Home / Sport / Spanjë-Itali, supersfida mbyllet në barazim

Spanjë-Itali, supersfida mbyllet në barazim

Spanja dhe Italia janë ndarë në barazim 1-1 në ndeshjen e tyre të parë në Euro 2012, pas një loje emocionuese që u ka kujtuar të gjithëve se kjo mund të ishte një finale e parakohshme.

Të dy trajnerët kanë çuditur me formacionet e zgjedhura, ku Spanja ka zbritur në fushë pa një sulmues të mirëfilltë, por me treshen Iniesta-Fabregas-David Silva që luanin më të avancuar se mesfushorët e tjerë. Ndërsa Italia është kundërpërgjigjur me një rreshtim 3-5-2 ku De Rosi ka luajtur qendërmbrojtës përkrah Kielinit e Bonuçit, ndërsa Xhakerini ka fituar një vend surprizë në formacionin titullar.

Siç pritet, Spanja merr kontrollin e ndeshjes dhe provon të shtyjë Italinë në mbrojtje, por të kaltrit duket se i kanë bërë mirë “detyrat e shtëpisë” dhe nuk lënë hapësira për depërtimet e rrezikshme diagonale të kundërshtarëve. Si rrjedhojë, rreziqet e vetme në portën e Bufon vijnë nga tentativat nga distanca të David Silva apo Iniesta. Ndërkohë, nga ana tjetër, Kazijas detyrohet të bëjë një ndërhyrje vendimtare ndaj Kasanos, ndërsa në fundin e pjesës së parë sheh një gjuajtje me kokë të Tiago Mota të përfundojë jashtë kuadratit.

Pjesa e dytë fillon përsëri nën ritmin e Spanjës që provon dy herë të gjejë rrjetën me Fabregas e Ksavi, por pa sukses. Kundërpërgjigja e Italisë vjen me Balotelin që i vjedh një top Ramos dhe shkon drejt portës por në momentin kur gjendet para Kazijas hutohet në mënyrë të pabesueshme dhe lejon Ramos t’i heqë sferën nga këmbët para se të gjuajë.

Prandeli nuk duron më dhe largon sulmuesin zhgënjyes për të aktivizuar Di Natalen, të cilit i mjaftojnë pak minuta për të shkruar emrin në listën e golashënuesve, kur në minutën e 61-të i shmanget pozicionit jashtë loje dhe dërgon topin pas krahëve të Kazijas.

Por Italia nuk ka as kohë të festojë, pasi vetëm 2 minuta më vonë, Fabregas barazon gjithçka me një aksion ku Iniesta dhe Silva kombinojnë në mënyrë spektakolare për ta nxjerrë të vetëm para Bufon.

Del Boske vendos të aktivizojë Torres në kërkim të fitores dhe sulmuesi ka mundësinë të shënojë vetëm pak minuta më vonë, por Bufon i heq topin nga këmbët. Nga ana tjetër, Di Natale gjuan fluturimthi në portën spanjolle pas një pasimi perfekt të Xhovinko, por pa gjetur kuadratin. Torres vazhdon serinë e gabimeve kur shfaqet përsëri i vetëm para Bufon, por parabola e tij kalon mbi traversë, ndërsa Markizio përgjigjet me një sllallom mes mbrojtjes spanjolle por me një gjuajtje shumë të dobët që përfundon në krahët e Kazjas.

Si rrjedhojë, supersfida e Grupit C mbyllet në barazim 1-1, që nuk dëmton shumë të dy skuadrat të cilat shfaqën një prove force, duke konfirmuar se mund të jenë protagoniste të rëndësishme në Euro 2012.

Grupi C
10.06.2012
Spanjë-Itali 1-1
63′ Fabregas / 61′ Di Natale

Irlandë-Kroaci 20:45
Gjyqtar: Bjorn Kuipers (Holandë)
Poznan (Poloni)

14.06.2012
Itali-Kroaci 18:00
Poznan (Poloni)
Spanjë-Irlandë 20:45
Gdansk (Poloni)

18.06.2012
Kroaci-Spanjë 20:45
Gdansk (Poloni)
Itali-Irlandë 20:45
Poznan (Poloni)

Gjithashtu lexo

Tifozët shqiptarë nga Tetova pushtojnë rrugët e Milanos, çfarë po ndodh para ndeshjes? (VIDEO)

Grupimi i tifozëve të Shkëndijes, “Ballistët” që shquhen edhe si një nga tifozeritë më të …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *