Home / Sport / Hej mund Çisora me KO, tani kërkon Kliçkon

Hej mund Çisora me KO, tani kërkon Kliçkon

Devid Hej ka çuar në vend reputacionin e tij duke arritur të fitojë me KO ndeshjen e “inatit” kundër Derek Çisora, në atë që u cilësua si evenimenti i vitit për boksin profesionist të peshave të rënda.

Dy britanikët u vunë kundër njëri-tjetrit për të zgjidhur në ring sherrin e lënë përgjysmë në konferencën për shtyp të Mynihut ku pas ndeshjes së Çisora me Vitali Kliçkon, Hej ndërhyri duke u zënë me bashkëkombësin e tij.
Në ndeshjen që u zhvillua në stadiumin e Uest Hem përballë 30 mijë spektatorëve, spektakli ishte i garantuar pasi dy boksierët shfaqën një nivel të lartë, ku fillimisht ishte Çisora që u shfaq më agresiv në dy raundet e para, por më pas i la tërësisht iniciativën Hej. Ky i fundit nuk e fali dhe në raundin e 5-të e hodhi dy herë në tokë, duke e mbyllur ndeshjen kur kishte mbetur vetëm 1 sekondë nga gongu.
Pas shumë muajsh me fyerje dhe ofendime nga më të ndryshmet, dy boksierët në fund kanë përqafuar njëri-tjetrin, duke lënë të kuptohet se gjithçka mund të kishte qenë pjesë e spektaklit për të rritur interesimin e publikut.
Devid Hej, tani kërkon mundësinë për t’u ndeshur me Vitali Kliçkon, ndërsa nuk ka kursyer përsëri thumbimet ndaj ukrainasit.
“Sot kam bërë boksin ndoshta më të mirë në karrierë dhe kjo ishte atmosfera më e mirë në të cilën kam dueluar. Do të çuditesha shumë nëse Vitali Kliçko dëshiron të ndeshet me mua pas kësaj. Ai me shumë mundësi do të luftojë kundër ndonjë cope mishi e pastaj të bëhet politikan”, ishte sfida e Hej që me këtë dyluftim i është kthyer zyrtarisht boksit profesionist ku regjistron 26 fitore e vetëm 2 humbje.

Gjithashtu lexo

Tifozët shqiptarë nga Tetova pushtojnë rrugët e Milanos, çfarë po ndodh para ndeshjes? (VIDEO)

Grupimi i tifozëve të Shkëndijes, “Ballistët” që shquhen edhe si një nga tifozeritë më të …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *