Home / Lajme / Maqedoni / Studentët nuk e dijnë se kush i udhëheq

Studentët nuk e dijnë se kush i udhëheq

28 maj-Rezultatet e anketës kanë treguar se 57 për qind e studentëve të USHT-së thonë se asnjëherë gjatë studimeve nuk kanë votuar për zgjedhjen e kreut të Parlamentit studentor, ndërsa 83 për qind nuk dijnë nëse kanë përfaqësues të fakultetit të tyre në Parlamentin studentor. Situatë e ngjashme është edhe në UEJL

Urim Hasipi
Studentët e dy universiteteve të Tetovës nuk janë të njoftuar me mënyrën e organizimit të tyre, të drejtat e tyre dhe se kush i përfaqëson ata në Parlamentet studentore. Kështu thonë rezultatet e publikuara nga një hulumtim i bërë nga shoqata “Platforma për pluralizëm studentor”, në të cilën marrin pjesë rreth njëzet shoqata joqeveritare dhe studentore nga Maqedonia. Në bazë të këtij hulumtimi, të realizuar edhe në Universitetin e Evropës Juglindore dhe në Universitetin Shtetëror të Tetovës, tregohet se studentët aspak nuk kanë njohuri rreth mënyrës së zgjedhjeve në Parlamentet studentore dhe kush janë drejtuesit e tyre. Sipas anketës, në USHT – 85 për qind e studentëve nuk janë anëtarë të asnjë organizate studentore, ndërsa 9 për qind janë anëtarë dhe 6 për qind nuk kanë përgjigje në pyetjen e anketës. “Po në këtë universitet, në pyetjen se cilat janë arsye pse nuk bëhen anëtarë të kësaj organizate studentore, 5 për qind thonë se nuk kanë kohë të merren me ata, dy për qind thonë qëllimet e tyre nuk kanë të bëjnë me interesin e tyre, 46 për qind e të anketuarve thonë se shoqatat studentore janë nën ndikime partiake, ndërsa po aq thonë se shoqatat studentore nuk kanë kapacitet të bëjnë ndryshime në Universitetin Shtetëror të Tetovës”, tha Martin Aleksovski, duke prezantuar rezultatet e anketës. Në bazë të këtij hulumtimi, Aleksovskit, 54 për qind e studentëve të USHT-së janë përgjigjur se nuk janë të njoftuar për zgjedhjet e Parlamentin studentor, ndërsa 39 për qind thonë se zgjedhja bëhet në çdo 1 vit. Në pyetjen për pjesëmarrjen në zgjedhjet e parlamenteve studentore, 57 për qind e studentëve të USHT-së thonë se asnjëherë gjatë studimeve nuk kanë votuar për zgjedhjen e kreut të Parlamentit studentor, ndërsa 83 për qind nuk e dinë se a kanë përfaqësues të fakultetit të tyre në Parlamentin studentor. Situatë e njëjtë është edhe në UEJL, ku 74 për qind e studentëve nuk janë pjesë e ndonjë shoqate studentore, ndërsa vetëm 24 për qind prej tyre janë të kyçur në aktivitetet e studentëve. Në këtë universitet, 35 për qind e studentëve mendojnë se nuk kanë përfaqësues në Parlamentin e studentëve, kundrejt dy përqindjes që thonë se dikush i përfaqëson. Në bazë të anketës, asnjë student nuk e di se cili është përfaqësuesi në PSUEJL-së nga fakulteti në të cilin studiojnë. Në UEJL, vetëm 13 për qind e studentëve janë pjesë e punës së Parlamentit studentor, ndërsa 59 për qind prej tyre nuk janë pjesë aspak e atij Parlamenti. Në këtë universitet, 6 për qind e studentëve mendojnë se çdo gjashtë muaj mbahen zgjedhjet për përfaqësuesit e tyre, ndërsa 51 për qind e tyre nuk e dijnë se kur mbahen zgjedhjet për përfaqësuesit e studentëve. Këto hulumtime shoqata “Platforma e pluralizmit studentor” i ka prezantuar në Tetovë në sallën e Komunës së Tetovës.

Gjithashtu lexo

Vetëndizet vetura e mërgimtarit – (VIDEO)

Të shtunën mbrëma në dalje të fshati Zherovjan për në fshatin Radiovcë, është vetë-ndezur në …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *