Home / Lajme / Maqedoni / Inskenojnë aksidente dhe përfitojnë mijëra euro

Inskenojnë aksidente dhe përfitojnë mijëra euro

13 qershor-Afër 15 milionë euro kompanitë e sigurimeve brenda vitit 2011 kanë paguar për dëmet e bëra nga aksidentet e trafikut, kurse sipas raporteve zyrtare në 15.302 aksidente janë kompensuar dëmet materiale e shkaktuara. Ky është një biznes që ka forma “legale” pasi që bëhen raporte, merren dokumente dhe në fund arrijnë të kenë profit të madh në kurriz të kompanive të sigurimit dhe Fondit shëndetësor

Përmes aksidenteve të rrejshme në trafik kanë arritur të përfitojnë miliona euro. Bëhet fjalë për policë të komunikacionit rrugor, punëtorë në kompani sigurimesh, punëtorë në deponi të vjetra për pajisje të veturave, qytetarë dhe tjerë që përbëjnë zinxhirin e mashtrimeve. Kështu, ata kanë arritur që në mënyrë jolegale të përfitojnë shuma të majme, duke lënduar buxhetin dhe mashtruar një zinxhir të tërë të institucioneve. Vite me radhë këto grupe të ndërlidhura edhe me institucione të shtetit, kanë organizuar aksidente të inskenuara trafiku (fiktive) dhe kanë tërhequr dëmshpërblime nga kompanitë e sigurimeve dhe Fondi i shëndetësisë. Institucionet shtetërore në bazë të njohurive të tyre dhe ankesave të kompanive private kanë hedhur dyshime se bëhet fjalë për krim të organizuar me aksidentet fiktive. Por, si ndodh kjo në praktikë? Një 27 vjeçar banorë i kryeqytetit të Maqedonisë, Shkup, Faton. V. tregon se me shokun e tij ka arritur që të përfiton rreth 5 mijë euro pas një aksidenti të improvizuar. “Dy vetura të vjetra të cilët më herët kishin bërë ndeshje trafiku dhe nuk ishin të përdorshme, i fotografuam dhe i vendosëm afër njëra tjetrës dhe pastaj njoftuam policinë, e cila erdhi në vendngjarje dhe bëri një raport. Me atë raport, përmes personit zyrtarë në një kompani sigurimi, kërkuam dëmshpërblim për dëmin e bërë. Normalisht në kushte të vërteta dëmi nga aksidenti duhej të ishte rreth 300 euro, por më pas të njëjtin, dëm në bashkëpunim me punëtorinë në kompaninë e sigurimeve e rritëm në 5 mijë euro. Në raport dërguam edhe një kontroll mjekësor për trauma të pësuara gjatë aksidentet dhe më pas të njëjtat na u refunduan në xhiro-llogarinë e auto-mekanikut tonë dhe në llogarinë time personale për shkak të kinse traumave të pësuara nga aksidenti. Pas kësaj, personave që na ndihmuan në polici dhe fond ua dhamë përqindjen e tyre. Të gjithë ngelëm të kënaqur”, thotë Fatoni, i cili tregon se raportet e policisë janë bërë në një kafe për aksidentin dhe policia as që ka dalë në vendngjarje. Kontrolli i brendshëm i policisë kishte ndjekur një kohë të gjatë këto grupe të “sofistikuara”, të cilët “dërmonin” buxhetet e kompanive ndonëse edhe në ato inskenime kishte punëtorë të tyre.
Zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Brendshme, Ivo Kotevski, thotë se janë mirë të informuar për këto trukime të aksidenteve të trafikut. “Ata i kanë vendosur në atë pozitë e cila ka ngjarë sikur me të vërtetë të ketë ndodhur aksidenti dhe atëherë policët kanë bërë hetimin, në fakt kanë bërë të ashtuquajturin hetim, kanë përgatitur raport fiktiv dhe i kanë nënshkruar dhe pastaj dhe në bazë të këtyre është bërë pagesa materiale dhe jomateriale. Në disa raste shkohet edhe një hap më tej, duke bërë dokumente fiktive për lëndime. Kemi një rast karakteristik ku personi që ka marrë pjesë në këto falsifikime, ka dorëzuar dokument falso nga mjeku, kinse ai ka qenë i lënduar, në fakt dokumenti ka qenë i një personi tjetër por vetëm emri i është ndryshuar. Në bazë të këtij dokumenti të falsifikuar është bërë pagesa nga ana e Byrosë Nacionale për Sigurime”, thotë Kotevski. Sipas tij, një formë tjetër e përfitimit është më e sofistikuar dhe për shkak të hetimeve që vijojnë nuk japim detaje. “Dyshimet janë se grupe të organizuara nxjerrin në rrugë fëmijë me motoçikleta dhe të njëjtit rrëzohen para veturave, duke inskenuar aksident apo goditje. Të njëjtit gjatë kësaj kohe ndonjëherë me të vërtetë malin lëndime, por ndonjëherë inskenojnë lëndime të brendshme që nuk kanë gjurmë. Pastaj në të njëjtin vend “rastisin” policët dhe bëjnë raporte për atë aksident. Në këtë mënyrë e tërë ngjarja duket e vërtetë, duke viktimizuar shoferin e automjetit, pasi që për lëndime të rënda trupore ajo ndiqet si vepër penale dhe jo si kundërvajtje. Gjatë kohës sa zgjatën hetimi palët në forma të ndryshme shantazhojnë drejtuesin e makinës duke përfituar mjete në të holla në kesh ose përmes padisë penale private. Pas kësaj të njëjtit mjetet i ndajnë në përqindje me policët dhe grupe kriminale”, thotë ai. Kompanitë e sigurimeve dyshojnë se disa aksidente kanë ndodhu realisht, mënyrat se si janë bërë dhe cila ka qenë skema e të dëmtuarve, por nuk mund të argumentojnë. Por, për të mbrojtur fondin e kompanisë, tashmë janë angazhuar vlerësues privat. Jo të gjithë kompanitë pranojnë të flasin publikisht në këtë skandal zinxhiror, pasi që frikohen se mos e humbin imazhin ndaj klientëve të tyre. Shumica e këtyre kompanive theksojnë se mjetet paguhen në bazë të raporteve të policisë për aksidentet në fjalë. Afër 15 milionë euro kompanitë e sigurimeve brenda 2011 kanë paguar për dëmet e bëra nga aksidentet e trafikut, kurse sipas raporteve zyrtare në 15.302 aksidente janë kompensuar dëmet materiale e shkaktuara. Ky është një biznes që ka forma “legale” pasi që bëhen raporte, merren dokumente dhe në fund arrijnë të kenë profit të madh në kurriz të kompanive të sigurimit dhe Fondit shëndetësor. Në bazë të dyshimeve të hedhura kohë më parë, Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë, ka njoftuar se ka arrestuar 17 policë të involvuar në këtë krim. “Gjykata Themelore në Shkup iu ka shqiptuar masën e paraburgimit 33 personave, duke përfshirë këtu edhe disa pjesëtarë të policisë. Ata akuzohen për organizim dhe inskenim të aksidenteve të trafikut, me qëllim të dëmtimit të kompanive të sigurimit. Gjatë operacionit me emër të koduar “Pastruesi”, Ministria e Brendshme e Maqedonisë ka arrestuar 57 persona, në mesin e të cilëve edhe 17 pjesëtarë të policisë. Ata dyshohet të jenë të përfshirë në mënyrë të organizuar në inskenimin e aksidenteve të paqena të trafikut, të cilët organizoheshin me qëllim që të përfitimit material nga sigurimet në kompanitë e sigurimeve, në formë të zhdëmtimit. Në këtë mënyrë, ky grup arriti që për disa vite kanë të organizonte aksidente të rrejshme, qëllimi kryesor i të cilave ishte tërheqja e parave nga kompanitë e sigurimeve. Policia ishte vënë në ndjekje të këtyre rasteve që nga muaji gusht i vitit 2007”, thotë Ivo Kotevski zëdhënës i Ministrisë së Punëve të Brendshme të Maqedonisë. Megjithatë në teren ende vazhdojnë të trukohen aksidente të këtilla në rajone rurale të vendit, ku qasja serioze ndaj aksidenteve është më pak e zbulueshme pasi që fshihet përmes “sherifave lokal”. Jo vetëm kjo formë e përfitimit është pjesë e mashtrimeve, por fondet në vend dëmtohen edhe në shumë mënyra të tjera për të cilët institucionet e shtetit ndonjëherë e kanë vështirë edhe ti zbulojnë pasi që forma është shumë e sofistikuar. Ditë më parë, mbi 11 veta nga Tetova janë ndaluar nga SPB-ja e Tetovës me dyshimet për përgatitjen dhe inskenimin e aksidenteve të komunikacionit. Sipas policisë, personat e ndaluar ndaj të cilëve janë ngritur kallëzime penale, kishin përgatitur dhe inskenuar aksidente komunikacioni dhe se kishin tërhequr shuma të mëdha parash për dëmshpërblim përmes kompanisë së sigurimeve SH.A “Kjubi” në Tetovë. Sipas kësaj kompanie, dëmi i shkaktuar nga këto aksidente ka shkuar në rreth 500 mijë denarë, vetëm gjatë fundit vitit 2011.

Gjithashtu lexo

Përfaqësimi në ARM, reagon Lëvizja Besa – (FOTO & VIDEO)

Lëvizja BESA reagon ndaj deklarimeve të zëvendës ministrit të Mbrojtjes, Bekim Maksuti i cili shprehu …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *