Home / Lajme / Maqedoni / Ngarkojnë e shkarkojnë, ku dhe kur ju kujtohet

Ngarkojnë e shkarkojnë, ku dhe kur ju kujtohet

29 korrik-Dukuria e uzurpimit të hapësirave publike në Tetovë është problem që vite me radhë është aktual dhe assesi të gjen zgjidhje. Qytetarët nga ana e tyre ankohen se në shumë raste duhet që të zbresin në rrugë dhe të ecin pasi që trotuaret janë të zënë nga veturat e ndryshme

Trotuare pothuajse të pakalueshme, vetura të parkuara gjithandej, ngarkim-shkarkim i mallit pa respektuar orarin prej orës 19 në mbrëmje deri ora 7 në mëngjes. Mallrat nëpër markete të ndryshme zbarkohen edhe në mes të ditës, ndërsa transportuesit e bllokojnë rrugën dhe më pas krijohet tollovia në rrugët e Tetovës edhe pse ekziston një vendim i sjellë në këshill, që ngarkim-shkarkimi i mallit në disa rrugë të qytetit të bëhet me orar të caktuar. Kjo ka bërë që në shumë rrugë të qytetit të krijohen rende të gjata të veturave nervozë te vozitësit dhe kaos. Më vështirë janë rrugët që çojnë për dalje nga qyteti ku janë edhe të vendosura shumica e marketeve. Kësaj situate i kontribuon edhe mospasja e një institucioni të vetëm që do të merret me këtë problematike, por përgjegjësitë janë të ndara, disa i ka inspektorati komunal, kurse disa përgjegjësi i ka policia. Përderisa institucionet akuzohen ndërmjet veti gjendja në terren vështirësohet dita-ditës, sidomos gjatë verës kur frekuentimi i rrugëve është i madh. Situata ndërlikohet edhe më shumë, pasi që sipas drejtuesve të inspektoratit komunal policia në shumë raste nuk asiston.

“Këtë vit kemi dërguar shumë kërkesa për asistencë në SPB-në e Tetovës, për zbatim të vendimeve të inspektoratit, pra bëhet fjalë për mënjanim të objekteve, uzurpim të hapësirave publike dhe të tjera veprimtari kur duhet të intervenojmë, policia nuk asiston. Gjatë vitit 2012 në asnjë rast nuk kemi asistencë prej tyre”, thotë Kadri Asani, udhëheqës i inspektoratit komunal në Komunën e Tetovës. Ndërkaq, kryeshefi i Sektorit për Punë të Brendshme në Tetovë, Shefik Bajrami, thotë se nga ana e komunës apo inspektoratit gjegjës për asistim për rastet në fjalë nuk ka arritur asnjëherë.

“Nuk kanë kërkuar asnjëherë asistencë. Ne vetë në disa raste marrim masa si polici. Madje, ne jemi ata që në disa raste u kërkojmë që të bashkëveprojmë për të eliminuar uzurpimet në qytet. Me plot përgjegjësi them se kërkesat për asistime që na vijnë nga komuna janë për veprimtari tjera dhe jo për këtë qëllim. Ne kemi edhe argumente ku inspektorati është dashur që të del në teren por nuk ka marrë masa”, deklaroi kryeshefi i Sektorit për Punë të Brendshme në Tetovë, Shefik Bajrami. Nga ana e inspektoratit komunal bëjnë të ditur se vetë misioni i këtij inspektorati është që të inspektojë dhe mbikëqyrë, pastaj të sjell vendim. Ai thotë se ky inspektorat ka përgjegjësi në bazë të ligjit që të inspektojë situatën në urbanizëm dhe ndërtim, qarkullim rrugor, ambient jetësor, tatimet dhe të tjera, por në shumë raste ingerencat janë pengesë për veprime më efikase, pasi që realizimi dhe veprimi në teren varet edhe nga institucionet tjera siç janë policia dhe inspektorati tregut.

“Si inspektorat kur konstatojmë gjendjen faktike, dërgojmë vërejtje, por vështirësitë hasen me personat fizik, kur i njëjti duhet të identifikohet ne nuk kemi ingerenca të identifikojmë njerëz dhe kjo është përgjegjësi ekskluzive e policisë. Në atë rast e përgatisim procesverbalin pa emër, pra si person i panjohur. Kurse kur bëhet fjalë për subjekte juridike atëherë procedura për përcjellje është më e lehtë. Në rastin konkret kur ka shkelje të vendimit të këshillit për ngarkim- shkarkim, vërejtja i dërgohet transportuesit që menjëherë të lirojë hapësirën publike”, thotë kryeinspektori Asani. Ndërkohë nga Policia e Tetovës theksojnë se janë marra masa për largimin e veturave dhe gjithë veprimtarive tjera që realizohen në trotuare dhe hapësira publike. Nga policia e Tetovës bëjnë të ditur se gjatë gjashtë muajve të kaluar, për shkak të uzurpimit të pronës publike në qytet dhe për shkak të parkimit në vend të palejuar janë marrë gjithsej 495 automjete. Policia ka realizuar 178 masa të adresuara pikërisht për keqpërdorim të hapësirave publike në qytet dhe jo vetëm automjete por edhe ekspozimi i prodhimeve bujqësore. Masat janë marrë ndaj uzurpatorëve dhe të njëjtat sillen prej 35 deri në 250 euro, thonë në policinë e Tetovës. Ndryshe prej fillimit të këtij, sipas drejtuesve të inspektoratit komunal, janë shqyrtuar një numër i madh i lëndëve gjegjësisht 527 lëndë, që kanë të bëjnë me punën e inspektoratit në teren. Dukuria e uzurpimit të hapësirave publike në Tetovë është problem që vite me radhë është aktual dhe assesi të gjen zgjidhje. Qytetarët nga ana e tyre ankohen se në shumë raste duhet që të zbresin në rrugë dhe të ecin pasi që trotuaret janë të zënë nga veturat e ndryshe, shitësit e prodhimeve të ndryshme bujqësore. (Urim Hasipi)

Gjithashtu lexo

Përmes Serbisë po zbatohet një skenar për destabilizimin e Ballkanit, ja kush alarmon

Lidhja Demokrate e Maqedonisë (LD) nëpërmjet një kumtese vlerëson se tërheqja e personalit të ambasadës …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *