Home / Sport / Drogba i jep Çelsit Ligën e Kampioneve

Drogba i jep Çelsit Ligën e Kampioneve

Veteranët e Çelsit kanë përmbysur të gjitha parashikimet duke fituar Ligën e Kampioneve, për të bërë realitet një ëndërr disavjeçare të këtij klubi. Londinezët e kanë bërë një gjë të tillë duke merituar nofkën “surpriza e sezonit”, pasi në vitin e tyre më të dobët në kampionat, mes shumë problemesh, kanë arritur fillimisht të eliminojnë gjigandët e Barcelonës, e tani të mundin në fushën e tyre Bajern Mynih.

Në një finale me mjaft tension, ashtu siç pritej ka qenë Bajern që ka patur iniciativën që në minutat e para duke kërkuar më me ngulm golin, ndërsa Çelsi ka përdorur taktikën e saj mbrojtëse duke mos lënë shumë hapësira në prapavijë. Kur mbrojtja e improvizuar e londinezëve nuk funksionon, mendon Peter Çeh të ruajë portën e tij me ndërhyrje të sigurta, duke ndalur tentativat e Gomez, Roben, Myler apo Riberi.
Emocionet më të mëdha të sfidës janë në 10 minutat e fundit të kësaj ndeshje, ku fillimisht është Tomas Myler që në minutën e 83-të kalon në avantazh ekipin bavarez me një gjuajtje me kokë. Duket se Bajern ka vënë duart mbi trofeun, por ka ide të tjera Didier Drogba, i cili me rastin e parë të rrezikshëm që i shfaqet, pas një goditje nga këndi në minutën e 88-të, barazon rezultatin me një gjuajtje me kokë.
Ndeshja shkon në kohët shtesë, ndërsa Bajern ka mundësi përsëri të kalojë në avantazh me penallti, pasi Drogba shkakton faull në zonë ndaj Riberi. Por nga pika e bardhë gabon Arjen Roben, me portierin Çeh që ndalon gjuajtjen e tij dhe mban në lojë ekipin e Çelsit.
Pas 30 minutave të tensionuara për të dy palët, skuadrat shkojnë në gjuajtjet nga pika e bardhë. Dukej se Bajern do të merrte këtë trofe nga penalltitë, pasi që në gjuajtjen e parë është Mata që hipnotizohet nga Nojer. Por Çeh gjen krahun e goditjes së Oliç dhe vendos përsëri barazinë. Vendimtare bëhen gjuajtjet e fundit të serisë. Shvajnshtajger gabon duke goditur shtyllën, ndërsa Drogba dërgon topin në rrjetë, duke i dhënë suksesin e parë evropian klubit të Çelsit.
Fitorja duket e pabesueshme edhe për faktin se vetëm 2 muaj më parë, kjo skuadër drejtohej nga një trajner tjetër, i cili ishte punësuar me qëllimin që të largonte të gjithë veteranët. Por pikërisht këta të fundit, tashmë nën drejtimin e trajnerit të përkohshëm Di Mateo, kanë përmbysur çdo parashikim të mundshëm duke fituar Ligën e Kampioneve, për t’i dhënë fund në mënyrë të shkëlqyer një cikli të filluar 8 vite më parë.

Gjithashtu lexo

Shikoni çfarë ka bërë Barcelona pas sulmit terrorist (FOTO)

Klubi i Barcelonës ka reaguar pas sulmit terrorist në Barcelonë. Katalunasit e kanë bërë një …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *