Home / Sport / Shkëndijë ‘sterile’ përballë Portadown-it

Shkëndijë ‘sterile’ përballë Portadown-it

Edhe pas 270 minutave lojë në tre ndeshje ndërkombëtare, Shkëndija nuk arrin të gjejë golin e parë në Evropë dhe rrjedhimisht nuk arrin të fitojë një takim. Pas dy humbjeve në kualifikimet e Ligës së Kampionëve në vitin e kaluar, Shkëndija të martën debutoi në Liga Evropa dhe përkundër dominimit brenda 90-të minutave në fund u desh të pajtohen me barazimin 0:0 përballë ekipit të Portadownit nga Irlanda e Veriut. Kështu tetovarët në ndeshjen e kthimit do të shkojnë pa epërsi, megjithse gjasat për kualifikim në raundin e ardhshëm mbesin 50:50.

Shkëndija e Tetovës ka luajtur baraz 0:0 përballë ekipit nga Irlanda e Veriut, FC Portadown, në ndeshjen e parë të raundit të parë kualifikues të Liga Evropës. Edhe përkundër dominimit të plotë dhe krijimit të disa rasteve për të shënuar, Shkëndija nuk arrin të gjejë rrjetën kundërshtare dhe në fund nuk arrin të fitojë kundërshtarin realisht më të dobët. Ndeshja e zhvilluar në stadiumin e Bashkimit në Kumanovë, në tribuna të stërmbushura (është vetëm një tribunë me kapacitet 2200 vende për t’u ulur) Shkëndija provoi që në fillim të shfrytëzojë rastet para portës mysafire. Mirëpo që në fillim u pa se gjërat nuk do të shkojnë mirë, pasi ‘kuqezinjtë’ vështirë depërtonin në mbrojtjen e përforcuar të miqve. Përforcimi i ri në sulmin e Shkëndijës Muzafer Ejupi kishte dy kanosje në pjesën e parë, por pa rezultat, ndërsa me të njëjtin efekt përfunduan edhe kanosjet e Nezirit e Tapitit që s’ishin préciz, ndërsa tentimet e Eminit, Mustafit dhe Elmazovskit u ndalën nga portieri mysafir Miskeli. Pjesa e dytë solli imazhe të njëjta në fushë, Shkëndijën në sulm dhe Portadownin tani më edhe më shumë të tërhequr dhe të mbyllur para portës së vet. Edhe në këtë fazë nuk munguan kanosjet e Shkëndijës, mirëpo pa mundur të gjejnë golin e fitores. Inkuadrimi në lojë i Burhan Aliut si duket ngjalli lojën e ‘kuqezinjëve’ të cilët sollën disa mundësi. Ejupi së pari për pak nuk arriti harkimin e Cuculit, më pas goditja e Eminit shkoi vetëm disa centimetra skaj portës vendase, ndërsa pas goditjes së Taipit nga gjuajtja e lirë, i sapo-inkuadruari në lojë Ertan Hasan për pak sa nuk shënoi nga afërsia, mirëpo Miskeli në mënyrë të cuditshme shpëtoi portën e tij. Në fund ndeshja u mbyll me rezultatin e fillimit 0:0, që në tribuna solli pakënaqësi për tifozët. “Ishte ndeshje e vështirë për ne, në kushte në të cilat nuk jemi mësuar të luajmë. Mirëpo futbollistët dhanë më shumë se maksimumi i tyre dhe në fund nxorëm rrezultat të barabartë. Tani besojmë se në ndeshjen e kthimit do të arrijmë të fitojmë në terenin tonë dhe të kalojmë në xhiron e dytë”, deklaroi pas ndeshjes menaxheri i Portadownit, Ronnie McFall. Ndërkohë edhe pse i pakënaqur me rezultatin, trajneri i Shkëndijës Qatip Osmani beson se Shkëndija ka forcë të kalojë në raundin e ardhshëm. “Kishim dominim gjatë gjithë 90-të minutave dhe krijuam disa raste shënimi. Për këtë arsye nuk mund të jemi të kënaqur me rezultatin. Kundërshtari luajti shumë mirë në mbrojtje dhe na mbylli hapsirën para portës së tyre. 0:0 është rezultat që len gjithcka të hapur dhe unë besoj se në ndeshjen e kthimit kemi kapacitet të shënojmë gol dhe të eliminojmë këtë skuadër”, tha Osmani. Shkëndija pas tre ndeshjeve në Evropë mbetet pa fitore dhe pa gol të shënuar. Përballë Portadownit edhe pse pritej fitore dhe barazimi pa gola ndoshta shihet si mossukses, gjithsesi në aspektin statistikorë ky rezultat është historik për Shkëndijës, pasi pas dy disfatave të vitit të kalaur, kësaj rradhe regjistron barazimin e parë në kupat evropiane. Mungon vetëm fitorja dhe ndoshta ndeshja e kthimit me Portadownin në Irlandën e Veriut pas një jave, do të sjellë gëzimin e parë të ‘kuqezinjëve.

Gjithashtu lexo

City: 300 mln euro për Messi-n – (VIDEO)

Klubi anglez, Mançester Sity është i gatshëm të bëjë çmendurinë e radhës në tregun e …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *