Home / Sport / INTERVISTË ME FERHAN HASANIN

INTERVISTË ME FERHAN HASANIN

Me përfundimin e sezonit në elitën e futbollit gjerman futbollisti tetovar i Wolfsburgut, Ferhan Hasani ka udhëtuar drejt Maqedonisë ku do t’i bashkohet kombëtares së shpresave të Maqedonisë për përballjen e eliminatoreve me Irlandën e Veriut, e cila më 10 maj do të zhvillohet në Kumanovë. Grumbullimi i kombëtares U 21 ishte të hënën, ndërsa Hasani nga e diela arriti në Tetovë, ku përpos që shfrytëzoi kohë për tu takuar me familjen e tij më të ngushtë, ai gjithsesi nuk mundi të lëshojë pa ndjekur derbin e javës së 29-të në Ligën e Parë të futbollit të Maqedonisë, ndërmjet KF Shkëndija dhe KF Renova. Pikërisht me këtë rast, Hasani ekskluzivisht për ‘Koha’-n foli rreth qëndrimit të tij në këto 5 muaj te Wolfsburgu dhe për atë që pret në të ardhmen.

Koha: Ferhan, tani më 5 muaj jeni pjesë e skuadrës së Wolfsburgut, mund të na thoni se si ka kaluar kjo periudhë në aspektin profesional?

F.Hasani: Realisht transferimi im prej Shkëndijës te Wolfsburgu e kam thënë edhe më herët se ishte potësim i një ëndre të madhe. Normal se nuk është lehtë që nga Maqedonia të kalosh në Bundesilgë, pasi dallimi është shumë i madh në të gjitha drejtimet dhe ndoshta as që mund të bëhen krahasime. Normal që ky fakt bëri që unë të has në vështirësi gjatë adaptimit në ekipin tim të ri, por me punë profesionale dhe angazhim maksimal gjithçka është e aritshme.

Koha: Sa e kishit të vështirë të kapni rritmin në seancat stërvitore, kur si që përmendët, dihet se dallimi mes kampionatit të Maqedonisë dhe atij gjerman është shumë i madh.

F. Hasani: Jo vetëm për mua, por për çdo futbollist që arrin në Bundesligë nga ndonjë kampionat më i dobët, fillimi është i vështirë. Tani s’ka nevojë të numroj dallimet që ekzistojnë, dhe mënyra se si punohet atje. Gjithçka është në nivelin më të lartë dhe neve futbollistëve na mbetet që vetëm të japim maksimumin në fushë. Në fillim e kisha shumë të vështirë, mirëpo me kalimin e kohës kam përshtypjen se gjithnjë e më shumë e gjeja veten. Kjo është edhe normale, pasi pos që arrija të përmirësohem në aspektin fizik, njëkohësisht adaptohesha me rrethin e ri dhe ngadalë filloja të ndjehem si në shtëpi, normal tani më me kushte të reja.

Koha: Gjithsesi sezoni në Bundesligë u mbyll dhe ju nuk kishit mundësi të debutoni në ndonjë ndeshje kampionale.

F.Hasani: Realisht me vjen keq për këtë fakt, por për atë vendos trajneri Maghat, i cili e din më mirë se si të veprojë me mua, por edhe me futbollistët tjerë. Unë punoj maksimalisht në çdo seancë stërvitore, me trajnerin jam i kënaqur pasi vazhdimisht më këshillon për gjithçka dhe ndjej se punojnë shumë me mua dhe ky fakt më bën të ndjej një rehati se në skuadër bartin llogari rreth meje. Normal besoj se sezonin e ardhshëm gjërat do të ndryshojnë dhe do të kem rastin të jem pjesë e ekipit në ndeshje kampionale. Unë do të vazhdoj të jap maksimumin dhe mbetet të shohim se si do të rrjedhin gjërat. Vetëm dua të ceki se ndjenja të luash për Wolfsburgun është e mrekullueshme, pasi këtë e ndjeva në përgatitjet dimërore, kur trajneri më aktivizoi në një takim kontrollues.

Koha: Tani jeni kthyer në Maqedoni për t’u bashkuar me kombëtaren U 21 për sfidën kualifikuese me Irlandën e Veriut. Mendoni se qëndrimi në Wolfsburg do t’ju ketë ndihmuar për të qenë shumë më i përgatitur se të tjerët dhe mbase kjo do t’u ndihmojë të jeni futbollisti kyç i kombëtares.

F. Hasani: Besoj se po, pasi realisht pa dashur të ofendoj dikënd, nuk është e njëjtë të punosh në Maqedoni, me atë në Gjermani. Unë si gjithnjë do të vazhdoj të jap më të mirën nga vetja dhe shpresoj që të jem në ndihmë të kombëtares. Ku do që luaj, unë kam për qëllim të nxjer maksimumin nga vetja dhe kështu do të jetë çdo herë, deri sa të merem me futboll. Ne do luajmë për fitore përballë Irlandës dhe shpresoj që unë të jem në nivelin e duhur.

Koha: Megjithse të dielën arritët në Maqedoni, ju gjetët kohë për të ndjekur derbin lokal ndërmjet Shkëndijës dhe Renovës?

F. Hasani: Me që duhej të udhëtoj drejt Maqedonisë, nuk mund të lejoja pa ndjekur këtë përballje. Normal Shkëndija është shtëpia ime e dytë, te ky klub bëra hapat e parë të futbollit dhe më pas arrita të afirmohem si futbollist. Nga Shkëndija kalova në Wolfsburg dhe këtë skuadër s’do ta haroj kurrë. Më vjen mirë që ish-ekipi im arriti të fitojë bindshëm dhe uroj që gjithnjë të kenë rezultate pozitive. Ishte kënaqësi të takoj ish-bashkëlojtarët, shokët e mi dhe publikun tetovar. Shfrytëzoj rastin që të falemenderoj ‘Ballistët’ por edhe gjithë pjesën tjetër të publikut që gjithmonë kanë qenë pas meje dhe se në këtë takim përsëri më nderuan duke skaduar emrin tim. Të gjithëve u dëshiroj shëndet dhe çdo të mirë në jetë, ndërsa Shkëndijës shumë fitore dhe tituj në të ardhmen.

Koha: Ferhan faleminderit që ndatë kohë për këtë intervistë dhe nëse keni diçka për të shtuar.

F.Hasani: Kënaqësia ishte e imja. Dua t’ju falemenderoj që gjithmonë qëndroni në mbështetje të neve sportistëve, duke na mbajtur më afër opinionit tonë. Përshëndes gjithë klientët e ‘Koha’-s dhe uroj që gjithë shqiptarët ku do që janë të ecin vetëm përpara për të treguar vlera kombëtare.

Gjithashtu lexo

Tifozët shqiptarë nga Tetova pushtojnë rrugët e Milanos, çfarë po ndodh para ndeshjes? (VIDEO)

Grupimi i tifozëve të Shkëndijes, “Ballistët” që shquhen edhe si një nga tifozeritë më të …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *