Home / Lajme / Rajon / Limaj :Thaçi s’ka fuqi për të ecur proceset

Limaj :Thaçi s’ka fuqi për të ecur proceset

19 maj-Limaj ka thënë se për një vit e gjysmë Qeveria ka pasur ngecje, rënie të intensitetit të punës. “PDK-ja në mandatin e kaluar ka bërë projekte madhore dhe ua ka kthyer shpresën qytetarëve, vullnetin për të punuar dhe krijuar të ardhmen në këtë vend.

Fatmir Limaj, nënkryetar i Partisë Demokratike, i cili ditë më parë u shpall i pafajshëm për akuzat që i bëheshin për krime lufte si ish komandat i UÇK-së, dhe po ashtu doli i pafajshëm për akuzat që i bëheshin për korrupsion si ish ministër i Transporti, ka folur për herë të parë pas një viti, për zhvillimet politike në Kosovë.

Në emisionin Debat të RTK-së, deputeti Limaj ka dhënë lëvdata dhe akuza për punën e qeverinë që udhëhiqet nga partia e tij, në veçanti politikën e jashtme të Republikës së Kosovës, por edhe luftën selektive ndaj korrupsionit, që nuk do të jep rezultat derisa nuk angazhohen të gjithë mekanizmat në luftimin e kësaj dukurie të keqe dhe shumë të dëmshme për Kosovën. Ai ka thënë se kryeministri Hashim Thaçi me koalicionin që ka bërë nuk ka fuqi të çojë proceset përpara, ndërkohë që ka folur edhe për opozitën.

Duke folur për proceset gjyqësore ndaj tij, Limaj ka thënë se është bërë një ‘luftë shtrigash’ me qëllim të fitimit të poenave politikë të dikujt që ka interes të realizojë agjendën e tij të politikës ditore. Ai ka thënë se në këtë intervistë nuk do të përmend emra, për shkak se siç ka thënë ai me shaka ‘është si intervistë jubilare’, jo se nuk do të flasë në një moment të caktuar për veprimet spektakolare që në emër të drejtësisë janë bërë ndaj tij. “E para, nuk kam çfarë të flasë për akuzat që më janë bërë për krime lufte, sepse ka folur drejtësia. E kam thënë që lufta çlirimtare ka qenë e pastër dhe jam krenar që isha pjesë e saj. E dyta, sa i përket akuzave për korrupsion, kam thënë se nuk është keqpërdorur asnjë cent, dhe tashmë ka kaluar afati ligjor dhe drejtësia nuk ka gjetur asnjë shkelje”, ka thënë Limaj. Ai ka thënë se drejtësia ka fituar në Kosovë, edhe pse sipas tij, është përpjekur t’i bëhet një gjykim publik me bastisjen spektakolare të policisë, me nxjerrjen e thashethemeve për 30, 50 e deri në 80 milionë euro gjoja të keqpërdoruara si ministër i Transportit. Duke folur për punën e Qeverisë, ish-ministri i Transportit ka thënë se Qeveria detyrimisht bën punë të mira, që nuk shihen, por gjatë punës së saj ka edhe gabime që nuk duhet përsëritur. E para, sipas Limajt, kabineti aktual qeveritar është i stërngarkuar, gjë që nuk shkon aspak me realitetin e Kosovës. “Është jashtëzakonisht e tepërt të kemi pesë zëvendës kryeministra. Pastaj kemi ministra ‘kullera’ që më shumë rrinë jashtë se sa në Kosovës, madje pothuajse çdo vikend argëtohen në Maqedoni, Shqipëri, apo vende të tjera të rajonit. Fëmijëve tanë u ka hije të jenë edhe ‘kullera’, por për gjeneratën tonë është e tepërt. Dhe natyrisht kemi edhe ministra të cilët janë jashtëzakonisht të përkushtuar në punë”.

Limaj ka thënë se për një vit e gjysmë Qeveria ka pasur ngecje, rënie të intensitetit të punës. “PDK-ja në mandatin e kaluar ka bërë projekte madhore dhe ua ka kthyer shpresën qytetarëve, vullnetin për të punuar dhe krijuar të ardhmen në këtë vend. Mirëpo gjatë këtij viti e gjysmë të qeverisjes në mandatin e dytë, qeveria ka ngecur në disa fusha, dhe sidomos në politikën e saj të jashtme. Nuk është politikë e jashme vetëm shtimi i njohjeve të reja, por është lufta jonë për ta ndryshuar imazhin e Kosovës, lufta për t’ua bërë të huajve të njohura vlerat që kemi dhe lufta për të thithur sa më shumë investime”.

Deputeti i PDK-së ka thënë se kryeministri Thaçi ka zgjedhur një koalicion të brishtë që e ka të vështirë të ecë me hapa të shpejtë. Ai ka thënë se kryeministri e ka mbështetjen e anëtarëve të koalicionit kur janë në pyetje poenat politikë, ndërsa kur bëhet fjalë për sfidat, të gjitha ia mbështesin PDK-së. “Kur u vendos reciprociteti me Serbinë, Mimoza (Kusari-Lila) shtyhej me Hajredinin (Kuçin) për të marrë përgjegjësinë, por këtu nuk kishte vend për shtyrje, sepse ishte vendim i Qeverisë. Kur u pranua fusnota, partnerët tanë në koalicion humbën për dy javë, ia lanë fusnotën PDK-së. Prandaj e them se me këtë lloj koalicioni, Thaçi është i pafuqishëm”.

Duke folur për veriun dhe bisedimet me Serbinë, Limaj ka thënë se veriu është çështje që duhet zgjidhur përmes dialogut me serbët lokal dhe bashkësinë ndërkombëtare. Ai ka thënë se duhet harruar logjika se çështja e veriut mund të kryhet me zgjidhje ushtarake. “Sa i përket bisedimeve me Beogradin, them se deri tani Serbia ka fituar statusin e kandidatit, ndërsa Kosova ka fituar premtime. Unë vlerësoj se për të zhvilluar bisedime me Serbinë, duhet ‘kushtëzuar’ Bashkimin Evropian. Pra që Kosova të bisedojë me Serbinë, Bashkimi Evropian duhet të kërkojë nga Serbia të shuajë strukturat e saj paralele në veri të Kosovës, të ndalë provokimet dhe të implementojë marrëveshjet e arritura deri tani midis dy shteteve”.

Limaj ka folur edhe për Partinë Demokratike, duke thënë se do të qëndrojë në parti për të kontribuuar në demokratizimin e saj. Ai ka thënë se nuk e ka ndërmend që aktualisht të angazhohet në qeveri, pikërisht për shkak se ka qenë kundër këtij koalicioni prej fillimi. “Sa i përket opozitës, në Kosovë ka dy lloje të saj, Lidhja Demokratike që ka qenë më opozitë kur ishte në koalicion me PDK-në, dhe Vetëvendosja, e cila bën shpesh politikë ekstreme pa paraqitur argumentet. Sidoqoftë, opozita e fortë që kritikon me argumente nuk e dëmton qeverinë, përkundrazi e bën atë më të fortë dhe më përgjegjëse për punën apo mos punën e saj”, ka thënë ndër të tjera Limaj.

Gjithashtu lexo

Një polic turk është vrarë nga luftëtari i SHI-së në stacionin policor në Stamboll

Një polic turk mbrëmë është goditur me thikë për vdekje në stacionin policor në Stamboll …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *