngelin të shkruar emrat e futbollistëve që sollën këtë sukses. Padyshim meritojnë të përmenden një nga një gjithë ata që këtë sezon derdhën djersën e tyre në arritjen e këtij suksesi të Dritës. Kushtrim Abdullahi, Besim Adili, Arlind Zenullai, Qahil Muharemi, Blerton Nafija, Elfat Bajrami, Amir Aliju, Rufat Çelik, Xhenis Munishi, Burim Sadiku, Argjend Ramadani, Zhivorad Radonjiq, Besnik Ismaili, Daniel Radevski, Driton Zeadini, Valmir Jonuzi, Mumin Sallai, Betim Miftari, Faton Shaqiri, Brendim Rushiti, Sheip Imeri, Berat Imeri (tani më trajner në kategoritë e Renovës), janë futbollistët që kontribuan në këtë sukses, ndërsa padyshim merita të mëdha tek ata që drejtuan ekipin nga pankina, gjegjësisht stafin teknik me ‘shefin’ Jeton Beqirin dhe ndihmësit e tij Lupço Pirinskin dhe Sare Vuçevskin. Kuptohet se gjithë kryesia ka meritat e veta, mirëpo i pashmangshëm është sinonimi i kësaj skuadre, presidenti Abedin Aliti.

Gjithashtu lexo

Ylli i Shkëndijës: Nuk kemi çfarë të humbasim ndaj Milanit

Ardian Cuculi ka thënë se Shkëndija do të tentojë të bëjë lojën e saj dhe …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *