Home / Sport / Kupa: 11 Oktomvri-Renova, Shkëndija-Bregallnica

Kupa: 11 Oktomvri-Renova, Shkëndija-Bregallnica

Renova titullin do të duhet ta mbrojë duke kaluar përmes 11 Oktomvrit, ndërsa Shkëndija edhe një herë tjetër në Kupë do të duhet të përballet me Bregallnicën e Shtipit. Drita për kundërshtar ka marë Pobeda Juniorin, ndërsa dueli më interesant pritet të jetë përplasja e Metalurgut me Horizont Turnovën.

Të ejnten në zyrat e Federatës së Futbollit të Maqedonisë, është bërë hedhja e shortit për dyshet e 1/8 së finales së Kupës së Maqedonisë. Dy skuadrat tetovare Renova dhe Drita do të udhëtojnë për në Prilep, ku do të përballen me 11 Oktomvrin, gjegjësisht Pobeda Juniorin. Renova mbrojtjen e titullit do ta vazhdojë përballë ish-anëtarit të Ligës së Parë, 11 Oktomvrit, të cilët tani garojnë në kategorinë e dytë dhe kërkojnë befasi në Kupën e Maqedonisë. Në anën tjetër dihen ambiciet e Renovës në këtë garë, ku pretendojnë të mbrojnë titullin e fituar sezonin e kaluar. Shorti përfundimisht ka rezultuar pozitiv për Renovën, të cilët megjithatë duhet të përmirësojnë shumë formën e tyre, nëse duan të avansojnë më tej. “Shorti nuk është i keq, por në këtë fazë secili kundërshtar meriton respekt. Ne duhet të konsolidojmë rradhët tona pas shfaqjes së disa gabimeve në lojë dhe më pas të mendojmë për sfidën e Kupës. Normal nuk ikim prej përgjegjësisë dhe rolit të favoritit, mirëpo këtë do të duhet ta dëshmojmë në teren dhe të sigurojmë kualifikim në raundin e rradhës”, deklaroi trajneri i Renovës, Qatip Osmani. Shkëndija e Tetovës edhe këtë vit në Kupë do të luajë me Bregallnicnë, nga të cilët u eliminuan sezonin e kaluar. ‘Kuqezinjtë’ përsëri janë optimistë për përballjet me skuadrën nga Shtipi, me të cilët barazuan pa gola në takimin e javës së katërt në LPFM, që u zhvillua të mërkurën. Fakti që ndeshja e parë do të zhvillohet në Tetovë, ‘kuqezinjtë’ i bën optimist që me fitore bindëse në revansh të shkojnë më të qetë. “Duket se Bregallnica është fati i jonë secilin vit dhe nëse ne duam suksesin, patjetër të kalojmë përmes kësaj skuadre. Shkëndija finalen e vetme të Kupës e ka luajtur duke kaluar përmes Bregallnicës në gjysmëfinale. Vitin e kaluar kjo skuadër na eliminoi me penalti dhe tani ja përsëri duhet të luajmë me ta. Normal ne besojmë në kualitetin e ekipit tonë dhe mendimi ynë është që Shkëndija ka forcë për të kaluar më tej. Me fitore në ndeshjen e parë, besoj se në revansh nuk do i përsërisim gabimet e sezonit të kaluar dhe kësaj rradhe shpresoj që ne të jemi skuadra që do kalojmë më tej. Shkëndija këtë vit synon titullin e dyfishtë dhe me ambicie të këtilla ne duhet të mundim çdo rival, nëse duam të shpallemi kampionë”, komentoi shortin, drejtori sportiv i Shkëndijës, Besir Shaqiri. Drita e Bogovinës e cila këtë vit për herë të parë luan në Ligën e Parë dhe për momentin sjell paraqitje solide, në Kupë duket favorite përballë Pobeda Juniorit. Bogovinasit shpresojnë që me rezultat pozitiv në ndeshjen e parë në transfertë, më pas në teren të tyre të konfimrojnë kualifikimin në çerekfinale. “Jemi të kënaqur me shortin, por njëkohësisht të vetëdijshëm për befasitë që mund të ndodhim. Prandaj duhet të jemi maksimalisht seriozë, mos nënçmojmë kundërshtarin dhe me një qasje të këtillë të kërkojmë çerekfinalen”, shprehen nga tabori i Dritës. Anëtari i Ligës së Tretë, Bashkimi i Kumanovës do të përballet me Sileksin e Kratovës në derbin e dikurshëm të skuadrave fiqnje. S’do mend se Bashkimi nuk është më ai ekip i dikurshëm dhe në këtë duel favorit është Sileksi. Dueli më interesant i kësaj faze është përballja e Metalurgut me Horizont Turnovën. Vardari përballë do të ketë skuadrën e Ligës së Dytë, Euromilkun, Pelisteri ndeshet me Babi-n, ndërsa Lokomotiva do të sfidojë Teteksin. Ndeshjet e para zhvillohen më 9 shtator me fillim në orën 15:30, ndërsa ndeshjet e kthimit në program do të jenë më 26 shtator.

Dyshet e 1/8 së finales:
11 Oktomvri-Renova,
Shkëndija-Bregallnica,
Pobeda Junior-Drita,
Bashkimi-Sileksi,
Metalurgu-Horizonti,
Vardari-Euromilku,
Pelisteri-Babi,
Lokomotiva-Teteksi.

Gjithashtu lexo

Tifozët shqiptarë nga Tetova pushtojnë rrugët e Milanos, çfarë po ndodh para ndeshjes? (VIDEO)

Grupimi i tifozëve të Shkëndijes, “Ballistët” që shquhen edhe si një nga tifozeritë më të …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *