Home / Lajme / Rajon / Provat janë siguruar me shantazhe e ryshfet

Provat janë siguruar me shantazhe e ryshfet

27 qershor-Me argumentet kundërshtuese të paraqitura nga mbrojtësi i Brahimajt, të martën ka përfunduar procesi gjyqësor i mbledhjes së provave dhe i dëgjimit të dëshmive në rigjykimin ndaj Haradinajt, Balajt e Brahimajt, të cilët akuzohen për krime lufte gjatë luftës në Kosovë në rajonin e Dukagjinit.

Mbrojtësit e Ramush Haradinajt, Lahi Brahimajt e Idriz Balajt janë të bindur në pafajësinë e ish-luftëtarëve të UÇKsë dhe kanë kërkuar aktgjykim lirues nga Tribunali Ndërkombëtar i Hagës.
Të martën, gjatë vazhdimit të fjalës së tyre përfundimtare, mbrojtësit kanë vazhduar me provat, të cilat kundërshtuan pretendimet e Prokurorisë së Hagës, e cila ka kërkuar nga minimum 20 vjet burg për tre ish- guerilët e UÇK-së.
Protagonistin e këtij procesi, Ramush Haradinajn, prokuroria e bën përgjegjës për rolin e komandantit dhe reputacionit që ai ka pasur në regjion. Por, pala mbrojtëse e ka arsyetuar ndikimin e Ramush Haradinajt në Kosovë.
“Siç ju thashë dje, zoti Haradinaj ishte komandant i atyre që donin ta ndiqnin atë dhe donin ta mbështetnin kauzën që e përfaqësonte…prandaj keqtrajtimi i atyre që ishin të ndaluar dhe akuzat që ishin bazuar në torturat e personave që ishin të burgosur do të kishte efektin e kundërt të asaj që donte të arrinte zotëri Haradinaj…”, ka thënë avokati Ben Emerson.
Dëshmitë e dëshmitarëve që janë proceduar gjatë këtij rigjykimi, sipas mbrojtjes, bien në kundërshtim me pretendimet e Prokurorisë. Duke kundërshtuar pretendimet e prokurorisë se Haradinaj ka kryer krime ndaj civilëve të ndaluar, mbrojtja ka përmendur dëshmitarin e koduar si “3”, i cili ka treguar se Haradinaj ishte nervozuar kur kishte parë dëshmitarin të jetë sjellë në atë vend.
Edhe mbrojtja e Idriz Balajt, duke kundërshtuar në tërësi akuzat për krime lufte të ngritura nga Prokuroria, ka pohuar se as në gjykimin e parë e as tash në këtë gjykim, Prokuroria nuk ka arritur që t’i vërtetojë akuzat ndaj Balajt.
Provat e siguruara nga Prokuroria, sipas mbrojtjes së Balajt, janë prova të marra përmes shantazhit, ryshfetit e formave të tjera të ngjashme.
“…deri tani është e qartë se keni marrë dëshmi nga prokuroria që kanë ardhur përmes ryshfeteve, përmes shantazhit, përmes torturës dhe janë bërë deklarata të gabuara”, ka thënë mbrojtja.
Prokuroria, sipas mbrojtjes, nuk ka arritur që të vërtetojë ato akuza që ka bërë as madje me dëshmitë e siguruara qoftë edhe në mënyrë të paligjshme. “Në këtë gjyq prokuroria nuk ka arritur që t’i vërtetojë akuzat ndaj Idriz Balajt përtej dyshimit të arsyeshëm. Ai ka të drejtë edhe një herë të lirohet. Thoni ç’të doni, hidhni dyshim sa të doni zotëri prokuror, diskutoni sa të doni namin e tij të keq apo të tmerrshëm, kjo gjë nuk e ndryshon faktin se provat dhe dëshmitë e paraqitura këtu kanë qenë të mangëta në shkallën e parë, në shkallën e dytë dhe në shkallën e fundit”, ka pohuar mbrojtja e Balajat.
Edhe mbrojtësi i Lahi Brahimajt ka kundërshtuar në tërësi pretendimet e prokurorisë, duke e vlerësuar kontributin e Brahimajt gjatë luftës në Kosovë.
Me argumentet kundërshtuese të paraqitura nga mbrojtësi i Brahimajt, të martën ka përfunduar procesi gjyqësor i mbledhjes së provave dhe i dëgjimit të dëshmive në rigjykimin ndaj Haradinajt, Balajt e Brahimajt, të cilët akuzohen për krime lufte gjatë luftës në Kosovë në rajonin e Dukagjinit.
Verdikti për këtë rigjykim, që është i pari në historinë e Tribunalit të Hagës, pritet të shpallet në muajin shtator.(Zëri)

Gjithashtu lexo

Futet për nevoja personale në bunker, burrit i ndryshon jeta përgjithmonë

Ka ndodhur në një fshat të Elbasanit. Burri hyn për nevoja personale në një bunker …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *