Home / Lajme / Maqedoni / Miliona për ujësjellësin, uji s’duket askund

Miliona për ujësjellësin, uji s’duket askund

4 qershor-Deri më tani janë harxhuar miliona denarë për ujësjellësin, por Tetova mbetet pa ujë. Bazuar në të dhënat financiare, ndërtimi i ujësjellësit do të presë edhe shumë kohë. Në buxhetin e vitit 2012 nuk ishin planifikuar mjete, ashtu si edhe tani në Rebalanc. MTL i sugjeron Komunës së Tetovës të shfrytëzojë kredi, kurse këto të fundit janë optimist se do t’ia dalin me mjete vetanake

Rreth 75 mijë banorë të qytetit të Tetovës gati se dy dekada përballen me mungesën e ujit të pijshëm. Projekti filloi të ndërtohet në vitin 2001, ndërsa prej atëherë e deri më sot janë harxhuar miliona denarë, ndërsa banorët vazhdojnë tu nënshtrohen restrikcioneve të ujit. Kanë kaluar disa cikle zgjedhore, janë ndërruar garnitura të ndryshme qoftë të pushtetit lokal apo qendror nga Bashkimit Demokratik për Integrim dhe Partia Demokratike Shqiptare, por janë ndërtuar vetëm disa kilometra. Përveç akuzave të ndërsjella politike se kush sa para ka lëshuar dhe kush i ka harxhuar, një arsyetim tjetër që përdoret shpesh nga partitë, janë edhe kushtet atmosferike. Përtej akuzave politike, njëjtë si edhe para dhjetë viteve, edhe sot e kësaj dite banorët e Tetovës ujë mbushin në shishe plastike ose rezervuare. Ish drejtues të ndërmarrjes publike Tetova-Tetova dhe zyrtarë të tjerë që kanë qenë në rrjedhë të kësaj problematike pranojnë se deri më tani disa herë janë ndarë mjete, por ujësjellësi nuk ka përfunduar. Kur pyeten se ku kanë shkuar mjetet, sërish fillojnë akuzat politike.

Nevojitet strategji e re

Ujësjellësi i Tetovës është i gjatë 21 kilometra, kurse pa përfunduar kanë mbetur edhe 8 kilometra. Ish-drejtori i ndërmarrjes publike komunale Tetova nga rradhët e BDI-së, Hajrulla Hasani, thotë gjendja e tanishme me mungesën e ujit do të vazhdojë përderisa nuk vetëdijesohen banorët e Tetovës. “Kjo situatë me ujin do të vazhdojë deri sa popullata e Tetovës do të durojë këtë gjendje pa ujë të pijshëm. Kur nuk do të durojë qytetari i Tetovës, atëherë do rregullohet kjo çështje. Deri sa populli ri i qetë, atëherë edhe institucionet rinë qetë”, thotë Hasani, duke nxjerrë në pah edhe një nevojë tjetër pas përfundimit eventual të ujësjellësit, ndërtimin e stacionit të filtrimit. Për këtë projekt, ai thotë se do të nevojiten edhe 1. 5 milionë euro shtesë. Ai apelon për një strategji tërësisht të re, qasje serioze dhe plan për investim lidhur me furnizimin me ujë të Tetovës.

“Me këtë dua të them se sikur të gjitha ujërat e Sharrit të grumbullohen, nuk mjaftojnë për qytetin e Tetovës, pasi ato ujëra që shkojnë në ujësjellës janë ujëra sipërfaqësor, pra nuk kemi burime nëntokësore. Për këtë kemi ujë vetëm në sezone të caktuara pas reshjeve. Duhet të kalohet në strategjinë e re, pra akumulimit të ujërave nëntokësor”, thotë ai. Hasani thotë se projekti i ujësjellësit të Tetovës është i projektuar si zgjidhje afatmesme dhe mbase nuk është përfunduar në kohë, tani kërkon një qasje krejtësisht tjetër. Ish-drejtori i NPKsë Hasani zbardh edhe përvojën e tij personale për ta çuar deri në fund këtë projekt. Ai zbulon se në vitin 2008 është aplikuar për kredi në bankën gjermane KËA BANK, në vlerë prej 2 milionë denarëve, por që ka dështuar. “Përfaqësues të kësaj banke rreth 6 muaj, monitoruan situatën me financat se a mundet dhe e ka kapacitet kjo ndërmarrje të kthejë kredinë. Kredia u miratua pasi që bilanci ishte pozitiv dhe nga skenimet që kishin bërë përfaqësues të asaj banke në 88 ndërmarrje në Maqedoni, NPK-Tetova- Tetovë,ishte ndër 6 më të mirat. Megjithatë, rënia e bilancit financiar dhe trendi i rënies së parametrave financiare të ndërmarrjes bëri që kredi të ndalet”, thotë Hajrullah Hasani, ish drejtor i NPK-së.

Komuna ankohet prej Qeverisë, shpresa te kredia

Ish zëvendësministri i Transportit dhe Lidhjeve dhe njëkohësisht zyrtarë i lartë i urbanizmit në Komunën e Tetovës, Skender Palloshi, prezanton shifra përmes të cilave tregon për derdhjen e mjeteve qeveritare nga viti 2006 te Komuna e Tetovës. Sipas Palloshit, gjatë viteve 2006-2008 janë ndarë gjithsej 127 milion denarë, prej të cilave janë shfrytëzuar 76 milionë ose 1.3 milion euro. Nga viti 2009 e deri në vitin 2012 nga ana e qeverisë janë ndarë 26 milionë denarë ose 450 mijë euro. “Për dy vite, pra në 2011-ën dhe 2012-ën nga MTL nuk është ndarë asnjë cent. Për dallim nga kjo, Qeveria për rrjetet e ujësjellësve në disa qytete me shumicë maqedonase ka ndarë mjete për këto destinime. Shembull është Prilepi ku janë ndarë 9. 2 milion euro për ujësjellësin e këtij qyteti, ndërsa kështu është edhe në shumë qytete ku shumicë janë maqedonasit”, thotë ai. Duke patur parasysh se Qeveria nuk e ka ndërmend të bëjë diçka në këtë drejtim, Palloshi thotë se Komuna e Tetovës ndërmori disa hapa gjatë këtij viti për gjetje të financave për ujësjellësin.

“Kështu, me vendim të Këshillit janë shitur disa lokale pronë të Komunës dhe janë inkasuar 600 mijë euro, mjete të cilët do të përdoren për vazhdimin e punëve të përfundimit të ujësjellësit. Jemi duke bërë përgatitje për sigurimin e mjeteve të një kredie dhe ta përfundojmë këtë projekt”, thotë ish zëvendësministri i Transportit Palloshi. Optimist se punimet e ujësjellësit të Tetovës do të fillojnë se shpejti është edhe kryetari Sadi Bexheti.

“Ne si komunë jemi optimist për zgjidhjen e problemit të ujit të pijshëm dhe punohet intensivisht në këtë drejtim. Gjatë muajit të ardhshëm do të mbarojë faza e tenderimit për përzgjedhjen e firmës që do të përfundojë ujësjellësin dhe më pas pritet edhe fillimi i punimeve për fazën e dytë të ujësjellësit. Më 16 qershor do të përfundon tenderi që është hapur nga komuna dhe pas kësaj rifillojnë punimet. Komuna e Tetovës me fuqitë e veta do të bëjë ndërtimin e ujësjellësit duke shfrytëzuar para nga buxheti i komunës dhe jo para nga qeveria, ndërsa presim që deri në fund të vitit të kemi ujë të pijshëm pa problem për Tetovën”, thotë Bexheti.

Hani: Komuna mund ta shfrytëzojë kredinë

Zëvendësministri i Transportit dhe Lidhjeve, Tahir Hani, përsërit qëndrimin se Komuna e Tetovës ka në dispozicion grante nga Banka Evropiane për Zhvillim që do të mund t`i shfrytëzoje për ujësjellësin e Tetovës. “Sipas kritereve të BNJVL-së, Komunës së Tetovës i takojnë 1.252 mijë euro, plus TVSH-ja, që duhet ti paguhet nga qeveria. Bëhet fjalë për kredi të marrë nga Banka Evropiane për Zhvillim. Nuk them se janë të mjaftueshme apo s’janë të mjaftueshme këto mjete për ta zgjidhur definitivisht problemin e ujit të pijshëm për Tetovën, por dua të potencoj faktin e Komuna e Tetovës për vitin 2012 mund t’i shfrytëzojë këto mjete për projektin e ujësjellësit”, thotë Hani.

Ai ka shprehur gatishmërinë për bashkëpunim me strukturat lokale të Komunës së Tetovës për të zgjidhur këtë problem të stërzgjatur vite me radhë. “Ne jemi në kontakte të vazhdueshme me autoritetet e Komunës së Tetovës, kryetarin dhe persona të tjerë, që ky problem të zgjidhet. Ne jemi të vetëdijshëm se këto mjete nuk mjaftojnë, por me një angazhim të përbashkët me Komunën e Tetovës, shpresoj se do të arrijmë ta zgjidhim këtë problem shumë të rëndësishëm për qytetarët e Tetovës”, thotë zëvendësministri i MTLsë Tahir Hani. Ndryshe, ujësjellësi i Tetovës filloi të ndërtohet në vitin 2001 kur Ministria e Pushtetit Lokal ndau 146 milionë denarë, ndërsa tenderin e fitoi Idnina Inzhenjering, kurse për arsye ende të panjohura në atë kohë u shfryëtzuan vetëm 10 për qind të mjeteve dhe ujësjellësi nuk u ndërtua. Në vitin 2005 me anë të një vendimi qeveritar ingerencat për ujësjellësin nga Ministria e Pushtetit Lokal kaluan te Ministria e Transportit dhe Lidhjeve.

Mjetet e lëshuara nga Qeveria

2007 – 75 milionë denarë

2008 – 48 milionë denarë

2008 – 4 milionë denarë shtesë

2009 – 18 milionë denarë

2010 – 8 milionë denarë

2011 – 0 denarë

2012 – 0 denarë

Burimi: Skender Palloshi

2001 – 146 milionë denarë

2005 – Hartohet projekti

2006/07 – 100 milionë denarë

2008 – Nuk ndahen mjete

2009 – 75 milionë denarë

2010 – 20 milionë denarë

Burimi: Hajrulla Hasani

Zero mjete në buxhet dhe rebalanc

Në buxhetin e vitit 2012 por as me rebalancin nuk janë paraparë mjete për ujësjellësin e Tetovës. Ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Mile Janakievski, gjatë miratimit të buxhetit tha se Komuna e Tetovës nuk kishte dërguar projekt për ujësjellësin, por këto pohime u demantuan nga pushteti lokal. Ndërkaq, edhe tani me rebalancin e buxhetit, që aktualisht është në procedurë parlamentare nuk parashihet asnjë denarë, fakt ky që shkaktoi reagimin e deputetëve të PDSH-së dhe RDK-së.

Gjithashtu lexo

Lumi në Poroj të Tetovës ende mbetet pezull, banorët bllokojnë rrugën Tetovë-Jazhincë

Banorët e fshatit Poroj, sot (18 gusht), prej ora 14:00 e kanë bllokuar rrugën rajonale …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *