Home / Lajme / Maqedoni / Djepi dhe çiftelia blihen për suvenirë

Djepi dhe çiftelia blihen për suvenirë

21 korrik-Shumica e zanateve shkojnë në falimentim ose modernizohen. Shumë pak prodhime nga druri tashmë shiten ose sjellin përfitime. Mjeshtëri nga Tetova, zotëri Nadiu, na thotë se bishtat për veglat bujqësore ende shiten nëpër rajonet rurale ku banorët punojnë tokën me vegla dore. Por, nga përdorimi pothuajse janë hequr tryezat e drurit dhe nallanet.

Tradita e dikurshme e rritjes së fëmijëve në djep shkon në rënie. Foshnjat në këtë kohë rriten në krevate prej plastike. Koha moderne ka bërë që prindërit për fëmijët e tyre më shumë të blejnë djep të kohës moderne, kurse djepi klasik i përpunuar nga druri shumë rrallë përdoret në familje. Mjeshtërit që merren me punimin e djepave prej druri ankohen se viteve të fundit nuk ka interesim për shitjen e tyre. Edhe nëse ka të interesuar, në shumë raste ata të njëjtit i blejnë për suvenire apo dhuratë. Sipas shitësve janë të rrallë ato familje ku djepi ende përdoret, edhe pse është më i lirë për nga çmimi në krahasim me djepat e ndryshëm modern.

Nadi Islami, është ndër të rrallët në qytetin e Tetovës që merret me përpunimin dhe shitjen e djepave, çiftelisë, daulleve, por ai thotë se dita-ditës ky profesion shkon drejt falimentimit. Ai ka të hapur një shitore me prodhime të drurit që moti në rrugën e njohur të butikëve, por thotë se dikur ishte shumë më ndryshe dhe se koha e bërjes biznes me këtë profesion nuk sjell më asnjë përfitim. “Më përpara djepat janë shitur më shumë, sot s’ka interesim aspak. Tash përdoren lloj-lloj krevatesh të cilët kushtojnë më shumë se sa djepat klasikë. Blejnë disa, marrin, por si përpara jo. Një djep modern kushton 100 euro e më lartë, kurse djepi klasik këtu shitet prej 1200 denarë deri në 2000 denarë. Ky është më i lirë, por varet nga vullneti, por nuk është si në të kaluarën”, thotë ai. Njëjtë është pothuajse edhe me instrumentet dhe veglat tjerë që përpunohen nga mjeshtërit. Në qytetin e Tetovës në të kaluarën ka pasur shumë zdrukthëtarë dhe përpunues të drurit, me të cilën edhe kanë mbijetuar dhe kanë mbajtur gjallë familjet e tyre. Rruga që çon nga qendra për në Çarshinë e Epërme në qytetin e Tetovës, tani më është stërmbushur me butiqe dhe shitore tjera për tekstil, ndërsa kanë ngelur shumë pak profesione të vjetra. Shumica e zanateve shkojnë në falimentim ose modernizohen. Shumë pak prodhime nga druri tashmë shiten ose sjellin përfitime. Mjeshtëri nga Tetova, zotëri Nadiu, na thotë se bishtat për veglat bujqësore ende shiten nëpër rajonet rurale ku banorët punojnë tokën me vegla dore. Por, nga përdorimi pothuajse janë hequr tryezat e drurit dhe nallanet.

“Nga të gjithë këto prodhime prej druri kemi interesim për bishtat e veglave për bujqësi. Pastaj ka interesim për djepat, çiftelinë dhe daullet, ndërsa nuk ka interesim aspak për nallanet. Poashtu s’ka interesim për tryezat e drurit të cilët më përpara përdoreshin shumë, kurse tani ata janë zëvendësuar me tavolinat prej plastike”, thotë Islami. Ai shprehet se gjatë verës ka interesim edhe për daullet të cilët përdoren ende në dasmat e rajonit të Pollogut. Ato pak dyqane që janë të hapura sot vizitohen rrallë nga qytetarët e Tetovës, ose më mirë thënë kanë harruar se ekzistojnë. Në shumë raste disa prodhime drurit shiten për suvenire. Në këtë rast interesim ka për veglat muzikore, të cilët ky mjeshtër i përpunon. Ai thotë se mërgimtarët apo ndonjë turist i huaj blen çiftelinë si dhuratë e cila është e zbukuruar, në shumë raste me flamurin shqiptarë. Sipas tij, një çifteli për dhuratë shitet 10 euro e më lartë, kurse çiftelia normale çmimin fillestar e ka 20 euro. Mirëpo, edhe për këtë instrument mjaft të popullarizuar ndër shqiptarë interesimi është i vogël. Muzika dhe instrumentet tjera moderne kanë bërë që çiftelitë që shiten të qëndrojnë gjatë nëpër muret e shitoreve ku ato shiten.

Gjithashtu lexo

Përfaqësimi në ARM, reagon Lëvizja Besa – (FOTO & VIDEO)

Lëvizja BESA reagon ndaj deklarimeve të zëvendës ministrit të Mbrojtjes, Bekim Maksuti i cili shprehu …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *