Home / Sport / Tirana fiton Kupën e Shqipërisë

Tirana fiton Kupën e Shqipërisë

Tirana është shpallur fituese e Kupës së Shqipërisë për edicionin 2011-2012, duke marrë këtë trofe për të dytin vit radhazi. Bardheblutë e drejtuar nga spanjolli Rubio kanë mundur me rezultatin 1-0 ekipin e Skënderbeut, duke marrë Kupën për herën e 15-të në historinë e klubit bardheblu.

Në një ndeshje mes dy skuadrave që kanë dueluar gjatë sezonit edhe për titullin kampion, loja nuk ka qenë spektakolare pasi dy skuadrat kanë qenë të kujdesshme për të mos pësuar.
Pjesa e parë ka folur më shumë për Skënderbeun, deri ne momentin kur nga fusha e lojës është larguar i dëmtuar Muzaka, i cili ishte lojtari që furnizonte me pasime dyshen e sulmit korçar Xhafaj-Plaku.
Nga ana tjetër, Bala dhe Çikalleshi janë shumë të izoluar për të tentuar portën e Shehit dhe rreziqet e vetme për gardianin e kampionëve të Shqipërisë vijnë nga gjuajtjet nga distanca.
Koha e rregullt mbyllet pa gola dhe skuadrat i drejtohen kohëve shtesë. Këtu vendimtar bëhet përsëri Bekim Bala, i cili ashtu si në Superkupën e Shqipërisë, i jep suksesin bardhebluve përballë ekipit korçar. Sulmuesi shënon golin e vetëm të takimit në minutën e 107-të me një gjuajtje me kokë, duke entuziazmuar tifozët e shumtë të ekipit të Tiranës në stadiumin “Qemal Stafa”.
Pas këtij suksesi, duket se trajneri spanjoll Rubio do të vazhdojë të drejtojë bardheblutë, ndonëse konfirmimi pritet vetëm në javën e ardhshme kur ai të firmosë rinovimin me këtë skuadër. Ndërsa mbetet për t’u parë se çfarë do të ndodhë me çekun Levi te Skënderbeu, pasi ky i fundit shpesh ka qenë në dyshim nëse do të qëndronte apo jo në stolin e skuadrës korçare.

Gjithashtu lexo

Tifozët shqiptarë nga Tetova pushtojnë rrugët e Milanos, çfarë po ndodh para ndeshjes? (VIDEO)

Grupimi i tifozëve të Shkëndijes, “Ballistët” që shquhen edhe si një nga tifozeritë më të …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *