Home / Sport / Kombëtarja, Ujkani e Bogdani kthehen me Moldavinë

Kombëtarja, Ujkani e Bogdani kthehen me Moldavinë

Samir Ujkani e Erjon Bogdani do të kthehen përsëri pjesë e kombëtares në miqësoren e 15 gushtit kundër Moldavisë, duke treguar qartësisht se trajneri De Biasi beson shumë te këto dy lojtarë. Ftesa ka mbërritur në klubet respektive dhe prania e lojtarëve është konfirmuar pasi të dy nuk kanë probleme fizike që mund t’i linin jashtë përzgjedhjes.

Ujkani, titullar në kombëtare dhe tani edhe në radhët e Palermos, ka bërë pushime të detyruara në 3 muajt e fundit pas një frakture në dorë që e la jashtë fushave të blerta në fundin e sezonit të kaluar. Por cilësia e padiskutueshme e portierit shqiptar ka bërë që De Biasi ta kthejë atë në kombëtare sapo futbollisti la pas fazën e riaftësimit dhe u kthye në stërvitje me ekipin e tij.

Ndonëse deri para pak muajsh kishte ende dyshime për formën e lojtarit dhe faktin nëse ai do të ishte titullar, kthimi i tij te Palermo ka mbyllur çdo shteg dyshimi dhe i riu Etrit Berisha, duket se do të vazhdojë të jetë zëvendësues i portierit që luan me sukses prej shumë vitesh në kampionatin italian.

Ndërkohë, prania e Erjon Bogdanit në listë konfirmon edhe një herë se sulmuesi do të ketë një rol kryesor në kombëtare gjatë eliminatoreve të Botërorit 2014. Çani dhe Roshi, dy lojtarët më të kuotuar për të zënë vendin e tij në repartin e avancuar, kanë probleme me klubet e tyre dhe janë nxjerrë në shitje. Si rrjedhojë, do të jetë veterani i sulmit shqiptar që do të vazhdojë të mbetet zgjedhje e parë për kuqezinjtë, edhe për faktin se gëzon një formë të mirë.

Zgjedhjet e tjera të De Biasit pritet të mësohen gjatë javës në vijim, ndërsa lista përfundimtare, si zakonisht, do të publikohet vetëm në javën e fundit para ndeshjes.

Gjithashtu lexo

Ylli i Shkëndijës: Nuk kemi çfarë të humbasim ndaj Milanit

Ardian Cuculi ka thënë se Shkëndija do të tentojë të bëjë lojën e saj dhe …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *