Home / Lajme / Maqedoni / A po zhduket Qeni i Sharrit

A po zhduket Qeni i Sharrit

19 korrik-Sipas tij, ky lloj i qenve ka ngelur nga paraardhësit tanë, pra Ilirët, ndërsa më pas është ruajtur dhe zbutur edhe nga vetë shqiptarët. “Kjo racë tash për tash është në zhdukje e sipër, kurse ne mundohemi që të vetëdijesojmë ata që kanë Qenë Sharri”, shprehet Seferi.

Raca e Qenit të Sharrit është në zhdukje e sipër pasi mungon kujdesi institucional. Në Malin Sharr ky lloj i qenve ruhet në mënyrë individuale nga ana e barinjve, por edhe kjo mënyrë e ruajtjes është zbehur dukshëm dhe shkon drejt zhdukjes. Përzierja me racat tjera, mos kujdesi ndaj tyre, mungesa e promovimit, kanë bërë që kjo racë e njohur e qenve të shkojë drejt zhdukjes. Së këndejmi stacioni i veterinarisë në Tetovë është duke zhvilluar një kampanjë për promovimin e racës së Qenit të Sharrit, duke lëvizur fshat më fshat, me qëllim që të ruhet ky lloj i qenit. Veterineri Abdurahman Sejrani, njëherit edhe koordinator i këtij projekti, thotë se qëllimi është që të promovojmë Qenin e Sharrit pasi qentë e tillë dita ditës janë pak e më pak në numër për shkak të mungesës së kujdesit institucionale, por edhe nga vetë njerëzit.

“Jemi dëshmitarë se viteve të fundit askush nuk kujdeset për këtë racë të pastër, kurse fatkeqësisht e njëjta racë tashmë është përzier edhe me lloje tjera të qenve dhe kjo i paraprinë zhdukjes së Qenit të Malit Sharrit. Përmes promovimit, edukimit ne do të shtojmë kujdesin ndaj kësaj race që të mos zhduket”, thotë Sejrani. Qeni i Sharrit apo i njohur edhe si Deltari Ilir, sipas veterinerëve dallohet për nga karakteristikat e veçanta që posedon dhe në këtë drejtim kujdesi ndaj tyre duhet të jetë më specifik. Nesim Seferi, poashtu veteriner, sqaron karakteristikat që ka ky qen. “Ky qen nuk është i ashpër, është shumë më i butë se racat tjera, është më i madh për nga shtati se llojet tjera. Është shumë agresiv kur paraqitet nevoja, por njëkohësisht është një ruajtës i mirë i bagëtisë dhe për këtë arsye konsiderohet si ruajtësi më i mirë i bagëtisë. Këtë veti apo veçori nuk e kanë llojet tjera të qenve. Kjo racë është e vjetër mbi 3 mijë vjet, kurse pas viteve të 90-ta ka filluar të përzihet me racat tjera dhe në këtë mënyrë e kanë rrezikuar mbijetesën e Qenit të Malit Sharr”, thotë veterineri Nesim Seferi. Sipas tij, ky lloj i qenve ka ngelur nga paraardhësit tanë, pra Ilirët, ndërsa më pas është ruajtur dhe zbutur edhe nga vetë shqiptarët. “Kjo racë tash për tash është në zhdukje e sipër, kurse ne mundohemi që të vetëdijesojmë ata që kanë Qenë Sharri”, shprehet Seferi.

Sipas tij, kultivimi i kësaj race në mënyrë institucionale është shumë i rëndë dhe kushton shumë, prandaj iniciativa është që të edukohet popullata për vlerat që i ka ky qen. Ndërkaq, Esat Esati nga Tetova është ndër të rrallët në rajonin e Malit Sharr që merret me kultivimin e kësaj race të qenve. Edhe ai vetë është i vetëdijshëm se ky lloj i qenve është në zhdukje e sipër, ndërsa shpreh keqardhje që nuk ka mbështetje as nga shteti e as nga shoqëria civile. “Kjo racë është shumë e mirë për t`u kultivuar pasi që posedon disa karakteristika që nuk i kanë qentë tjerë. Mendoj se është mëkat që të zhdukim një racë të këtillë, të cilën e kemi ruajtur me shekuj. Unë për vete jam duke e ruajtur dhe do të vazhdoj edhe në të ardhmen të kem qen të pastër Ilir”, thotë Esati. Sipas të dhënave, Deltari Ilir ose Qeni i Sharrit është racë autoktone Ilire e krijuar në Gadishullin Ballkanik para mijëra viteve. Shqiptarët e rajonit të Pollogut në të kaluarën këtë racë e kanë përdorur për ruajtjen e bagëtisë nga kafshët e egra, por njëkohësisht edhe për ruajtjen e oborrit të shtëpisë. (Urim Hasipi)

Gjithashtu lexo

Kujt i pengon xhamia në Kodrën e Diellit dorëzohet padi penale ndaj ndërtuesit të xhamisë

Pronarët e vilave në Kodrën e Diellit deri në Prokurorinë Themelore Publike në Tetovë, kanë …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *