Home / Lajme / Rajon / Kosovë Shqipëri-Një abetare.

Kosovë Shqipëri-Një abetare.

17 maj-“Ne nuk jemi kombi i zgjedhur i zotit, por jemi në të drejtën tonë, ne jemi në trojet tona…I themi fqinjëve, çlirohuni nga shqiptarofobia, ajo është plehra e primitivizmit të së kaluarës suaj! Shqiptarët janë komb miqësor, ndërsa ata me skena si ato të Preshevës faktojnë se janë në ende në stadet primitive”, komentoi ai

Në Prizren në Qendrën Sportive “Sezai Surroi” me pjesëmarrje të autoriteteve të larta shtetërore kosovare dhe shqiptare, të enjten u mbajt ceremonia e promovimit të abetares së përbashkët Shqipëri-Kosovë. Më 24 prill u përzgjodh teksti fitues për Abetaren e përbashkët Shqipëri-Kosovë. Teksti i përzgjedhur ka si bashkautorë, Shezai Rrokaj, Mimoza Gjokutaj dhe 2 përfaqësuesit nga Kosova Islam Krasniqi dhe Saranda Kumonova Pozhegu. Ndërsa grafika është realizuar nga Lorenc Buzi. Përzgjedhja është bërë nga komisioni vlerësues me përfaqësi të dy palëve. Në garë ishin 13 Shtëpi Botuese, nga të cilat fituese është shpallur Shtëpia Botuese “Pegi” dhe shoqëria “Dukagjini”. Unifikimi i teksteve shkollore është një nisme mes dy ministrive të arsimit të Shqipërisë dhe Kosovës, që do të vijojë edhe me tekste të tjera shkollore.
Kryeministri Berisha i pranishëm në ceremoninë e inaugurimit të Abetares së përbashkët Shqipëri-Kosove, deklaroi se kjo është dhurata më e bukur që i bëhet kombit tonë në 100-vjetorin e Pavarësisë. “Falënderoj përzemërsisht hartuesit për këtë kryevepër që i dhuruan sot fëmijëve të kombit tonë Abetaren e parë të njehësuar, të bashkuar, e cila vjen sot këtu në këtë sallë si një vepër e rrallë e shqiptarëve që ka endur në shekuj për të ardhur tek ju, fëmijët e Prizrenit, fëmijët e kombit shqiptar. Ajo mban ëndrrën e dhjetëra qindra gjeneratave të shqiptarëve, të cilët donin të kishin një Abetare të përbashkët. Mban sakrificat që në kohët e Skënderbeut e deri në luftërat për çlirim të Kosovës e Maqedonisë. Mban idealin e bashkimit si ideali i përjetësisë kombëtare”, deklaroi Berisha. Duke iu drejtuar nxënësve që kishin mbushur plot e përplot sallën, Berisha tha: “Nuk duhet të harroni kurrë se ka me qindra, mijëra jetë të flijuara që ju të jeni të lirë, që në të jemi të lirë të ndërtojmë të ardhmen tonë të shkëlqyer. Abetarja është margaritari i kurorës së 100 vjetorit të Shqipërisë së pavarur, dhurata më e bukur që njerëzit e lirë mund t’ju bënin Shqipërisë dhe shqiptarëve”, tha ai. Kryeministri Berisha deklaroi se shqiptarët kudo që ndodhen janë të vendosur të bashkohen në BE, ndërsa nuk nguroi t’i bëjë thirrje fqinjëve të çlirohen nga shqiptarofobia dhe veprimet primitive.
“Ne nuk jemi kombi i zgjedhur i zotit, por jemi në të drejtën tonë, ne jemi në trojet tona. Sot më të vendosur se kurrë që të punojmë për projektin e bashkimit të shqiptarëve në kuadër të projektit të BE. Të punojmë për paqen e stabilitetin në rajon e më gjerë. I themi fqinjëve, çlirohuni nga shqiptarofobia, ajo është plehra e primitivizmit të së kaluarës suaj! Shqiptarët janë komb miqësor, ndërsa ata me skena si ato të Preshevës faktojnë se janë në ende në stadet primitive”, komentoi ai. Ndërkaq kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi gjatë fjalës së tij në ceremoninë e promovimit të abetares së përbashkët Shqipëri-Kosovë, e cilësoi një ditë historike për të gjithë shqiptarët. “Më lejoni të uroj këtë ditë të madhe për shqiptarët. Sot është një ditë historike për kombin, kulturën dhe qytetërimin shqiptar. Sot ju prezantojmë abetaren e përbashkët të shqiptarëve, të ardhmen e kombit shqiptar. Kjo është arritje historike. Është abetarja e parë e përbashkët e autorëve nga Shqipëria dhe Kosova. Urime”, uroi kryeministri i Kosovës, raporton Balkanweb. Thaçi deklaroi se jo rastësisht ceremonia po mbahet në Prizren kryeqytetin shpirtëror të shqiptarëve, pasi sipas tij ai është qyteti i bashkimit të shqiptarëve në një komb. “Sot të gjithë shqiptarët ku jetojnë, janë me ne, janë me abetaren e përbashkët. Jemi mbledhur në kryeqytetin shpirtëror të shqiptarëve në qytetin mes kryeqyteteve politike dhe administrative, Tiranës dhe Prishtinës, në qytetin e bashkimit të shqiptarëve në një shtet të vetëm. Sot në vitin jubilar të 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë institucionet po promovojnë librin e përbashkët. Kjo është abetarja e kombit, kjo është arritje për të gjithë shqiptarët. Këtë mund ta bëjë një shtet i lirë dhe sovran”, deklaroi Thaçi. Sipas Thaçit fati i abetares është i njëjtë me fatin e shqiptarëve dhe falë përpjekjeve shekullore tashmë shqiptarët do keni një gjuhë dhe një flamur.

Gjithashtu lexo

Futet për nevoja personale në bunker, burrit i ndryshon jeta përgjithmonë

Ka ndodhur në një fshat të Elbasanit. Burri hyn për nevoja personale në një bunker …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *