Home / Lajme / Maqedoni / Hetimet për varrezat masive edhe në Maqedoni

Hetimet për varrezat masive edhe në Maqedoni

28 maj-Supozohet se pasi janë vrarë e masakruar nga forcat serbe ata janë hedhur në lumin Lepenc, rrjedha e të cilit I ka dërguar në Maqedoni. Sipas dokumentacioneve që posedon komisioni për të pagjeturit, disave prej të vrarëve u është bërë dhe autopsi në Institutin për Mjekësi Ligjore në Maqedoni.

Paralelisht me hapjen e 35 varrezave në Kosovë, ku kërkohen trupat e 312 personave që dyshohet të jenë varrosur në to, do të nisin edhe hetimet në Maqedoni, ku dyshohet se ekzistojnë trupat e pajetë të rreth 20 kosovarëve të vrarë nga serbët në vitin 1999.

Një gjë të tillë e ka paralajmëruar kryetari i Komisionit qeveritar të Kosovës për të Pagjeturit, Prenk Gjetaj. Ai është shprehur i pakënaqur nga mungesa e deritanishme e gatishmërisë te pala maqedonase për të bashkëpunuar lidhur me dyshimet për ekzistimin e varrezave masive në Maqedoni, por ka paralajmëruar se një kërkesë e re do t’i drejtohet sërish Maqedonisë.
“Kjo çështje nuk po ecën ashtu siç duhet, jo vetëm, me Maqedoninë, por edhe me Serbinë. Akoma nuk kemi marrë një përgjigje nga Ministria e Punëve të Jashtme. Kërkesën dhe të gjitha dokumentacionet mbi dyshimet për ekzistimin e varrezave masive do ta dërgojmë sërish,me qëllim që të marrim leje për nisjen e hetimeve”, deklaroi Gjetaj për “Lajm”.
Sipas dëshmive të mbledhura nga Komisioni për të pagjeturit trupat e pajetë të rreth 20 shqiptarëve nga Kosova që rezultojnë të zhdukur që nga lufta e 99, gjenden pranë bregut të lumit Lepencë dhe në varrezat e Butelit.
Supozohet se pasi janë vrarë e masakruar nga forcat serbe ata janë hedhur në lumin Lepenc, rrjedha e të cilit I ka dërguar në Maqedoni. Sipas dokumentacioneve që posedon komisioni për të pagjeturit, disave prej të vrarëve u është bërë dhe autopsi në Institutin për Mjekësi Ligjore në Maqedoni.
Edhe burime të “Lajmit” brenda Ministrisë së Drejtësisë së Maqedonisë, pohojnë se sivjet mund të nisin hetimet, në varrezat e Butelit dhe në dy lokacione të tjera ku dyshohet se janë varrosur kosovarë të zhdukur gjatë luftës. “Ka rreth një vit që është marrë kërkesa nga pala kosovare rreth dyshimeve se në disa lokacione në Maqedoni gjenden eshtrat e disa personave të vrarë gjatë luftës. Këtë kërkesë e kemi shqyrtuar me mjaft seriozitet dhe së shpejti do të nisin hetimet rreth gjetjes së tyre”, tha i njëjti burim.
Ndërkaq, lokacioni i parë ku do të gërmohet të enjten në Kosovë është lokacioni Pastasel afër Rahovecit, ku do të zhvarrosën 56 persona që mendohet të jenë varrosur gabimisht, por kjo do të mundësohet vetëm nëse pushon shiu.
Ekskavatorët e udhëhequr nga Departamentit i Mjekësisë Ligjore gjatë 2 javëve do të hapin edhe gjashtë lokacione të tjera, e gjatë verës 35 sosh në Kosovë, plus atë në Rudnicë të Serbisë. Shumica prej viktimave janë në varreza e individuale, por ka edhe lokacione ku dyshohet për varreza masive. 80 persona dyshohet të jenë varrosur në një fushë në poligonin e qitjes në Prizren, nga 26 persona në Zhilivodë të Vushtrrisë, e Dren të Zubin- Potokut, 24 në Gorozhup të Prizrenit e 15 në hapësirat brenda termocentraleve në Obiliq.
Me qëllim të humbjes së gjurmëve të krimeve, forcat serbe, pos që kanë kidnapuar e vrarë, kanë zhvarrosur mijëra kufoma të shqiptarëve.
Nga rreth 13 000 persona të vrarë gjatë luftës në mes njësiteve të UÇK-së në Kosovën, e banuar me shumicë shqiptare, dhe forcave serbe, rreth 1 800 persona ende rezultojnë të humbur.
/lajmpress)

Gjithashtu lexo

Lumi në Poroj të Tetovës ende mbetet pezull, banorët bllokojnë rrugën Tetovë-Jazhincë

Banorët e fshatit Poroj, sot (18 gusht), prej ora 14:00 e kanë bllokuar rrugën rajonale …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *