Home / Lajme / Maqedoni / Na duhen më shumë mjete

Na duhen më shumë mjete

21 korrik-“Shpeshherë kemi pengesa dhe mosrespektim në ndarjen e mjeteve në mënyrë të barabartë për të gjitha regjionet. Çdo regjion duhet që në vit të merr prej 5 deri në 7 milionë euro nga shteti për zhvillim. Prioritetet nuk i vendosin komunat, por Qeveria dhe ministritë. Nevojat e komunave rurale ndryshojnë nga ato urbane. Neve mund të na nevojiten rrugë, ujë i pijshëm, kanalizim, kurse investohet në ndërtim të sallës sportive apo fushës së tenisit dhe kështu ne na vendosin para aktit të kryer”, tha Kadrija.

Urim HASIPI

Tetovë Shtatë vite pas fillimit të procesit të decentralizimit në Maqedoni, komunat e Pollogut pothuajse shumë pak janë zhvilluar në aspektin e përparimit të arsimit, infrastrukturës, kulturës, sportit, zhvillimit ekonomik edhe pse në bazë të Ligjit për decentralizim, kanë më shumë kompetenca. Tetë komunat e regjionit të Pollogut po përballen me mungesë mjetesh, në shumë raste mjetet janë bllok-dotacione, ndërsa të hyrat nga TVSH-ja dhe tatimi në pronë janë të vogla, gjë që nuk jep mundësi për një zhvillim të hovshëm të këtij regjioni. Kryetarët e komunave të Pollogut shprehen se kanë arritur sadopak që përgjegjësitë e tyre që i kanë në bazë të Ligjit ti realizojnë, por shprehen se mjetet nuk janë të mjaftueshme për të përmbushur të gjitha nevojat. Problem tjetër paraqitet edhe mos harmonizimi i prioriteteve të pushtetit qendror dhe atij lokal.
“Në shumë raste, qeveria përmes ministrive realizon projekte dhe investime, të cilët nuk janë në përputhje me nevojat e qytetarëve, sidomos në vendbanimet rurale, ku nevojat ndryshojnë në krahasim me ato urbane. Në përgjithësi, mund të themi se rreth 60 për qind e ingerencave që i kemi, i realizojmë por nuk mund të themi se i realizojmë tërësisht”, thotë Bajram Kadrija, kryetar i Komunës së Vrapçishtit. “Arsimi fillor dhe urbanizmi realizohen me sukses. Menaxhimi i pastërtisë apo deponive është duke shkuar me vështirësi, bëhet fjalë për një territor me të gjitha komunat ku problem është grumbullimi, transportimi dhe deponimi i mbeturinave dhe në këtë drejtim duhet një marrëveshje mes të gjitha komunave. Për fat të keq, kur tash ndodhemi në fazën e dytë të decentralizimit, kthimi i TVSH-së është shumë i vogël, kurse ne kërkojmë që të na kthehen 30 për qind e mjeteve të TVSH-së që të mund të lëvizim gjërat përpara. Në këtë drejtim hasim në barriera të ndryshme nga pushteti qendror. Faktor tjetër është edhe mospasja e resurseve natyrore, siç janë minierat, të cilët mund të jepen me koncesion dhe mjetet rreth 70 për qind i merr komuna, por në rajonin e Pollogut – nuk ka resurse të këtilla”, deklaroi Kadrija, i cili përmend rastin e Komunës së Makedonska Kamenica, ku nga koncesioni, kjo komunë merr mjete ma shumë se sa e ka buxhetin e saj.
“Shpeshherë kemi pengesa dhe mosrespektim në ndarjen e mjeteve në mënyrë të barabartë për të gjitha regjionet. Çdo regjion duhet që në vit të merr prej 5 deri në 7 milionë euro nga shteti për zhvillim. Prioritetet nuk i vendosin komunat, por Qeveria dhe ministritë. Nevojat e komunave rurale ndryshojnë nga ato urbane. Neve mund të na nevojiten rrugë, ujë i pijshëm, kanalizim, kurse investohet në ndërtim të sallës sportive apo fushës së tenisit dhe kështu ne na vendosin para aktit të kryer”, tha Kadrija.
Kryetari i Komunës së Bërvenicës, Enver Pajaziti, thotë se arkëtimi i mjeteve nga qytetarët është rritur deri në 80 për qind, kurse komuna që drejton ai, në bazë të ingerencave, ka arritur të menaxhojë mirë me këto procese, por nevojitet akoma që komunat të jenë më të suksesshme. “Kemi kompetenca të deleguara në urbanizëm dhe të njëjtët i realizojmë, kurse presim që të na jepet në menaxhim edhe toka ndërtimore, e cila do të na jep më shumë mjete dhe do të hap dyert për investime në komunë. Jemi në fazën e fundit të marrjes në kompetencë të tokës ndërtimore dhe kjo do të na mundësojmë që të planifikojmë një zhvillim ekonomik”, deklaroi Pajaziti. Ai ka piketuar edhe dy probleme, të cilët i hasin si komunë rurale. “Gjendja me arsimin fillor nuk mund të themi se është në nivel, pasi që gjatë vitit të kaluar, nuk kishim mjete të nevojshme apo të mjaftueshme për ngrohjen qendrore, kështu që ishim të detyruar të ndajmë mjete nga buxheti jonë për ngrohjen e shkollave. Po ashtu, problem është edhe gjendja e vështirë e rrugës që lidh Tetovën me Gostivarin, e cila kalon përmes Komunës së Bërvenicës. Në këtë rrugë, agjencioni përkatës nuk ka bërë asnjë investim viteve të fundit, kurse ne si komunë – disa herë kemi intervenenuar, por kjo nuk është e mjaftueshme, sepse kemi buxhet të limituar”, thotë Pajaziti. Për kryetarin e Komunës së Bogovinës, Hazbi Idrizi, nga viti 2005 kur edhe ka filluar procesi i decentralizimit, në të gjitha fazat ka përparime.
“Kemi përparim sa i përket tatimit në pronë. Komuna e Bogovinës është duke ecur mirë në këtë aspekt dhe ne si komunë, nuk kemi ngecje dhe të gjithë fazat që i ka paraparë ligji, jemi duke i çuar ashtu siç duhet. Ne si komunë kemi rritje të buxhetit. Deri para dy vitesh – tatimi fiskal ka qenë 3 për qind dhe ky tatim vitin e kaluar është rritur në 3.7 për qind, ndërsa sivjet e kemi 4 për qind. Mendoj se edhe viteve të ardhshme do të ketë rritje të buxhetit. Në qoftë se parasheh Ligji që të marrim ende ingerenca, ne kemi kapacitete që të përballemi me resurse njerëzore”, thotë Idrizi. Ndërkaq, sa i përket Komunës së Tetovës, procesi i decentralizimit është duke shkuar shumë ngadalë. Në këtë komunë thonë se shumë objekte kulturore, sportive ende janë nën ingerencë të pushtetit qendror, ndërsa komuna me shumë pak mjete duhet të kryejë shumë punë. Për kryetarin e kësaj komune, Sadi Bexheti, Komuna e Tetovës shumë pak ka përfituar nga procesi i decentralizimit fiskal.
“Komuna e Tetovës është në fazën e dytë të procesit të decentralizimit, ndërsa mund të themi se nuk është i kënaqshëm për Komunën e Tetovës, pasi po realizohet me ritme të ngadalta. Komuna e Tetovës ende nuk ka përfituar nga decentralizimi dhe mund të themi se decentralizimi fiskal po zhvillohet shumë dobët”, ka deklaruar kreu i Komunës së Tetovës, Sadi Bexheti. Ndërkaq, mungesa e mjeteve financiare është problem numër një për të gjitha komunat në Pollog që të ketë një përparim në aspektin ekonomik, shëndetësor, mbrojtjes së ambientit, kurse komunat në bazë të përgjegjësive që kanë, me shumë mund arrijnë t’ia dalin që të jenë në nivel, duke patur parasysh numrin e vogël të punësuar në administratën e tyre, mos pasjen e resurseve natyrore dhe menaxhimin me zonat ekonomike. I pari i Komunës së Zhelinës, Fatmir Izairi, i cili është edhe kryetar i Regjionit të Komunave të Pollogut, thotë se komunat kanë arritur që deri diku që të përmbushin detyrimet që i kanë në bazë të ligjit, por mungesa e mjeteve ka bërë që disa aspekte të mos mund të menaxhohen si duhet.
“Padyshim se komunat kanë arritur të realizojë të drejtat në masë të madhe, por kompetencat kërkojnë edhe mjete financiare. Ka përparim nga e kaluara, pasi menaxhohet me arsimin fillor, planet urbanistike dhe ingerenca tjera që kanë të bëjnë direkt me jetën e qytetarëve. Nuk mund të themi se i kemi realizuar të gjithë kompetencat që janë të parapara me ligj apo që dalin nga decentralizimi. Ne jemi munduar që në këto vite të kaluara të realizojmë ato ingerenca që kanë qenë parësore si arsimi fillor, urbanizmi dhe infrastruktura lokale. Deri diku kemi arritur të përmbushim këto kompetenca që na janë dhënë, por për fazat tjera – ende është herët të flitet. Si komuna kemi shumë kompetenca, por për realizimin e tyre – nevojiten mjete. Në letër gjithçka është shumë mirë, por për realizim duhet një zhvillim ekonomik, i cili do të mundësojë që komunat të menaxhojnë me këto faza të decentralizimit”, deklaroi Izairi. Ai thotë se në të ardhmen, pasi toka ndërtimore tu jepet në menaxhim komunave të Pollogut, pritet të ketë një zhvillim më të madh regjional. Ndryshe, më 1 korrik të vitit 2005 filloi edhe zyrtarisht procesi i decentralizimit të pushteteve në Maqedoni, pas ndarjes territoriale të vitit 2004, ku territori i Maqedonisë u nda në 84 komuna nga 123 sa kishte më parë.

Gjithashtu lexo

Përfaqësimi në ARM, reagon Lëvizja Besa – (FOTO & VIDEO)

Lëvizja BESA reagon ndaj deklarimeve të zëvendës ministrit të Mbrojtjes, Bekim Maksuti i cili shprehu …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *