Home / Sport / Më amatorë se amatorët

Më amatorë se amatorët

Jemi bërë gaz i botës! Dikur turpëroheshim në Maqedoni, tani këtë e bëjmë në Evropë! Shtiremi si profesionistë, ndërsa mundemi nga amatorët. Thashethemet për trukim ndoshta janë vetëm fjalë, mirëpo edhe nëse është ashtu, pse atëherë trajnerët u desh të ‘djegin’ në një ndeshje të këtillë portierin Adis Velii. Këto janë disa nga fjalitë me të cilat ndoshta mund të përshkruhet debakli i Shkëndijës në Liga Evropa, kur u eliminuan që nga xhiroja e parë, duke barazuar 0:0 në Kumanovë dhe duke humbur 2:1 në Irlandën e Veriut nga ekipi gjysmë-amator i Portadownit.

Shkëndija e Tetovës pak sa pa pritur është eliminuar nga Liga Evropa, pasi të martën mbrëma humbi me rezultat 2:1 nga ekipi gjysmë-amator i Portadownit. Pasi para një jave në Kumanovë luajtën baraz pa gola, në ndeshjen e kthimit në Irlandën e Veriut Shkëndija paralajmëroi fitore dhe vazhdim të garave në Evropë. Tetovarët kishin fillim të shkëlqyeshëm, duke avansuar që në minutën e 4 me golin e Cuculit, i pari për Shkëndijën në Kupat Evropiane. Edhe pse u prit që të entuziazmuar nga epërisa e hershme, tetovarët të ruajnë pa problem rezultatin, vendasit në minutën e 58-të me anë të Lecky-t barazuan në 1:1. Në vazhdim vendasit vazhduan të insistojnë në sulm në kërkim të golit të dytë dhe qëllimit i’a arritën në minutën e 80-të, kur Redman nga gjuajtja e lirë prej mesit të terenit shënoi për 2:1. Deri në fund të ndeshjes edhe përkundër disa mundësive të Shkëndijës, rezultati mbeti 2:1, kështu që Portadowni vazhdon garat më tej dhe në xhiron e dytë do të përballet me ekipin kroat Sllaven Koprivnica. Ndërkohë Shkëndija në mënyrë eksprese përshëndetet me futbollin evropian, pasi për të dytin vit me rradhë eliminohet që në start të aventurës, ndërsa i vetmi përmirësim nga viti i kaluar është se kësaj rradhe arritën të nxjerin një barazim, ndërsa edhe shënuan golin e parë në Evropë, që gjithsesi kanë vetëm vlera statistikore në përshtypjen e përgjithshme të këtij dështimi. Shkëndija humbi, u turpërua dhe u eliminua, mirëpo kjo storie nuk përfundon me kaq, pasi përvec turpit, tani më futbollistët e Shkëndijës duhet të përballen edhe me akuzat për trukim. Në zhargonin e basteve, ndeshja Portadown-Shkëndija kishte kombinimin ‘dy në një’. Ndoshta rastësi, ndoshta jo, mirëpo kombinimi është i saktë dhe nëse dikush ka paguar këtë kombinim, atëherë duhet të ketë patur fitim të mirë në bazë të koeficientit të lartë që ka një pagesë e tillë. Disa futbollistë të kontaktuar të Shkëndijës ende nuk mund të besojnë se cka u ndodhi në këtë përballje, ndërsa ka të tillë që edhe heshtin. Kryesia përballet me akuza, ndërsa nuk përjashtohet mundësia që të jenë manipuluar prej jashtë. Qëndrimi i parë i kryesisë së Shkëndijës është se ekipi ka sjellë një turp, ndërsa pas zërave për trukim, ata dyshojnë në ndonjë lojë të pistë. “Ky rezultat është turp për Shkëndijën, Tetovën dhe gjithë futbollin e Maqedonisë. Kemi ndëgjuar për zërat për një manipulim të rezultatit dhe të themi të drejtën nëse analizohen ngjarjet në fushë edhe ne vetë dyshojmë se dikush prej jashtë ka manipuluar me disa futbollistë. Jemi duke hetuar rastin dhe opinioni të jetë i sigurtë se nëse vërtetohet dicka e tillë, fajtorët shpejtë do të publikohen në media’, thonë nga kryesia e Shkëndijës. Storje në vete është paraqitja e portierit Adis Velii, i cili pasi ndeshjen e parë e lëshoi për shkak të lëndimit, në revansh befasisht ishte titular. Tani mos akuzojmë djaloshin për ndonjë lëshim, pasi edhe ai është njeri dhe ka të drejtë të gabojë, mirëpo duke patur parasysh faktin se Shkëndija në merkato angazhoi Trajce Nikovin si përforcim të portës, habit fakti që ai vendoset në pankinë, ndërsa ‘digjet’ Velii, i cili ndoshta edhe gaboi nga dëshira e madhe për të ndihmuar. Si do që te jetë është e sigurtë se dueli Portadown-Shkëndija do të ketë edhe pjesën e saj të tretë, ndërsa shashtë Zoti që akuzat për trukim të jenë gënjeshtra, pasi nëse vërtetohet dicka e tillë, më shumë mund të pësojë Shkëndija, në llogari të dikujt që do të kishte mbushur xhepat me para….. Ops, për fund vetëm të themi se Shkëndija përfundimisht ka hyrë në histori, jo për ndonjë sukses të vetin, por sepse i mundësoi Portadownit të shënojë fitoren e parë në Evropë, pas një pritje 38 vjecare. Irlandezët për herë të fundit kishin fituar një ndeshje në Evropë në vitin 1974, kur kanë mundur ekipin nga Islanda, Valur.

Gjithashtu lexo

Tifozët shqiptarë nga Tetova pushtojnë rrugët e Milanos, çfarë po ndodh para ndeshjes? (VIDEO)

Grupimi i tifozëve të Shkëndijes, “Ballistët” që shquhen edhe si një nga tifozeritë më të …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *