Home / Lajme / Maqedoni / Xhamia e Pashës atraksion turistik

Xhamia e Pashës atraksion turistik

Kjo Xhami, e ndërtuar në vitin 1495, e rindërtuar në vitin 1834 nga Abdurahman Pasha, është ndër vendet më të vizituara në Maqedoni

E vendosur në anën e djathtë të lumit Shkumbin, në afërsi të Hamamit të vjetër dhe urës së gurit, paraqet një atraksion të vërtetë kulturor dhe fetar në qytetin e Tetovës. Bëhet fjalë për Xhaminë e Pashës e cila është një kompleks i vogël, por tërheqës, në të cilin qarkullojnë qindra vizitorë brenda ditës nga vendi dhe jashtë. Ky objekt fetar ka një realizim të veçantë estetik, artistik dhe vlerë të madhe historike. Kjo Xhami, e ndërtuar në vitin 1495, e rindërtuar në vitin 1834 nga Abdurahman Pasha, është ndër vendet më të vizituara në Maqedoni, ndërsa vizitorët janë nga mbarë bota. Të gjitha këto të dhëna i kuptojmë nga mbishkrimi i ruajtur mbi hyrjen në xhami si dhe nga nishani i varrit, i cili ruhet në tyrben e ndërtuar në oborrin e xhamisë. Këta pashallarë të njohur që kanë vepruar në Tetovë në gjysmën e parë të shekullit XIX, e kanë ndërtuar dhe rindërtuar kalanë e qytetit dhe Arabati Baba Teqen, thonë përfaqësues të Xhamisë së Pashës. “Kemi shumë vizitorë, dita ditës rritet numri i tyre. Më shumë vizitorë kemi nga Turqia, Bullgaria, Shqipëria, Holanda, Gjermania, Britania e Madhe dhe atyre u intereson shumë kjo xhami se është unikate. Këto lara nuk janë askund në botë dhe u intereson kur është ndërtuar, sa vite ka, larat a janë të kohës, sepse që nga 1834 kjo më nuk është prekur”, shprehet Osman Memeti, këshilltarë në Xhaminë e Pashës.
Ditën e diel ishin tre autobus me studentë nga qyteti i Predës së Holandës, të cilët u njohën për së afërmi me bukuritë e Xhamisë së Pashës. Ata ishin të fascinuar me pamjen dhe me dekorimin e mureve që ende e ruajnë freskinë.
“Po, më pëlqeu shumë xhamia. Ka pamje që të fascinon, e sidomos historia e ndërtimit dhe ruajtja e tërë këtij monumenti historik”, tha një studente nga Holanda.
Destinacioni për të vizituar Tetovën dhe Xhaminë e Pashës është i pashmangshëm edhe për tur-operatorët të cilët në këtë vend sjellin vizitorë nga e mbarë bota. “Xhamia e Pashës është pjesë e pandashme e vizitave që realizojmë me turistët dhe studentët e huaj në Maqedoni. Krahas Herakle-as, Stobit, Shkupit, Ohrit, Xhamia e Pashës paraqet një vend të rëndësishëm si pjesë e monumenteve kulturore-fetare në vendin tonë dhe në këtë drejtim ne, turistët dhe të interesuarit, i njoftojmë me vlerat që ka kjo xhami për Bashkësinë e fesë Islame. Pjesë e patjetërsueshme e programit turistike është vizita e Tetovës dhe Xhamisë së Larme, e cila është një ndër objektet më të rëndësishme kulturore e historike, sidomos kur bëhet fjalë për arkitekturën dhe artin Islam në këtë shtet. Ata mbeten të fascinuar nga kultura historia dhe bukuritë natyre që ka vendi ynë”, thotë Kliment Naumov, udhëheqës turistik nga Ohri.
Edhe pse gjendet në Tetovë, Xhamia e Pashës përfaqëson stilin e hershëm stambollian me arkitekturë Osmane. Rrugicat për kalimtarët pranë parkut të Xhamisë, janë të ndërtuara me gurrë, po në atë park janë edhe dy çezma që shërbejnë për nevojat e qytetarëve, ndërsa muri që e rrethon këtë xhami është rindërtuar në vitin 1991. Xhamia e Pashës vazhdon të jetë një monument i rëndësishëm për banorët e Tetovës, ndërsa atraksion turistik edhe për shumë vizitorë të huaj, të cilët e vizitojnë gjithnjë e më shumë.
Urim Hasipi

Gjithashtu lexo

Vetëndizet vetura e mërgimtarit – (VIDEO)

Të shtunën mbrëma në dalje të fshati Zherovjan për në fshatin Radiovcë, është vetë-ndezur në …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *