Home / Lajme / Maqedoni / NATO dhe BE, qëllimi i përbashkët

NATO dhe BE, qëllimi i përbashkët

14 qershor-
Edhe ambasadori i Republikës së Kosovës, Ylber Hysa theksoi se Maqedonia është partner strategjik i Kosovës dhe se qëllimi i të dy vendeve është anëtarësimi në NATO dhe BE.

Situata në rajon, bashkëpunimi në mes dy vendeve, procesi i integrimit në NATO dhe BE kanë qenë disa nga temat për të cilat biseduan zëvendëskryeministri i Maqedonisë, Musa Xhaferri dhe ambasadori i ri i Kosovës në Shkup, Ylber Hysa.

Zëvendëskryeministri Xhaferri theksoi se Maqedonia dhe Kosova kanë bashkëpunim të mirë dhe se ky bashkëpunim do të intensifikohet në të ardhmen.

“U njohëm reciprocikisht për situatën, punët dhe biseduam që në të ardhmen të vazhdojmë me menaxhimin e punëve që janë për interes të përbashkët. Është një konstatim i dy anshëm që Republika e Maqedonisë ka marrëdhënie shumë intensive me Republikën e Kosovës. Është një shembull shumë i mirë krahasuar me intensitetin e marrëveshjeve që i kemi arritur brenda një periudhe shumë të shkurtër me Kosovën, pas shpalljes së pavarësisë”, theksoi pas takimi zëvendëskryeministri Xhaferri.

Ai shtoi se në takim u bisedua edhe për prioritetet në mes dy vendeve, këmbimin tregtar, lidhjen infrastrukturore.

“Me prioritet janë projektet infrastrukturore të cilat duhet të ndikojnë në një komunikim mes qytetarëve, këmbimit të mallrave, këmbimit të projekteve, të ideve, të hapjeve të vendkalimeve kufitare Ne do të bëjmë përpjekje pavarësisht kapaciteteve financiare të promovojmë lidhjet infrastrukturore që është edhe një kusht i zhvillimit ekonomik, do të intensifikojmë komunikimet që në të ardhmen ti lehtësojmë të gjitha shërbimet që janë në interes të qytetarëve. Qëllimet tona të përbashkëta janë integrimi i rajonit në NATO dhe në BE dhe në këtë drejtim të këmbehen përvojat në mes dy vendeve në realizimin e këtij synimi të përbashkët”, u shpreh Musa Xhaferri.

Edhe ambasadori i Republikës së Kosovës, Ylber Hysa theksoi se Maqedonia është partner strategjik i Kosovës dhe se qëllimi i të dy vendeve është anëtarësimi në NATO dhe BE.

“Unë jam këtu që ta siguroj zëvendëskryeministrin Xhaferri se Maqedonia për ne është një partner strategjik dhe ne na bashkon jo vetëm gjeografia dhe kultura por edhe synimet politike për të ardhmen që i përkasin një bashkëpunimi dhe synimi i përbashkët për të qenë pjesë e strukturave euro-atlantike. Kosova është partneri i dytë tregtisë së jashtme të Maqedonisë , është një treg i rëndësishëm për bizneset e Maqedonisë. Ekziston një traditë që shqiptarët e Kosovës të kërkojnë shërbime në Maqedoni, duke përfshirë edhe ato shëndetësore dhe konsiderojmë se kjo është vetëm pjesë e asaj që duhet të thellohet përmes projekteve infrastrukturore”, theksoi ambasadori Hysa. Ai paralajmëroi që ministri i jashtëm Enver Hoxhaj do të vizitojë Maqedoninë më 25 qershor.

Gjithashtu lexo

Mot me diell me erë të dobët deri në mesatare

Moti sot në Maqedoni do të jetë kryesisht me diell dhe i ngrohtë me erë …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *